Vijon beteja mes bashkisë së Tiranës dhe Partisë Demokratike për gjobat në lidhje me protestat, që opozita organizoi nga shkurti deri në qershor. Ditën e sotme PD-ja shpërndau një lajm për mediat ku theksonte se gjobat që u vendosën nga bashkia e Tiranës për katër protesta, Gjykata Administrative i shfuqizoi duke i cilësuar të paligjshme.
"Janë shfuqizuar të gjitha gjobat që Bashkia e Tiranës kishte vendosur për protestat e datës 25 Prill, 2 Maj, 11 Maj dhe 13 Maj. Me vendimin e datës 6 Nëntor 2019, Gjykata Administrative ka konstatuar se Bashkia e Tiranës ka shkelur ligjin duke gjobitur padrejtësisht Partinë Demokratike. Sipas gjykatës, subjekti që organizon tubimin nuk mban përgjegjësi ligjore për veprimet që kryejnë persona të tretë gjatë tubimi. Prandaj dhe në fund të shqyrtimit gjyqësor, ka vendosur të rrëzojë të gjitha gjobat e vendosura nga Bashkia e Tiranës" thotë selia blu.
Ndërkohë që sipas bashkisë së Tiranës, PD-ja është gëzuar se gjobat nuk do i paguajë subjekti politik, por sekretari i përgjithshëm Gazment Bardhi dhe Sahit Dollapi, që ishin organizatorët e protestave. "Partia Demokratike është gëzuar sot se gjobat e vendosura nga gjykata nuk do i paguajë ajo, por Sekretari i Përgjithshëm i saj, Gazmend Bardhi. Sikurse një javë më parë, edhe sot Partia Demokratike shpërndau me shpejtësi lajmin në media se Gjykata Administrative ka shfuqizuar gjobat e Bashkisë së Tiranës në lidhje me protestat e dhunshme të 25 Prillit, 2 Majit, 11 Majit dhe 13 Majit.
Por, në fakt, e vërteta është se Gjykata Administrative ka ligjëruar gjobat e vendosura ndaj PD, por me ndryshimin se ato nuk do i paguajë PD-ja si parti, por organizatorët e protestave, që në këtë rast janë Gazmend Bardhi dhe Sahit Dollapi. Pra, gjykata ka legjitimuar kërkesën e Bashkisë së Tiranës se për protestat e dhunshme, PD ka shkaktuar dëme ndaj qytetit dhe për këtë përfaqësuesit e saj që janë edhe me detyra drejtuese në këtë parti, janë fajtorë e do të duhet të paguajnë gjobat. Në zbatim edhe të vendimit të sotëm të gjykatës, Bashkia e Tiranës do te marre edhe dëmshpërblimin për dëmet e shkaktuara ndaj qytetit në protestat e dhunshme të PD më 11 shkurt, 25 Prill, 2 Maj, 11 Maj dhe 13 Maj" thotë bashkia.