Berishën nuk e mundi Basha, por PD-ja

Berishën nuk e mundi Basha, por PD-ja

Sali Berisha dhe Lulzim Basha

Protesta e dhunshme e 8 janarit vulosi atë që tashmë dihej, Sali Berisha dështoi në synimin e tij për të rimarrë PD-në. Në fakt, ky dështim ishte vulosur që në dhjetor kur palët përfunduan kuvendet përkatëse dhe iu drejtuan Gjykatës. Nuk ka të bëjë fare me betejën idiote të marrjes së selisë. Një nga budallallepsjet e shumta që prodhoi berishizmi jo vetëm në PD, por edhe në mediat dhe shoqërinë shqiptare, ishte ajo që Besnik Mustafaj me të drejtë e quajti fetishizimi i selisë së PD-së. Në fakt, marrja e selisë nuk kishte asnjë logjikë politike dhe aq më pak juridike. Ajo nuk i bënte aspak punë lëvizjes Berisha.

Edhe sikur kuvendi i 11 dhjetorit të ishte legjitim, edhe sikur referendumi i 18 dhjetorit i prodhuar nga Berisha të ishte më demokratiku në historinë e zgjedhjeve shqiptare, ato duhen certifikuar nga Gjykata, përndryshe nuk kanë asnjë vlerë juridike. Pra marrja e selisë së PD-së më 8 janar do ishte thjesht uzurpim godine, pasi Berisha nuk ka asnjë tagër juridik apo ligjor të marrë nën kontroll selinë e PD-së. Ai është pronar i asaj godine vetëm në fantazinë e mbështetësve të tij.

Sulmi ndaj godinës shërbente thjesht për të tërhequr vëmendjen nga dështimi për të rimarrë nën kontroll PD-në. Është një dështim që e kanë të vështirë ta përtypin si mbështetësit edhe kritikët sepse bie ndesh me mitin Berisha aq të konsoliduar në skenën tonë politike.

Ky mit bazohej në dy premisa. Së pari, supozohej se Berisha ishte lider i padiskutueshëm brenda PD-së, ndaj berishizmi identifikohej me vetë PD-në. Së dyti, Berisha shikohej si një lider me mbështetje të madhe popullore në elektoratin e djathtë, edhe pse refuzohej nga shumica e shqiptarëve. Për këtë arsye të shumtë ishin ata që mendonin se Berisha i duhej PD-së më shumë sesa PD-ja Berishës.

Dështimi i lëvizjes Berisha për të rimarrë PD-në tregoi se asnjë nga këto premisa nuk qëndronte. Ato janë ricikluar aq shpesh nga mediat dhe analistët si brenda, edhe jashtë PD-së (duke përfshirë edhe autorin e këtyre rreshtave) saqë kanë marrë statusin e së vërtetës. Ishte miti Berisha që mobilizoi shumë nga mbështetësit e tij me idenë se ai do ta nxirrte Bashën nga PD-ja me gishtin e vogël ashtu sikurse e vuri.

Kjo nuk ndodhi sepse përballja e Berishës nuk ishte thjesht me Bashën, por me PD-në. Ndryshe nga sa deklarojnë mbështetësit entuziastë të Bashës, Berisha u mund nga PD-ja si strukturë, anëtarësi dhe entitet juridik. Miti Berisha nuk u thye nga Basha, por pavarësisht prej tij. Në përballjen me Berishën, Basha tregoi edhe një herë një mungesë të madhe lidershipi dhe kompleksim të thellë përballë babait të tij politik.

Mënyra se si e përjashtoi Berishën duke e lartësuar si lider historik, shmangia e debatit brenda PD-sa në lidhje me implikimet e thella politike që kish shpallja e Berishës non-grata, vendimi për mos t’u përballur me Berishën, mungesa e takimeve me bazën dhe refuzimi apriori i mbledhjes së kuvendit i dha oksigjen dhe legjitimitet lëvizjes Berisha. Pa përmendur gënjeshtrat fëminore të tipit ‘nuk përballem me Berishën se nuk dua ta nxjerr keq’, që e bindën një pjesë të mirë anëtarësisë se Basha ishte një lider i dobët.

Ama, aty ku dështoi Basha u shfaq PDja jo-berishiste që nuk e identifikonte PDnë me Berishën dhe hallet e tij. Ishte shumica dërrmuese e Grupit Parlamentar, shumica dërrmuese e kryetarëve të degëve, shumica dërrmuese e kryesisë, shumica dërrmuese e këshillit kombëtar të PD-së, dhe një pjesë e mirë e anëtarësisë që e thyen mitin e Berishës në PD jo vetëm duke u rreshtuar kundër tij, por edhe duke kritikuar haptas Bashën për gabimet në lidership.

Kongresi i 18 dhjetorit tregoi se ekzistonte një PD përtej Berishës si person dhe berishizmit si fenomen. Një PD që përballej me Berishën jo sepse ishin zarë të kryetarit, por për arsye parimore. Në kontrast të thellë me berishizmin shumë nga mbështetësit kryesor të Bashës në kongresin e 18 dhjetorit ishin edhe kritikë më të ashpër të tij. Një kongres ku delegatët kritikojnë hapur dhe ashpër kryetarin nuk mund të imagjinohet as në PD-në e Berishës dhe as në PS-në e Ramës.

A ishte kjo shumicë apo pakicë askush nuk e thotë dot me siguri. Që në momentin që lëvizja Berisha krijoi procedurat dhe institucionet e saj paralele, ku firma dhe votimi iniciohej, verifikohej dhe interpretohej po nga i njëjti individ, identifikimi i shumicës në mënyrë institucionale dhe të verifikueshme brenda PD-së u reduktua në hamendësim dhe subjektivizëm. Referendumi i 18 dhjetorit ishte shembulli më tipik i këtij fenomeni. Gjithsesi, me apo pa shumicën e anëtarësisë, kongresi i 18 dhjetorit tregoi se ekzistonte një pjesë e mirë e PD-së që nuk mund të reduktohej te Berisha apo berishizmi.

Kjo ishte goditja e parë ndaj mitit Berisha që tronditi mbështetësit e tij brenda dhe jashtë PD-së. Nën sugjestionimin e miti dhe të propagandës berishiste ata imagjinonin një kongres ku Basha do ishte krejt vetëm në një sallë bosh dhe do bëhej aq qesharak saqë do ta braktiste PD-në me bisht ndër shalë. Ideja se ai mund të mbushte sallën e pallatit të kongreseve me demokratë ishte po aq e pakonceptueshme për ta sa ideja se PD-ja mund të ekzistonte përtej Berishës.

Atë që nuk kuptuan berishistët është fakti se shumë nga pjesëmarrësit në kongresin e 18 dhjetorit nuk ishin aty për Bashën dhe as për inat të Berishës, por për PD-në. Duke përdorur një logjikë minimale, që berishizmi e mbyste nën pasionin e urrejtjes ndaj Ramës dhe ‘poliagjentit’ Basha, ata kuptuan se rikthimi i Berishës në krye të PD-së pasi u shpall non grata ishte një akt jo thjesht antiamerikan, por antihistorik dhe antisocial, që fuste PD-në në vijon nga faqja 1 ngërç me vetveten dhe në konflikt me shoqërinë shqiptare.

Goditja e dytë që mori miti Berisha ishte mungesa e mobilizimit të elektoratit të djathtë ku supozohej se kish mbështetje popullore. Si protesta kundër vizitës së Vuçiç në dhjetor edhe protesta e 8 janarit në selinë e PD-së e nxorën Berishën lakuriq. Ato treguan se berishizmi është një pakicë e zhurmshme brenda elektoratit të djathtë. Ndaj është Berisha që ka nevojë për PD-në dhe jo anasjelltas.

Obsesioni për të marrë PD-në nën kontroll, qoftë edhe me dhunë, është tregues i qartë i faktit se pa PD-në Berisha defaktorizohet në skenën tonë politike. Nëse ai vërtet gëzon mbështetjen popullore, siç pretendojnë mbështetësit e tij, atëherë beteja për vulën e PD-së është e pakuptimtë. Vula i duhet Bashës që nuk ka elektorat, por përse i duhet Berishës me gjithë adhurimin mbarëpopullor që gëzon?

Ai mund të krijonte një forcë të re politike dhe ta lërë PD-në e Bashës pa votues. Nëse shumica e demokratëve e mbështesin, atëherë fare mirë mund t’i marrë ata me vete në një forcë të re politike dhe ta lërë Lulin vetëm më vulën dhe simbolin e PD-së. Sidomos, po të kemi parasysh se betejën juridike për marrjen e PD-së e ka të humbur.

Fakti që Berisha nuk e artikulon idenë e një force të re politike tregon se influenca e tij politike nuk buron nga mbështetja që gëzon në elektoratin e djathtë, por nga kontrolli që ka pasur mbi PD-në. Nuk është Berisha që i shton vota PD-së, por PD-ja që i jep vota Berishës. Ky është një fakt që berishizmi gjithnjë e ka fshehur, edhe në bashkëpunim me mediat që gjithë ditën e cilësonin Berishën si liderin historik të PD-së dhe themelues të saj.

E vërteta historike është se ishte PD-ja që e krijoi Berishën dhe jo anasjelltas. PDja ishte me madhe se Berisha, edhe pse ai gjithnjë synonte ta reduktonte në përmasat e tij. Ajo nuk ishte pjellë e Sali Berishës, por produkt i krizës së sistemit komunist dhe i një fryme popullore antikomuniste që Berisha e kalëroi politikisht, por nuk e krijoi. Vetëm pasi e mori nën kontroll dhe eliminoi të gjithë themeluesit e tjerë, Berisha filloi të shfaqej si krijuesi unik, babi që polli PD-në. Njësoj siç veproi Enver Hoxha me Partinë Komuniste.

Ndaj, ashtu sikurse Partia Socialiste u nda nga Enver Hoxha dje për të vazhduar rrugën e saj drejt reformimit dhe pushtetit, edhe Partia Demokratike sot po ndahet nga Sali Berisha jo për të vdekur, por për të mbijetuar. Nëse dje ishte e pamundur për Partinë Socialiste të rikthehej në pushtet me enverizimin në krye, sot ishte po aq e pamundur për PD-në të rikthehej në pushtet me berishizmin në krye.

Ata që e vajtojnë 8 janarin si vdekjen politike të PD-së janë ende nën efektin e mitit Berisha, sipas të cilit PD-ja nuk mund të ekzistojë pa berishizmin. Ende nuk kanë kuptuar që PD-ja kish kohë që kalbej dhe vdiq menjëherë pas humbjes në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit. Jo si pasojë e masakrës elektorale të Ramës, por sepse oferta e saj berishiste (Berisha/Basha – Meta) që u rrëzua në zgjedhjet e 2017 nuk mund të riciklohej në vitin 2021 dhe aq më pak në vitin 2025. Protesta e 8 janarit mund të ishte surprizë për demokratët dhe Bashën, por aspak për elektoratin shqiptar që e prej vitesh e ka refuzuar berishizmin.

Është ironi e madhe të shikosh sot se si opozita, qoftë me Berishën, qoftë me Bashën, pranon se oferta e tyre në 2021 nuk mund të fitonte. Nëse Basha pranon që me dy brinjët e trekëndëshit të Bermudës Berisha-Meta nuk mund të vihej në pushtet, berishistët tashmë deklarojnë se shqiptarët në 25 prill nuk mund të votonin një lider të dobët si Basha.

Shpallja e Berishës non-grata ishte thjesht shkëndija që i vuri flakën kalbëzimit të PD-së që kish kohë që avanconte. Ama, problemet e PD-së nuk i ka shkaktuar Edi Rama, dhe aq më pak SHBA-të dhe ambasdorja Kim. Transformimi i saj në një bunker të mbyllur, pa demokraci, që shërbente për pasurimin e pronarëve të saj edhe nëpërmjet aleancave absurde me hajdut të njohur në skenën politike si LSI, ishte vepër e Berishës që u vazhdua po nën drejtimin e tij nga Basha. Ndaj është habi e madhe të shohësh se po ata intelektualë që kanë dekada që e akuzojnë Berishën se e ka degraduar PD-në në një bunker antidemokratik, sot gjithë fajin për derexhenë ku ndodhet PD-ja ia veshin Ramës dhe ambasadores Kim.

I detyruar nga rrethanat Lulzim Basha, ndonëse me zë të ulët dhe me vonesë, e ka pranuar këtë realitet. Për ironi të fatit, ai sot përballet me berishizmin, fenomenin që e vuri, e mbajti dhe në fund e ricikloi në krye të PD-së. Nëse dje Berisha e vuri dhe e mbajti Bashën kryetar, duke e shpallur mik, sot e ka legjitimuar në krye të PD-së si varrmihësin e berishizmit.

Ama, ishte PD-ja, strukturat dhe anëtarët e saj që e mundën Berishën dhe jo Basha që mbeti në bisht të betejës me doktorin. Ishin individë si Roland Bejko, Fatbardh Kadilli, Mark Marku, Agron Gjekmarkaj, Grida Duma, Enkelejd Alibej, Ervin Salianjaj e shumë të tjerë që u përballën me berishizmin teksa pa komplekse kritikuan dhe vazhdojnë të kritikojnë lidershipin e Bashës. Asnjë prej tyre i vetëm nuk mund ta rrëzonte mitin e Berishës, por të gjithë së bashku po. Ky ishte, në fakt, revolucioni real që prodhoi lëvizja Berisha në PD. Ai tregoi se berishizmi nuk është fytyra e vetme e kësaj partie.

E njëjta PD që rrëzoi sot Berishën mund të rrëzojë nesër edhe Bashën. Fabulat me masakra elektorale apo fajësimi i berishizmit, janë justifikime që vështirë se do t’i vlejnë Bashës nëse humb zgjedhjet e ardhshme lokale. Ndaj, për herë të parë, në PD krijohet mundësia e një rrotacioni dhe gare reale për lidershipin e saj. Për herë të parë, PD-ja ka një kryetar që nuk mund të pretendojë se është më i madh se partia. Dhe ky është një lajm i mirë për PD-në që nuk duhet të humbasë në gjurullditë berishiste.

J.GJ./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Studentët në Beograd sërish në rrugë, ndalen para Prokurorisë së Përgjithshme: Të luftohet për ligjin dhe rendin pa u ndikuar nga politika e korrupsioni

Studentët në Beograd sërish në rrugë, ndalen para Prokurorisë së Përgjithshme: Të luftohet për ligjin dhe rendin pa u ndikuar nga politika e korrupsioni