Beteja ligjore, PD i kërkon Gjin
Gjonit rrëzimin e zgjedhjeve 

Beteja ligjore, PD i kërkon Gjin<br />Gjonit rrëzimin e zgjedhjeve 
Fati i zgjedhjeve të 18 Qershorit është në duart e Kolegjit Zgjedhor. Përpos kërcënimeve verbale, formave të mosbindjes civile dhe kushtëzimeve, Partia Demokratike ka vendosur shfrytëzojë edhe një rrugë ligjore për rrëzimin e zgjedhjeve të 18 Qershorit.

Ashtu siç edhe paralajmëroi Shqiptarja.com disa ditë më parë, partia kryesore në opozitë, i ka kërkuar dje Kolegjit Zgjedhor rrëzimin e vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, për pranimin e listave të kandidatëve për deputetë, me argumentin se janë paraqitur pas përfundimit të afatit ligjor. Pas refuzimit për t’u regjistruar në zgjedhje, opozita po demostron kësisoj një tjetër përpjekje për të zhbërë zgjedhjet e 18 Qershorit, duke kërkuar pikërisht rrëzimin e listave të kandidatëve për deputetë.

Lajmi është konfirmuar nga vetë kryetari i opozitës, Lulzim Basha, i cili në ditën e 82 të protestës më turne para Kryeministrisë, tha se Kolegji Zgjedhor do të përballet me kërkesën e Partisë Demokratike. Paralajmërimi i Lulzim Bashës ishte një mesazh i qartë për anëtarin e Kolegjit Zgjedhor, Gjin Gjonin, i cili konsiderohet si pika më e fortë e Partisë Demokratike në gjykatën e zgjedhjeve.

Edhe pse Gjin Gjoni është vetëm një anëtar në Kolegjin Zgjedhor, vota e tij mund të jetë përcaktuese për fatin e zgjedhjeve të 18 Qershorit. Kolegji Zgjedhor mund të hedhë në erë zgjedhjet e 18 Qershorit nëse vendos që të pranojë kërkesën e Partisë Demokratike për rrëzimin e listës së kandidatëve. Një vendimmarrje e tillë do të pamundësonte zhvillimin e zgjedhjeve, duke reflektuar kësisoj kushtin e opozitës për shtyrjen e procesit.

Padia në Kolegjin Zgjedhor   
Vetëm disa orë pas fjalës së Lulzim Bashës në çadrën e protestës, Partia Demokratike, me anë të Partisë Agrare Ambientaliste, ka depozituar një padi në Kolegjin Zgjedhor, për çregjistrimin e listave të kandidatëve për deputetë. Në kërkesë-padi, ky subjekt politik i kërkon gjykatës së zgjedhjeve të gjykojë çështjen me themel dhe të rrëzojë listat e kandidatëve. Në padi thuhet gjithashtu se neni 67 i Kodit Zgjedhor parashikon se listat e kandidatëve duhet të depozitohen në KQZ jo më vonë se 50 ditë para datës së zgjedhjeve. “Me dekretin e Presidentit, data për zhvillimin e zgjedhjeve për Kuvendin është data 18 Qershor. Nga përllogaritjet e afatit të përcaktuar në dispozitën e sipërcituar, data 28 prill korrespondon me afatin 50 ditë nga zhvillimi i zgjedhjeve. Partitë politike kanë depozituar listat shumemërore në datën 29 Prill 2017, në tejkalim të afatit të përcaktuar në nenin 76 të Kodit Zgjedhor. Sa më sipër kërkojmë shfuqizimin e vendimeve të KQZ nr 283, 284, 285, 286, 287, 288 të datës 05.05.2017 dhe 289, 290, 291, 292, 293, 294, 295, 296 dhe 297. Gjykimin e çështjes në themel duke vendosur çregjistrimin e listave shumemërore të kandidatëve për deputetë të partive që kanë depozituar listat në datën 29.04.2017”, thuhet në padinë e opozitës.

Kërcënimi i Bashës
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, u shpreh dje se nëse Kolegji Zgjedhor nuk rrëzon listat e deputetëve, atëherë populli do ta marrë përpara. Basha i kërkoi në mënyrë ultimative gjykatës së zgjedhjeve për të çregjistruar listat e kandidatëve për deputetë, kryesisht të Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim. “Dy rrugë ka, Kolegji Zgjedhor do të ballafaqohet së shpejti me kërkesën për të hedhur poshtë 18 Qershorin dhe listat e paligjshme, duke hedhur poshtë sipas ligjit të Republikës së vjetër do ti japë një shans Republikës së vjetër ta përfundojë misionin e saj ,përmes konsensusit dhe negociatave. Në qoftë se me presione apo zhage Kolegji zgjedhor vendos tu thotë shqiptarëve se 17 plus 31 plus 2 bëjnë 51dhe jo 50, atëherë Kolegji zgjedhor, ligji zgjedhor dhe Kushtetuta e Republikës së vjetër do të merren përpara nga bashkimi i shqiptarëve për Republikën e Re”, tha Basha.

