Berlin,Merkel-Ramës: Urime
për reformat, zbatoni Vetting-un

Berlin,Merkel-Ramës: Urime<br />për reformat, zbatoni Vetting-un
BERLIN- "Gjermania mbështet Shqipërinë në përmbushjen e reformave. Janë përmendur 5 prioritete, por Reforma Juridike duhet të vihet në​ zbatim'. Ky ishte mesazhi që Kancelarja Angela Merkel i përcolli kryeministrit Edi Rama me të cilin zhvilloi sot një takim në Berlin.

Duke i uruar festën e Pavarësisë, Shqipërisë, në një konferencë të përbashkët për shtyp, Kancelarja Gjermane ka përgëzuar kryeministrin shqiptar mbi vlerësimin pozitiv që Komisioni Europian dha në progres raportin e fundit që është vendimtar mbi çeljen e negociatave të Shqipërisë. Merkel kërkoi konkretizimin e reformes juridike, të njohur në Shqipëri si Reforma në Drejtësi. 

Kryeministri Rama nga ana e tij ka theksuar se Shqipëria nuk kërkon asgjë të pamerituar nga Bashkimi Europian, por procesi i integrimit të jetë sa më i ndershëm dhe i parashikueshëm.

[gallery]19909[/gallery]
Merkel: Ju uroj gëzuar Pavarësinë. Përgëzime për raportin pozitiv të KE
Deklarata e plotë (në gjermanisht) e Kancelares Angela Merkel: Zonja dhe zotërinj, unë jam e kënaqur që sot mund të përshëndes Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama dhe mund ti them edhe një herë: jeni i mirëpritur. Sot, ne do të flasim për zhvillimet e fundit politike në Shqipëri, gjë që e kemi bërë në vazhdimësi rregullisht. Për mua sot është një nder i madh që këto bisedime ti zhvillojmë në festën kombëtare të Shqipërisë. Prandaj unë do të doja të përgëzoj Kryeministrin dhe të gjithë qytetarët e Shqipërisë dhe të shpreh urimet e mia më të përzemërta për këtë ditë duke i uruar Shqipërisë një zhvillim të suksesshëm.

Që prej ndryshimit të sistemit 26 vjet më parë, Shqipëria është një partner i rëndësishëm dhe aleat në NATO, me të cilin na bashkojnë marrëdhënie miqësore dhe të ngushta dypalëshe. Në ditët e sotme ne duhet të theksojmë, se Shqipëria ka ndryshuar rrënjësisht gjatë viteve të fundit dhe se janë bërë reforma të rëndësishme e të tjera po vazhdojnë të ndërmerren. Komisioni Europian ndjek vazhdimisht zhvillimet politike në Shqipëri dhe ka miratuar gjithashtu progreset e Shqipërisë në progres raportin e fundit. Dua të përgëzoj përzemërsisht Kryeministrin Edi Rama për këto përparime.
Republika Federale e Gjermanisë ka mbështetur Shqipërinë në të gjitha arritjet e shënuara deri më sot, për shembull, duke dërguar përfaqësues në Misionin e BE-së EURALIUS në Shqipëri, gjë e cila ka kontribuar në miratimin e reformës gjyqësore duke e kthyer në ligj.

Sigurisht, qëllimi ynë i përbashkët është të vazhdojmë së bashku në këtë rrugë duke pasur parasysh këto piketa të rëndësishme. Këtu, Komisioni Evropian identifikon pesë prioritete, ku përfshihet zbatimi i vazhdueshëm i reformës gjyqësore. Gjithashtu, përfshihet lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Në këtë kontekst, reformat e përhershme janë në rendin e ditës, gjë të cilën e theksoi dhe Komisioni Evropian. Natyrisht, lidhur edhe me zgjedhjet e ardhshme, Shqipëria do të konsultohet ngushtë me OSBE-në.

Unë besoj se ne mund të themi në përgjithësi se reforma të rëndësishme janë bërë. Duke pasur parasysh dhe konfliktet e brendshme politike mund të themi se nevojitet shumë forcë dhe kurajo për të vazhduar në rrugën e nisur. Ne do të flasim më në detaje rreth asaj se si Gjermania mund të asistojë Shqipërinë që rruga e nisur të vazhdojë të jetë e suksesshme. Ju uroj përzemërsisht mirëseardhjen i dashur Edi Rama!",
u shpreh Merkel. 

Kancelarja duke mbajtur këtë qëndrim mbështetës ndaj Shqipërisë, vë në dyshim deklaratat që bëri pak ditë më parë në Tiranë, Gunter Krishbaun, një deputet i partisë CDU, ku ajo bën pjesë. Sipas deputetit gjerman Shqipëria ka bërë hapa pas dhe se duhet të arrijë 7 pritshmëri para se Gjermania të japë votën e saj PRO rekomandimit pozitiv të Komisionit Evropian për çeljen e negociatave në BE. 

Paketa kushtetuese për reformën në drejtësi, e kërkuar me insistim nga kancelaritë perëndimore, u miratua unanimisht me 140 vota mesnatën e 21 korrikut. Ligji i vettingut cilësohet si pjesa kryesore e kësaj reforme, nga zbatimi i të cilit varet edhe e ardhmja europiane e Shqipërisë. Çelja e negociatave me BE-në është pikërisht në varësi të implementimit të këtij ligji, të cilin e ka pezulluar Gjykata Kushtetuese, pas ankimimit të Partisë Demokratike. 

​Nëse vettingu do të zbatohet në kohë, BE mund të vendosë çeljen e negociatave gjatë muajit dhjetor. Çdo vonesë e këtij ligji, domosdo që do përkthehet në vonesë për kursin europian të Shqipërisë. 



Integrimi, Rama: Procesi të jetë i ndershëm dhe i parashikueshëm
Ndërsa kryeministri Rama në fjalën e tij deklaroi se Shqipëria nuk kërkon asgjë të pamerituar nga Bashkimi Europian, por procesi i integrimit të jetë sa më i ndershëm dhe i parashikueshëm.
 
Përsa i përket ligjit të Vettingut, Rama tha se e mirëkupton kushtin që ka vënë progres raporti, por Shqipëria kërkon nga BE të njëjtin luajitet që i ka shprehur BE.
 
Rama i përmendi Merkelit faktin se lënia e Shqipërisë dhe Ballkanit jashtë BE, rrezikon destalibitetin rajonal.
 
"Në këtë situatë shumë pozitive për rajonin, as miqtë dhe partnerët nuk duhet ta marrin të mirëqenë atë që kemi arritur, pasi në rajonin tonë veprojnë edhe aktorë të tretë, që përpiqen të shfrytëzojnë cdo lëkundje apo vakum që mund të krijohet në marrëdhënien tonë me BE" tha kryeministri shqiptar.
 
Në fund të deklaratës, kreu i qeverisë shqiptare siguroi Merkel do të vazhdojmë t'i dërgojë përpara reformat e ndërmarra nga qeveria, mbi të gjitha Reformën në Drejtësi. 

"Kancelare faleminderit për ftesën në 28 nëntor, Ditën e Festës tonë të Pavarësisë. Në një moment kaq të rëndësishëm për Shqipërinë në këtë moment të rrugëtimit drejt rrugëtimit drejt BE.
 
Shqiptarët janë plotësisht mirënjohës për mbështetjen që keni dhënë për Ballkanin, në procesin e nisur të Berlinit. Unë nuk iu them asgjë të re, pasi kjo situatë premtuese në rajon lidhet me fuqinë e madhe tërheqëse që ka Europa për ne, që ju e keni konstatuar.
 
Por po ashtu duke të nënvizoj, që në këtë situatë shumë pozitive për rajonin, as miqtë dhe partnerët nuk duhet ta marrin të mirëqenë atë që kemi arritur, pasi në rajonin tonë veprojnë edhe aktorë të tretë, që përpiqen të shfrytëzojnë cdo lëkundje apo vakum që mund të krijohet në marrëdhënien tonë me BE.
 
Procesi i integrimit duhet të jetë sa më i ndershëm dhe i parashikueshëm. Shqiptaria dhe shqiptarët nuk kërkojnë asgjë të pamerituar, nuk kemi hyrë në këtë rrugë me imponim, por se na e kanë diktuar etërit themelues 104 vite më parë për tu ndarë nga lindja dhe për t'u bashkua me Perëndimin.
 
Prandaj ne nuk i kemi parë detyrat e shtëpisë si barrë që na e kanë ngarkuar të huajt, por borxh ndaj fëmijëve. Kemi kryer reforma të thella modernizuese, kemi kaluar këtë vit reformën në drejtësi.
 
Statusi na shërbeu si motivim, që konsiderohet kyçe për çeljen e negociatave. Sot ne e kemi në kartën kushtetuese reformën në drejtësi, por vetëm në letër, pasi tani koha për ta zbatuar dhe jemi shumë mirëkuptues për kushtin e KE, që shoqëron rekomandimin për negociatat për të filluar zbatimi i Vetingut.
 
As nuk e vë në diskutim që deri kur të çelen negociatat, progresi në 5 prioritetet duhet të jetë i vazhdueshëm. Shqipëria e meriton nga BE, të njëjtin luajitet që i ka shprehur BE me politikën e jashtme 100% të përputhur me BE dhe të brendshme demokratike.
 
Ju siguroj, që sikur nuk e kemi shpërdoruar besimin që kemi marrë në Berlin në rrugën tonë, do të vazhdojmë t'i dërgojmë përpara reformat në mënyrë që më shpejt se vonë të jemi gati të bëhemi pjesë e BE.


Jam i bindur se po aq sa Shqipëria dhe rajoni kanë nevojë për BE-në po aq BE ka nevojë për Shqipërinë dhe rajonin", tha Rama. 

Pesë prioritetet e vendosura nga BE për Shqipërinë
Pesë prioritetet e vendosura nga BE për Shqipërinë, si "detyra" në rrugën drejt integrimit, janë zbatimi i reformës në drejtësi, bërja e reformës zgjedhore, lufta kundër korrupsionit, reforma në administratën publike dhe respektimi i të drejtave të njeriut e pronës.
  
Pesë prioritetet e BE:
1. Reforma në Drejtësi
2. Reforma Zgjedhore
3. Lufta kundër korrupsionit
4. Reforma ne administratën publike
5. Të drejtat e njeriut dhe prona


 
Pritja me ceremoni e Ramës në Berlin. Takimi me Merkel i njoftuar më herët
Me të prekur tokën gjermane, Kryeministri Edi Rama u prit me ceremoni të veçantë zyrtare në aeroportin e Berlinit. Takimi me Merkel ishte njoftuar me herët nga faqja zyrtare e Merkel, ndersa mediat shqiptare i bënë jehonë që në muajin tetor takimit Rama-Merkel.
“Kancelarja Angela Merkel më 28 nëntor 2016 nga ora 14:00 pret Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama. Në një konferencë të përbashkët, Merkel dhe Rama në fokus do të jenë marrëdhëniet dypalëshe, çështjet rajonale dhe statusin e afrimit të Shqipërisë në BE”, bën të ditur faqja online e kancelares Merkel.

Me kryeministrin Rama ndodhen dhe ministri i Jashtem Ditmir Bushati, ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha si dhe kryetari i grupit te Miqesise, Shqiperi-Gjermani, Taulant Balla.

Një ditë më parë nëpërmjet një video-mesazhi në Facebook, kryeministri Rama theksoi se e ardhmja europiane e Shqipërisë është një amanet që me çdo kusht do të realizohet në sajë të reformave që do të ndërmerren dhe nuk do të pengohet nga zëra pa mandat, referuar deklaratave të deputetit gjerman pak ditë më parë.

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Cilat janë pengesat për arritjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollahut?

Cilat janë pengesat për arritjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollahut?