'S’kemi për të hequr dorë nga primaret', ky ishte mesazhi i prerë i dhënë nga ish kryeministri Sali Berisha në Gjirokastër ditën e sotme. Megjithëse në dakordësi të plotë me Partinë e Lirisë të Ilir Metës, pas reformës territoriale, Berisha i ka shtrirë dorën edhe njëherë Alibeajt për të propozuar një kandidat të përbashkët në zgjedhjet e ardhshme të 2023.

Ashtu sikurse edhe më herët, Berisha 'ka zbutur gjuhën' me Alibeajn për të bashkuar forcat edhe në zgjedhjet vendore. Edhe pse me sugjerimet me Presidentin Begaj, Rithemelimi dhe Partia Demokratike e Alibeaj nuk patën një dakordësi, sërish Berisha nuk ngurroi të kërkonte bashkëpunimin e atij që dikur e quante ‘AliBasha’. 

Më herët ish kryeministri pati edhe një takim me qytetarët në Memaliaj ku komentoi edhe lirimin me arrest shtëpie të ish deputetit socialist, Alqi Bllako. Sipas Berishës, ish deputeti Alqi Bllako u lirua nga burgu pasi kërcënoi kryeministrin Edi Rama se do fliste për aferën e inceneratorëve.

 “Dje liruan deputetin pasi ua kërcëlliti dhëmbët Erion Veliajt dhe Edi Ramës, më lironi ose do flas. E nxorrën në shtëpi Bllakon. Bllako i cili me paratë tuaja i kishte lidhur një rrogë mujore 10-12 milionë të atit sikur të ishte ai shef ekzekutivi i ndonjë korporate të madhe. Ne nuk mund të tolerojmë, nuk mund të pranojmë rritjen e çmimit të naftës. Pse Kosova dhe Mali i Zi ta kenë më lirë naftën?”.

Kujtojmë se Berisha i shtriu dorën edhe për propozimin e reformës territoriale Kreut të Grupit Parlamentar, Alibeaj, pavarësisht se që prej kthimit të tij me Foltoret dhe largimit të Lulzim Bashës, ka hedhur akuza ndaj tij si bashkëpunëtor me qeverinë. Berisha i kërkoi kreut të komanduar të PD-së, të dalin me një draft të përbashkët e ndërsa sot me një kandidat të përbashkët. Ish kryeministri pavarësisht epiteteve ‘AliBasha’, tregoi edhe sot përpara qytetarëve dhe demokratëve me koshiencë të plotë pasigurinë e tij përballë mazhorancës pavarësisht aleancës 100% të dakordësuar me ish presidentin Ilir Meta.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:10
Kush e ftoi Oerd Bylykbashin në Presidencë? Berisha zbulon telefonatën që iu bë deputetit të PD: Përpjekjet e Ramës për të ndaluar fitoren e opozitës do dështojnë

 

Ish kryeministri Sali Berisha është pyetur se si qëndron e vërteta, nëse e ka kërkuar vetë deputeti Oerd Bylykbashi takimin me Presidentin Barjam Begaj për të folur për datën e zgjedhjeve lokale. Berisha tha se Bylukbashi është kontaktuar për të shkuar me ftesë të Presidentit.

 Jo një por dy zyrtarë të lartë të presidencës, njëri shef kabineti, i kanë telefonuar Bylykbashit për t’i komunikuar kërkesën e Presidentit për takim duke i komunikuar se bëhet fjalë për zgjedhjet lokale. Cdo variant tjetër ëshë gënjeshtër. Cdo përpjekje e Edi Ramës për të parandaluar fitoren e opozitës e rikthimin e saj në pushtet do dështojë në mënyrën më të plotë.- tha Berisha

Ora 14:12
Berisha: Nuk heqim dore nga primaret, Meta me aleatët dakord! Alibeaj të vijë dhe të propozojë kandidatë e vet

 

Ish kryeministri Sali Berisha ka bërë me dije në takimin e tij në Gjrokastër  se nuk do të heqë dorë nga primaret ndërsa shtoi se Alibeaj mund të vijë të marrë pjesë dhe të bëjë propozimet e veta.