Për zgjedhjet
Lulzim Basha ka deklaruar se zgjedhjet e 18 Qershorit kanë dështuar ligjërisht. Sipas tij, listat e dorëzuara janë të paligjshme, duke shtuar se procesi është në kolaps ligjor. “Procesi i zgjedhjeve të 18 qershorit përveçse dështoi politikisht e moralisht, dështoi edhe ligjërisht. Të gjithë e dinë, të gjithë dini të numëroni deri në 50, në çdo listë, absolutisht çdo listë e dorëzuar në KQZ është e jashtëligjshme, procesi është në kolaps ligjor. Të gjithë dini të numëroni deri në 50. Çdo listë e dorëzuar në KQZ është e paligjshme, procesi është në kolaps ligjor. Edi Rama dhe serumet që e mbajnë në këmbë Made in Albania apo kudo që bëhen apo made in Soros. Ata nuk e thonë një fjalë për skadimin e datës ligjore zyrtare për zgjedhjet. Nuk e thonë, duan ta anashkalojnë dhe shpresojnë që me presione ndaj Kolegjit Zgjedhor do t’i thonë shqiptarëve që, një edhe një nuk bëjnë dy, por bëjnë një. Se 17+31+2 nuk bëjnë 50, por bëjnë 51.

Protesta
Basha u kujtua të ftonte edhe një herë qytetarët në protestën e 13 Majit. “Ndaj data e parë më e rëndësishme në këtë kalendar është data 13 maj, ora 12:00 në mes të Tiranës ku së bashku do të bashkohemi. Kam marrë privatisht dhe publikisht kërkesat dhe konfirmimet e njerëzve të thjeshtë, të papunëve, të të rinjve, të maturantëve, të studentëve, të grave, të të rejave, të profesorëve dhe akademikëve, të sportistëve dhe artistëve, të sipërmarrësve dhe sindikalistëve se të gjithë do të jemi bashkë e do të jemi një me me zë të vetëm. Ditën e shtunë së bashku do të shpallim nga ky shesh falimentimin e republikës së vjetër dhe themelimin e Republikës së Re”, tha Basha.
 
Basha: Çadra e do Vetingun
Lulzim Basha hodhi poshtë dje pretendimin e kryeministrit Edi Rama se çadra është produkt i frikës së opozitës nga Vetinngu. “Rrena tjetër e sforcuar e Edi Ramës, se beteja e tij bëhet për reformën në drejtësi, e merr përgjigjen nga çdo qytetar shqiptar,  i majtë apo i djathtë. Reformën në drejtësi dhe vetingun e do kjo çadër, ky bashkim qytetar. Reformën  e vërtetë në drejtësi largon me të vërtetë prokurorët dhe gjyqtarët e korruptuar që kanë mbrojtur dhe mbrojnë kriminelët në pushtet dhe që kanë mbrojtur dhe mbrojnë, duke mbyllur dosjet e të korruptuarve të Edi Ramës, që i kanë zhvatur  2, 8 miliard euro këtij populli në vetëm katër vite. Ju e dini këtë. Kush e do Reformën në drejtësi, ju qytetarët shqiptarë apo Arben Ndoka? Kush e do  Reformën në drejtësi, Ilir Beqja apo qytetarët shqiptarë? Kush e do  Reformën në drejtësi dhe vetingun e vërtetë, Sajmir Tahiri dhe Habilajt apo ju qytetarët shqiptarë?”, tha Basha.
 
Kreu i PD sulmon ambasadorët
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, akuzoi dje ambasadorët e Perëndimit në Tiranë se nuk kanë raportuar për drogën. “Të gjithë elementët e komplotit ishin përgatitur për këtë skenar. Droga, krimi, korrupsioni, realiteti i përditshëm i shqiptarëve ishte fshirë nga mediat e kapura nga qeveria, ishte fshirë nga raportet e zyrtarëve të korruptuar ndërkombëtar në Tiranë, të cilët nuk raportonin drogën, nuk raportonin kriminelët edhe kur këta gjakosnin qytetarët në dyert e stacioneve të policisë të korruptuar të Edi Ramës dhe që sot janë bashkëfajtor me Edi Ramën dhe nuk dalin dot nga rrethi vicioz ku e kanë futur veten e tyre, sepse kanë mohuar krimin, sepse kanë mohuar drogën dhe janë bërë njësh me Edi Ramën, jo për interesat e Bashkimit Evropian, jo për interesat e aleatëve tanë strategjikë por vetëm për xhepat e tyre të korruptuar”, tha Basha. 

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Kapet një sasi e madhe e armëve të ftohta në Prishtinë

Kapet një sasi e madhe e armëve të ftohta në Prishtinë