Betohet Zeneli, Nishani: Me
rëndësi pavarësia e gjyqësorit

TIRANE- Presidenti i Republikës Bujar Nishani i kërkon gjyqtarëve shqiptarë që të konsolidojnë pavarësinë dhe të kthejnë besimin e qytetarëve si dhe i  bën apel politikës të arrijë konsensus për miratimin e ligjit për Gjykatën e Lartë në Kuvendin e Shqipërisë.

"Kësaj trupe i takon fjala e fundit, ndaj duhet të përçojë tek çdo individ, qoftë ai qytetar i thjeshtë, politikan, gjyqtar, prokuror, apo avokat, garancitë dhe besimin tek pushteti gjyqësor. Gjykata e Lartë duhet të jetë në të gjithë kuptimin tempulli i drejtësisë dhe i besimit tek drejtësia. Kjo mbetet pjesë e pandarë e misionit tuaj të nderuar anëtarë të Gjykatës së Lartë. Gjykata e Lartë në rolin e saj rishikues duhet të garantojë se në asnjë rast nuk duhet të ketë drejtësi të munguar, ndërkohë që i gjithë komuniteti i juristëve, por edhe më gjerë, pret që vendimet për njehsim, apo ndryshime të praktikës gjyqësore, të garantojë zbatimin sa më korrekt të ligjit."- tha Nishani në ceremoninë e betimit të  Artan Zenelit si anëtari më i ri i Gjykatës së Lartë.

 Më tej ai shtoi "Është e një rëndësie të veçantë arritja e një konsensusi mbi ndryshimet e ligjit për Gjykatën e Lartë në Kuvendin e Shqipërisë. Në këtë proces dëshiroj të përgëzoj anëtarët e Gjykatës së Lartë për kontributin konkret që kanë dhënë për projektligjin aktual, për mbylljen sa më shpejt të këtij procesi. Do të jap një shtysë të re angazhimeve që kemi ndërmarrë për reformën në drejtësi. Ka qenë padyshim kënaqësia ime që një ndër ligjet e para që kam dekretuar ishte ai për organizimin dhe funksionimin e Konferencës Gjyqësore Kombëtare dhe në zbatimin e këtij ligji do t’i jap patjetër motivimi atyre gjyqtarëve që besojnë tek sistemi"- tha Nishani.
Në fjalën e saj kryetarja e kësaj gjykate znj. Shpresa Becaj, u shpreh se numri i cështjeve në këtë gjykatë është më i madh se ai i gjyqtarëve, dhe kërkoi ndihmën e presidentit për zgjidhjen e kësaj situate.

Zoti Zeneli u dekretua nga Presidenti i Republikës si anëtar i Gjykatës së Lartë pasi Kuvendi e miratoi me 117 vota pro në korrik 2012. Dekreti i Zenelit u firmos nga Bamir Topi por për disa kohë mbeti në zyrat e Kuvendit pa marrë dritën jeshile. Maxhoranca vendosi ta miratojë këtë kandidaturë vetëm në ditët e fundit të Presidencës së Topit.

Zeneli emërohet në këtë detyrë pas një përvoje të gjatë si gjyqtar karriere në fushën e drejtësisë. Nga qershori 2009, Zeneli mbante detyrën e gjyqtarit pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe që prej korrikut të të njëjtit vit ushtronte dhe detyrën e kryetarit të kësaj gjykate. Më herët ai ka mbajtur detyrën e gjyqtarit edhe në Gjykatën e Krujës.
(jd/shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 13 Janar, 10:25

    Nisi regjistrimi, a do të marrë pjesë masivisht në zgjedhje diaspora?



×

Lajmi i fundit

Marrëveshja Hamas-Izrael, ekip i përbashkët Katar-Egjipt-SHBA për monitorimin e armëpushimit

Marrëveshja Hamas-Izrael, ekip i përbashkët Katar-Egjipt-SHBA për monitorimin e armëpushimit