Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, ka publikuar pamje nga droni termik gjatë betejës me flakët në Krujë. Mbi 200 zjarrfikës dhe mbi 200 efektivë të Forcave të Armatosura punuan gjatë gjithë natës. Sipas Nufit, nuk ka të lënduar apo banesa të djegura, ndërsa është shkrumbuar vetëm magazina e një biznesi.
“Zjarri në Krujë u dominua plotësisht! Që prej orës 06:00 të mëngjesit, është vendosur plotësisht nën kontroll, falë angazhimit të koordinuar të të gjitha strukturave operacionale. Një pjesë e mbetur në majë të malit po menaxhohet nga ajri me mbështetjen e dy helikopterëve të Forcës Ajrore.
Situata është krejtësisht e qetë dhe fatmirësisht një katastrofë e mundshme u parandalua falë angazhimit në terren të mbi 200 efektivëve zjarrfikës dhe mbi 200 efektivë të Forcave të Armatosura - të cilët kanë punuar pa ndërprerje gjatë gjithë natës në të gjithë perimetrin e zonës së prekur.
Pjesa më e madhe e këtyre forcave tashmë janë rishpërndarë. Vetëm një godinë rezulton e shkrumbuar nga zjarri (magazinë e një biznesi). Fatmirësisht, nuk ka asnjë jetë të cenuar dhe asnjë banesë të djegur.
Falënderim dhe mirënjohje pa kufij për përshkushtimin dhe sakrificën e veçantë të secilit prej efektivëve të forcave operacionale që luftuan në mënyrë të paepur për shuarjen e zjarrit masiv në Malin e Krujës”, shkruan Nufi.
Lajmi kryesor:
Zjarri rrethoi Krujën, shkrumb e hi në oborret e banesave! Banorët: Natë tmerri! Shuhen të gjitha vatrat (PAMJE ME DRON)











