Besimtarët katolikë dhe ortodoksë kremtojnë sot të dielën e Larit, që shënon hyrjen në javën e madhe të Pashkëve. Këtë vit, Pashkët katolike përkojnë me ato ortodokse. Në Shkodër, qindra besimtarë katolikë morën pjesë në meshën e shenjtë të drejtuar nga arqipeshkvi Giovanni Peragine, i cili fton besimtarët të ndjekin shembullin e Krishtit.
“Qëndrojmë edhe ne në heshtje në këtë moment. Të mundohemi këtë javë të qëndrojmë në meditimin e Jezusit, për të zbuluar dashurinë e Tij të madhe për secilin prej nesh e për të kremtuar momentin e Ringjalljes ku bëhet takimi ynë me Krishtin”, tha ndër të tjera arqipeshkvi Giovanni Peragine.
Meshën në të dielën e palmave e mbajti në katedralen “Ngjallja e Krishtit” edhe kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Imzot Joani.
“Nëse nuk e përjetojmë këtë jetë nuk do të jemi në gjendje ta bëjmë në jetën që do vijë. Siç thotë edhe Shën Pavli nëse Krishti nuk u ngjall atëherë predikimi dhe besimi ynë është i kotë. Ngallja është themeli i krishterimit”, nënvizoi kryepeshkopi Joan.
Ndërkohë edhe në Lezhe u kremtua Dita e Larit. Dhjetëra besimtarë iu bashkuan ritualit fetar të bekimit në katedralen e Shën Nikollit, ndërsa procesioni u drejtua nga përfaqesuesit e klerit katolik.
Tre, çastet kulmore të kremtimit tё Dielёs sё Larit, janë procesioni i palmave dhe i degëve të ullirit, bekimi i tyre para kremtimit tё meshёs, e më pas, gjatё liturgjisё sё fjalёs, kujtimi i mundimeve të Zotit.
Simbolika e të Dielës së Larit për besimtarët katolikë, përkujton ditën që Jezu Krishti hyri në Jeruzalem dhe shënon fillimin e Pashkës që kulmon të shtunën në mesnatë me Ringjalljen, e më pas me festimet të dielën e 20 Prillit.
Komente

