/ATSH-DPA/ - Greqia planifikon që të nënshkruajë një marrëveshje energjetike me Rusinë, në ndërkohë që Moska do t'i parapaguajë Athinës tre deri pesë miliardë euro në kuadër të projektit për ndërtimin e një pjese të gazsjellësit "Turk Stream" në territorin grek, njoftoi revista gjermane "Der Spiegel".

"Marrëveshja do t'i mundësojë Greqisë që të ballafaqohet me gjendjen e komplikuar në të cilën ra për shkak të zvarritjes së negociatave me BE-në për ristrukturimin e borxhit", tha për revistën një përfaqësues i partisë së majtë radikale greke, SYRIZA.

Rusia do t'ia parapaguajë Greqisë shumën nga të ardhurat nga tranziti i gazit rus në territorin e saj në rrugën drejt Evropës Qendrore.

Ministri grek i Energjetikës, Panajotis Lafazanis, i cili më 30 mars kishte takime me kolegun e tij rus Aleksandar Novak dhe me drejtorin e "Gazprom"-it Aleksei Miler, tha se për javën e ardhshme është parashikuar nënshkrimi i marrëveshjes midis Greqisë dhe Rusisë për ndërtimin e gazsjellësit në territorin grek./