TIRANE- Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim BERZH ka korrigjuar në zbritje në 1.5% pritshmëritë për rritjen e ekonomisë shqiptare për 2014. Në raportin për prespektivën e ekonomive të rajonit, të publikuar dje BERZH vlerëson me pesimizëm se në vitin 2014 ekonomia shqiptare u rrit me vetëm 1.5 për qind, ndërsa në shtator kishte parashikuar një rritje 1.7 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Sipas BERZH, shkaku për rishikimin në ulje janë shifrat zhgënjyese të tremujorit të dytë ku Prodhimi Kombëtar ra sipas INSTAT me 0.37 për qind. Rishikimi i shifrave nga BERZH vjen pas rezultave të publikuara nga Banka Boterore, sipas së cilës ekonomia shqiptare u rrit me 2.1 % gjate vitit 2014. Banka Botërore vlerësoi se ekonomia shqiptare u rrit me 2.1 për qind në vitin 2014. Në raportin e fundit mbi prespektivën e ekonomisë globale, Banka vlerëson se ekonomia shqiptare ka mundur të arrijë objektivin e rritjes pavarësisht përkeqësimit të situatës në Eurozonë dhe në rang global. Madje sipas ekspertëve të saj, ritmet e ekonomisë do të përshpejtohen në 3 për qind këtë vit dhe në 4 për qind vitin e ardhshëm.

Të dy institucionet më autoritare në fushën e ekonomisë, si FMN ashtu Banka Boterore i kanë mbajtur të pandryshuara vlerësimet për ekonominë shqiptare, pavarësisht zhvillimeve të fundit negative në Eurozonë, por jo vetëm. Në rang global, Banka i korrigjoi në ulje vlerësimet për rritjen ekonomike.

Sipas saj këtë vit prodhimi global do rritet me 3 për qind nga 3.4% që ishte vlerësuar në qershor, ndërkohë që parashikimet janë korrigjuar në ulje edhe për vitin e ardhshëm. Sipas raportit, ekonomia globale tashmë po punon vetëm me një motor që është ai i ekonomisë amerikane. Ndërkohë që në rajonet e tjera situata ekonomike është më e zymte. Më e prekura është Eurozona, ku vlerësimi për rritjen ekonomike në 2015 u korrigjua fort në ulje nga 1.8 në 1.1 për qind. Madje raporti paralajmëron se Europa mund të përballet me një periudhë të gjatë inflacioni të ulët dhe rritje të ndrydhur ekonomike.

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 20 janar 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)