Berisha-Meta në ‘penxhere’, zyrtarët e SHBA me Ramën e Alibeajn dhe goditja ‘fatale’ e DASH

Berisha-Meta në ‘penxhere’, zyrtarët e SHBA me Ramën e Alibeajn dhe goditja ‘fatale’ e DASH

Askush nuk do kishte dëshirë të ishte sot në vend të kreut të “Rithemelimit” Sali Berisha dhe Presidentit në detyrë të Republikës Ilir Meta. Askush me mendje të shëndoshë mund të themi.

Nuk ka gjë më trishtuese teksa në mendjen e shqiptarëve Berisha dhe Meta ditën e sotme janë perceptuar si dy ‘përgjues’ në dritaret respektive të zyrave të tyre, paguhen me paratë e shtetit në fund të herës, që ndiqnin nga larg takimin e zyrtares së lartë të DASH, zonjës Karen Donfried, në fillim me kryeministrin Edi Rama dhe më pas me treshen drejtuese të PD të kohës së Lulzim Bashës, përkatësisht Enkelejd Alibeaj, Gazment Bardhi dhe Jorida Tabaku.

Eshtë një refuzim i dhimbshëm i SHBA për kreun e shtetit Meta dhe mëtonjësin e lidershipit të PD Berisha, duke ua vënë “thikën në plagë” me takimin e dhënien e mesazheve përmes tyre, pikërisht me kundërshtarët politikë brenda opozitës.

Berisha, por dhe “ortaku” i tij Meta, i projektuar në krye të asaj që quhet aleancë PD-LSI, e kanë bërë hasha Alibeajn. Të cilin nuk e njohin për kryetar të komanduar të PD. Madje lideri historik nuk e njeh më as si kryetar grupi. Por hasha kanë bërë dhe Bardhin që e quajnë sekretar të përgjithshëm të shkarkuar që më 11 dhjetor, bashkë me Tabakun po si nënkryetare e shkarkuar.

Ua mundësoi “frymëmarrjen” gjykatësi Agron Zhuri me atë vendim të gjykatës së Tiranës, përmes të cilit i dorëzoi PD-në Sali Berishës. Pavarësisht se Alibeaj ka ankimuar në Apel dhe gjithçka mund të rikthehet nga fillimi, bashkë dhe me vendimet që përmbante Kuvendi Kombëtar i 11 dhjetorit të vitit të kaluar i cili zhbëri gjithë drejtimin e partisë, që nga kryetari Basha, nënkryetarët, sekretariati e deri tek kryesia dhe këshilli kombëtar. Duke i bërë “nul”.

E megjithatë zyrtarët më të lartë të SHBA që ishin për vizitë në Tiranë, ditën e sotme takuan pikërisht këta të ‘shkarkuar’ nga Berisha dhe të cilët i njeh si drejtues zyrtarë të PD, duke e sfiduar hapur liderin historik të kësaj partie sëbashku me aleatin dhe kandidatin numër një për të drejtuar koalicionin e ardhshëm PD-LSI, Ilir Meta.

Pra sinjali nga SHBA ka qënë i qartë dhe i pandryshuar: Jo vetëm që kanë refuzuar takimin me drejtuesin që ka shumicën në PD si dhe kreun e shtetit Meta, por takuan dhe dhanë mbështetje pikërisht për kundërshtarët e tyre brenda PD dhe opozitës.

Mesazhi është i qartë: Nuk sfidohet kurrë SHBA. Aq më tepër që Shqipëria e vogël, e dëmtuar fort nga poilitikanët e saj në këto 30 vite post-komunizëm, ka pasur dhe ka nevojë më shumë se kurrë për mbështetjen e aleatit tonë strategjik SHBA, që nga ndihma për integrimin, ngritjen nga e para e drejtësisë së re, “amplifikimin” e zërit të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, por dhe për ndihmë ekonomike dhe ngritjen e demokracisë në këtë vend.

