KRUJË- Flakët hynë në oborret e shtëpive, iu afruan magazinave dhe një pike të shpërndarjes së gazit. Për disa orë, Kruja u rrethua nga zjarri, ndërsa qindra banorë lanë shtëpitë mes frikës se flakët mund t'u merrnin gjithçka.

Situata më e vështirë ishte në Barabit dhe Lluban. Zjarri, i favorizuar nga era, avancoi me shpejtësi drejt zonave të banuara. Qindra qytetarë u evakuuannga Kruja, ndërsa pati edhe nga ata që refuzuan të braktisnin shtëpitë. Përballë rrezikut, autoritetet u detyruan t'i nxirrnin me forcë.

Nën kërcënimin e flakëve u vu edhe Spitali i Krujës. Zjarri u afrua deri rreth 50 metra nga godina dhe pacientët u evakuuan gjatë natës, për t'u dërguar drejt Tiranës. Pavarësisht situatës së frikshme, nuk raportohet për persona të lënduar.

Beteja me zjarrin vijoi për orë të tëra. Terreni i vështirë dhe përhapja e shpejtë e flakëve e bënë ndërhyrjen edhe më të komplikuar. Në 5 lagje u ndërpre energjia elektrike, ndërsa strukturat vendore u angazhuan për strehimin e banorëve të evakuuar.

Me zbardhjen e ditës, Kruja mori frymë disi. Gjatë gjithë natës forcat zjarrfikëse dhe FA kanë punuar për shuarjen e zjarrit. Dy vatra mbeten ende aktive, ndërsa dy helikopterë kanë nisur operacionin nga ajri për të vënë plotësisht nën kontroll flakët.

Për zjarrin është arrestuar Qemal Berhami. Sipas policisë, ai kishte ndezur barishte pranë shtëpisë së tij, por flakët dolën jashtë kontrollit dhe u përhapën me shpejtësi, duke vënë në rrezik një pjesë të Krujës.

Lajmi në përditësim....

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 07:48
Mallakastra 6 ditë betejë me zjarret, ende vatra aktive! Digjen masivet pyjore në 4 fshatra

1786254720_zjarrimallakaster.jpeg

Prej 6 ditësh Mallakastra vijon betejën me flakët. Aktualisht raportohet vatra zjarri në këto fshatra, Panhor, Greshic, Drenie, Vlosht, ku po digjen masive pyjore.