‘Në Tiranë do të kemi kandidaturë të përbashkët e cila do të dalë përmes primareve.  Nga primaret nuk heqim dorë, kjo është kategorike.  Alibeaj të marrë pjesë dhe të bëjë propozimet e veta.  Këtë herë nuk voton vetëm anëtarësia por edhe simpatizantët.  Me z. Meta kemi rënë dakord që ai do të përqendrohet thuajse 100% tek këshillat.’- tha Berisha.

Ora 13:47
Sulmi në sistemin TIMS, Berisha: Janë zhdukur gjurmët e udhëtimit të Taulant Ballës 54 herë me trafikantë

 

Sali Berisha ka sulmuar sërish qeverinë pas sulmeve në sistemin TIMS. Berisha tha nga Gjirokastra se janë zhdukur gjurmët e udhëtimit të Taulant Ballës 54 herë me trafikantë.

‘Kurrë ndonjëherë Shqipëria nuk ka qenë më e pasigurt se këto ditë. Vetëm shkatërrimi i sistemit të TIMS dhe MEMEX. Qëllimi ishte te zhdukeshin gjurmët e lidhjes së qeverisë me trafikantët.

Të zhdukeshin gjurmët e udhëtimit të Taulant Ballës 54 herë me trafikantë. Një polic që ishte një lloj pengese, u largua në mënyrën më mafioze nga detyra e tij.  Shqiptarët nuk morën vesh asnjë argument se pse kryepolici i vendit u largua nga detyra, përveç lidhjeve të Çuçit me Ramën. Përveç rënies së tij në hekurin e nxehtë.

Ndaj dënoj me ashpërsi këtë akt.  Dënoj qëndrimin, fshehjen që bën Edi Rama, Bledi Çuçi.  Ka çuar tani një zëdhënës të vetin, se atë shefin e SHISH e dërgoi për shkollim, se paska qenë pa shkollë ky Helidoni, dhe çoi këshilltarin e tij që nuk është marrë kurrë me shërbimet inteligjente.

Pra, ka shtrirë tërësisht kontrollin ne çdo qelizë.  Siguria është më në rrezik se asnjëherë.  Shkalla e papërgjegjëshmërisë së tij është më e madhe se çdo herë.  Pas çdo firme që vendos është një vjedhje e re. Pas çdo ligji që sjell në parlament, ka një grup interesi.’- u shpreh Berisha.

Ora 11:31
Berisha e pranon: Iu kemi zhgënjyer disa herë, kemi probleme shumë të mëdha dhe keni arsye për të mos na besuar, por do të ndryshojmë

 

Berisha më në fund e pranoi dështimin e tij në politikë ku i tha simpantizantëve të tij në Memaliaj se i ka zhgënjyer disa herë dhe kanë mjaftueshëm arsye për të mos i besuar më, por iu premtoi se do të ndryshojë.

“Ju vetë do të zgjidhni përfaqësuesit tuaj. Siç zgjodhët kryetarin e partisë, do zgjidhni kanidatin për kryebashkiak dhe ata për këshilltarë. Ne duam që ai që ju e votoni të jetë i detyruar ndaj jush.

Ndaj sjellim primaret ku do votojnë jo vetëm anëtarët por edhe simpatizantët e PD-së. Për të zgjedhur persona të cilët nuk e dinë as vetë kryetarët e PD-së nëpër qarqe, por e dini vetëm ju që bashkëpunoni me ta.

Ndaj është vendosur që simpatizantët të regjistrohen në nivel seksioni. Unë ftoj çdo qytetar të Memaliajt të shkojë tek seksioni dhe të regjistrohet për votuar për kandidatin që do kandidojë për kreun e bashkisë Memaliaj. E ardhmja jonë përcaktohet nga aftësia jonë për të ndryshuar.

Është jetike kjo, sepse ne i zhgënjyem votuesit tanë, ne i zhgënjyem tre herë. Nëse ata nuk e shohin ndryshimin rrënjësor, ata kanë arsye për të mos na besuar sërish. Ne do bëjmë gjithçka që të pushtojmë mendjet dhe zemrat e atyre që akoma nuk kanë besim tek ne.

Do bëjmë gjithëçka që aspiratat e tyre t’i shndërrojmë në motivin tonë kryesor. PD doli tërësisht jashtë pushtetit falë disa gabimeve të pafalshme, duke ndihmuar Edi Ramën pasi duhej të regjistrohej në zgjedhjet lokale në datën që caktoi presidenti. Ne kemi probleme të tjera shumë të mëdha", tha Berisha.