Po cilat ishin mesazhet që përcollën përmes takimit me Ramën si dhe me treshen e PD, Alibeaj, Bardhi e Tabaku, zyrtarja e lartë të qeverisë amerikane Donfried, e shoqëruar nga ambasadorja e SHBA në Tiranë Yuri Kim.

Ia vlen të theksojmë se Monika Kryemadhin as që e llogarisin fare, gjë të cilën e ka kuptuar dhe vetë kryetarja e deleguar e LSI teksa lajmëronte dy ditë më parë se ishte nisur për pushime bashkë me mikeshën e saj në parti Elona, duke bërë kujdes që të ruhet sekret destinacioni.

Por le të kthehemi tek mesazhet e zyrtarëve të lartë amerikanë për politikën shqiptare, në kulmin e sulmeve të “boshtit” anti-SHBA kundër zyrtarëve amerikanë, përmes deklaratave e peticioneve online, veçanërisht kundër ambasadores Yuri Kim si dhe në kulmin e sulmeve ushtarake të ushtrisë ruse në Ukrainë si dhe përpjekjeve për destabilizim në veri të Kosovës dhe në Malin e Zi.

Rama është shprehur se me zyrtaren e lartë të DASH është diskutuar gjerësisht për ecurinë pozitive të reformave, forcimin e drejtësisë, investimet strategjike në energji, veton e Bullgarisë ndaj Maqedonisë së Veriut, situatën në rajon, si edhe për mbështetjen e plotë SHBA i japin Ballkanit të Hapur. Por dhe ka marrë vlerësimin maksimal nga  ndihmëssekretarja amerikane e shtetit për rolin e Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit dhe në rajonin e Ballkanit.

Ndërsa kryetari i komanduar i PD Enkelejd Alibeaj, i cili është vënë nën goditjen e Berishës dhe grupit të tij, pasi nuk cedon në qëndrimin e tij se personat “non grata” nuk kanë vend në PD, ka qënë më konkret pas takimit me zyrtarn e lartë të SHBA.

“Pata kënaqësinë që të prisja zyrtaren e DASH. Diskutuam dhe folën për çështje që lidhen me zgjedhjet, krimin e organizuar, shtetin e së drejtës, luftës kundër korrupsionit. Nuk mund të lija pa diskutuar marrëdhënien që PD ka pasur me SHBA. Me kënaqësi vura re dhe pashë mbështetjen që SHBA kanë me PD. Mora konfirmimin e zonjës dhe të DASH për mbështetjen e një opozitë të fortë dhe të qëndrueshëm, një opozite pro amerikane që sheh nga e ardhmja. Sfidat prekin të gjithë Shqipërinë. Ky është preokupimi i PD”, tha Alibeaj.

Pra, Alibeaj ka marrë një konferemë të radhës nga SHBA se mbështetet vetëm e ardhmja në PD, ndërkohë që “non gratat”, me në krye Berishën, nuk bëjnë pjesë në axhendën e partneritetit të shtetit më demokratik të botës.

Ndërkohë që zhvilloheshin këto takime, dy krerët e ‘frontit’ absurd anti-SHBA, Sali Berisha dhe Ilir Meta, të përjashtuar nga axhenda e takimeve me ndihmëssekretaren amerikane të shtetit, kanë qënë të detyruar t’i “shikonin” ato nga “penxhereja”, dhe të vareshin nga informacionet që mund të shpëtonin në këtë rast nga mediat për të marrë ndonjë lajm. Megjithëse SHBA nuk lëviz nga qëndrimi, sipas të cilit nuk do të ketë asnjë bashkëpunim me “non gratat”, të shpallur nga DASH për korrupsion të lartë, minim të demokracisë në Shqipëri dhe presion mbi gjykatat.

Dhe këtu nuk bën pjesë vetëm Berisha dhe familja e tij, por dhe Ilir Meta, gjasat për të cilin janë që të jetë ai i “nominuari” i radhës për këtë “titull”, sapo të dorëzojë mandatin e Presidentit dhe të marrë drejtimin e LSI në konventën e 25 korrikut.

