BERLIN, 10 mars /ATSH-AFP/ - Numri i të rinjve dhe i të diplomuarve gjermanë që lenë vendin e tyre është më i lartë sesa numri i atyre që kthehen, sipas një studimi të publikuar sot.
"Çdo vit, gjatë periudhës 2009-13, nga Gjermania janë larguar mesatarisht 25 000 qytetarë", sipas studimit "Lëvizjan ndërkombëtare, motivimet, kushtet dhe pasojat", kryer nga këshilli i ekspertëve të fondacioneve gjermane për integrimin dhe emigrimin.
"Gjatë kësaj periudhe, në total, numërohen rreth 710 000 gjermanë që kanë lënë vendin e tyre, ndërsa 580 000 të tjerë kanë zgjedhur të rikthehen dhe kjo popullate në zhvendosje është më e re në moshë dhe më e diplomuar sesa mesatarja", shton studimi.
"Për më tepër, analiza e tërësisë së të dhënave nuk jep asnjë shenjë për një largim të zgjatur të personave të kualifikuar nga Gjermani drejt vendeve të huaja", thekson ky studim.
"Janë të shumtë në numër ata persona të kualifikuar që vendosin të kthehen në Gjermani pas një periudhe të caktuar kohore", vazhdon ai.
E renditur si një nga vendet me lindshmërinë më të ulët në botë dhe gjithmonë në rënie që prej 50 vitesh (673 500 lindje në vitin 2012, kundrejt 905 700 në vitin 1990 dhe 1 357 300 në vitin 1964), Gjermania ankohet se është viktimë e mungesës së krahëve të punës duke filluar nga dekada e ardhshme, në ndërkohë që i kushton vëmendje të veçantë fluksit të emigrimit.
Bilanci negativ i njerëzve që dalin është kompensuar disi me bilancin e emigrimit të të huajve shumë të aftë këto vitet e fundit.
"Duke pasur parasysh këto dy flukse, Gjermania ka regjistruar vitin e fundit suficitin emigrues më të rëndësishëm që pas fundit të viteve '90, vlerësuar me 470 000 persona", sipas Zyrës Federale të Statistikave (Destatis).
Në fund të vitit 2014, Gjermania kishte 81,1 milionë banorë, një shifër e lartë për të katërtin vit rresht, pavarësisht numrit të ulët të lindjeve./ /m.l/ a.jor.