Bernd Borchardt: Lajmet e rreme
sfida më e re e lirisë së medias

Bernd Borchardt: Lajmet e rreme<br />sfida më e re e lirisë së medias<br>
Jam i nderuar të flas në Forumin e Zhvillimit të Medias. Presim me padurim të diskutojmë sot me ju për reformën e transmetuesit publik, sfidat për lirinë e medias dhe perspektivat e zhvillimit të vetërregullimit të gazetarëve në Shqipëri. Shtypi i lirë dhe i fortë është një shtyllë kryesore e shoqërive demokratike. Dëshirojmë që ky forum do të kontribuojë në forcimin e lirisë së medias dhe zhvillimin e një sektori solid mediatik, të aftë që të merret me sfidat që gjenden përpara. Ky është viti i tretë që ne organizojmë këtë tryezë të rrumbullakët dhe unë jam i lumtur të shoh se kjo platformë ndërveprimi social po bëhet traditë. 

Liria e medias është tregues i një demokracie të qëndrueshme. Por, megjithatë, nuk ka të drejta pa përgjegjësi. Media është përgjegjëse për respektimin e standardeve, për cilësinë dhe objektivitetin dhe cilësinë e raportimeve të saj. Lajmet e rreme (fake news) janë sfida më e re e lirisë së medias. Ato dëmtojnë besueshmërinë e medias dhe krijojnë shtresa të ndryshme shqyrtimi. Kjo krijon një presion shtesë në punën e gazetarëve. E vetmja përgjigje e mundshme për të është raportimi i bazuar në fakte, verifikimi dhe dallimi i qartë midis raportimeve, opinioneve dhe komenteve. Nëse ky dallim humbet, besimi te media bie – ju humbisni besueshmërinë e publikut. Gazetarët mundet vetëm të dyfishojnë përpjekjet e tyre për kontrollin dhe ballafaqimin e fakteve për të arritur raportim cilësor.

Raportimi kritik është vendimtar për çdo demokraci, por ai duhet ushtruar në mënyrë konstruktive, me argumente të mirëhulumtuara dhe të shmangin sulmet personale. Kritikoni personat me pushtet – kjo është puna juaj – por bëjeni këtë me artikuj të bazuar mirë. E di se shumë persona në këtë sallë kanë qenë shënjestër e artikujve të pabazuar, deklaratave të gabuara dhe sulmeve të pajustifikuara. Këtu futem edhe unë. Shpesh, është shumë e lehtë të zbulosh nëse një histori është e vërtetë. Mjafton një telefonatë ose një kërkim i shpejtë në internet. Kam vënë re, këtu dhe në vende të tjera, se disa gazetarë nuk e bëjnë këtë kur iu duket se kanë një artikull të fortë.
 
Raportimet e pabazuara në fakte mund të përfundojnë në padi për shpifje. Ne të gjithë duhet të jemi të vetëdijshëm se çështjet gjyqësore mund të krijojnë precedentë që mund të ndikojnë negativisht në gjendjen e lirisë së medias, duke çuar në vetëcensurim dhe duke penguar të drejtën e gazetarëve, apo mundësinë dhe gatishmërinë e tyre, për të shkruar në mënyrë kritike. Shpresoj që gjykatësit që merren me çështje të tilla të kenë parasysh balancën sensitive mes mbrojtjes së individit dhe lirisë së domosdoshme të medias kur marrin vendime për këto raste. Ju lutem të keni gjithmonë parasysh se është më e lehtë të mbrosh një gazetar kur ai ose ajo respekton standardet profesionale. Presim me padurim që të diskutojmë me ju sot për mënyrat e promovimit të gazetarisë cilësore.
 
Të pasurit e mekanizmave të efektshëm dhe të besueshëm të vetërregullimit është pengesa më e mirë kundër ndërhyrjeve nga autoritetet. Gazetarët duhet të reflektojnë dhe të sjellin në tryezë zgjidhjet e tyre për çështjet etike që lidhen me këtë. A është realiste që një shoqatë apo organizatë jofitimprurëse e gjithëpushtetshme e mediave të marrë të gjithë barrën? Ne mendojmë se jo. Në vend të kësaj, ne këshillojmë për një qasje policentrike ku, organizatat e medias do të krijojnë një kornizë vetërregulluese të gazetarëve të bashkërenduar mirë.
 
Sa i përket procesit të kërkuar dhe afatgjatë të transformimit të RTSH-së në një transmetues publik të pavarur, të përgjegjshëm dhe të qëndrueshëm, ndihem i inkurajuar nga zhvillimet e fundit. Dëshiroj të lavdëroj drejtuesit e RTSH-së për angazhimin e tyre për të ndjekur reformat në përgjigje ndaj sfidave të moshës digjitale, për Statutin e ri dhe Parimet Editoriale, si dhe përmirësimet në mbulimin e lajmeve, siç e tregojnë sondazhet. Këto reforma janë theksuar si nga BE-ja edhe OSBE-ja dhe unë jam i kënaqur të vë re se ato janë miratuar me sukses. Raporti Përfundimtar i Misionit të OSBE /ODIHR-it për Vëzhgimin e Zgjedhjeve njohu rolin e RTSH-së në zgjedhjet parlamentare të qershorit 2017 dhe lavdëroi vendimin e saj për të mos pranuar asnjë filmim të prodhuar nga partitë. 
 
Sfida kryesore e RTSH mbetet përmirësimi i përmbajtjes programore dhe rimëkëmbja e besimit të plotë të audiencës së saj. Rruga është e gjatë. OSBE-ja do të vijojë të ndihmojë, në partneritet të ngushtë me Bashkimin Evropian dhe Bashkimin Evropian të Transmetimeve (EBU).

Dialogu profesional është i domosdoshëm në gjetjen e zgjidhjeve për realitetet dhe sfidat e reja të mediave. OSBE-në e keni në anën tuaj; ne duam të mbështesim përpjekjet tuaja për të përmirësuar rolin e medias dhe për të siguruar pozitën e saj në demokracinë shqiptare. Faleminderit për vëmendjen tuaj! Shpresoj që forumi i këtij viti të jetë i vlefshëm për ju. Faleminderit!

*Ambasador i OSBE në Shqipëri

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

 

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Kremlini: Putini gati për bisedime për paqe me Ukrainën

Kremlini: Putini gati për bisedime për paqe me Ukrainën