Me sa duket, për shkak të refuzimit të takimeve nga ana e zyrtarëve të DASH, Berisha dhe Meta e kanë kaluar kohën duke “nxjerrë” rezultatet e peticionit fantazmë online kundër ambasadores së SHBA, Yuri Kim, për të cilën dhe ata janë më se të bindur se nuk flet me mendjen e vet.

Dhe kjo u konfirmua vetëm një orë pas përfundimit të takimeve të Donfried me kryeministrin si dhe kreun e komanduar të PD, teksa përmes një prononcimi, DASH ka reaguar fort kundër Berishës, duke plotësuar kuadrin abandonimit total si person “non grata”.

DASH është shprehur për një media shqiptare se ka informacione të forta për korrupsionin e Berishës, madje e di gjithë rajoni. Dhe për më tepër bëri thirrje në drejtim të drejtësisë së re që të hetohet.

“Sekretari i Shtetit ka informacione të besueshme se Berisha ishte përfshirë në korrupsion të konsiderueshëm, veçanërisht gjatë kohës që ishte kryeministër i Shqipërisë. Ai njihet gjerësisht se ka përdorur pushtetin e tij për përfitimin e tij dhe për të pasuruar aleatët e tij politikë e anëtarët e familjes së tij në kurriz të besimit të publikut shqiptar në institucionet e tyre qeveritare dhe zyrtarët publikë. Veprimet korruptive të Berishës vazhdojnë të kenë jehonë në Shqipëri dhe në të gjithë rajonin sot.”, thuhet në reagimin e DASH.

Njëherësh konfirmon se të dërguarit e SHBA-së në Shqipëri do të këmbëngulin që zyrtarët e lartë në vend që kryejnë shkelje dhe abuzime të dalin përpara drejtësisë dhe të mos i shpëtojnë pandëshkueshmërisë.

Pra e zeza mbi të bardhë. Është një thirrje e drejtëpërdrejtë ndaj SPAK dhe organeve të tjera ligjzbatuese në Shqipëri që të marrin në konsideratë hetimin e korrupsionit të ish kryeministrit të Shqipërisë. Një deklaratë “fatale” kjo për Berishën dhe ortakun e tij Meta, se jo vetëm sepse nuk do të jenë kurrë partnerë bashkëpunimi me SHBA, por dhe rrezikojnë të vihen para drejtësisë për të dhënë llogari për akuzat që rëndojnë në kurrizin e tyre.

Pas këtyre deklaratave të DASH, refuzimit të takimeve nga ana e zyrtarëve të lartë të qeverisë amerikane, gjithkush e kupton se përse ka shpërthyer një “duf” i tillë anti-amerikan nga ana e Berishës e në mënyrë të nëndheshme dhe nga Meta.

Janë në hall, por ka hall e hall. Ky i Berishës dhe i Metës tashmë po merr me vete dhe opozitën në Shqipëri. Nëse nuk arrin Alibeaj të dalë mbi “ujë”, qoftë dhe me ndihmën e një vendimi të drejtë të Apelit për Kuvendin e Berishës.

M.Q.//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Hasan: 02/05/2022 11:44

    Me sa duket eshte trembur se eshte ne pushtet dhe dy mandate te tjera dhe dalja ne opozite eshte larg shum

    Përgjigju
  • beni: 30/04/2022 21:56

    hahahah ik o jakin e merr rrogen te ministria e peleshit leji shkrimet. kur te dalesh ne opozite nis e shkruj prap

    Përgjigju
    • bahri: 01/05/2022 16:13

      Nuk do te gjendej as nje menyre me efikase per te bindur te gjithe se Sali Berisha eshte njeriu me i paster ne politiken shqiptatre. Po behet viti nga akuzat e sajuar kunder Berishes nga Blinken dhe e gjithe ajo Amerike, gjithe kjo qeveri e edi Rames i gjithe ky Spak nuk po mund te ngeje nje akuze elemtare per Berishen... Jane perpjekje pafund dhe asgja.

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë