TIRANE - Aleksandër Biberaj, ish-anëtar i PD-së dhe FRD-së, ka akuzuar "kolltukofagët" e PD-së, që i sollën asaj humbjen, si pengesë për mospërfshirjen e kandidaturës së tij në garën për kreun e PD-së. Ai pohon se ka pasur mijëra mbështetës në këtë vendimarrje. Nëpërmjet një postimi në Fb, Biberaj shkruan: 

"Dëshiroj të falenderoj nga zemra të gjithë ata mijëra anëtarë dhe simpatizantë të PD-së, të cilët më inkurajuan dhe më mbështetën për të kandiduar për kryetar të PD-së.
Natyrisht që ky vendim për mua nuk ishte i lehtë! Mora vendimin e kandidimit, duke pasur parasysh, jo thjesht mërzitjen dhe zhgënjimin e demokratëve pas humbjes së thellë të 23 qershorit, por më tepër nevojën për bashkim me qëllim ngjalljen e shpresës dhe besimit.

Me shpalljen e kandidimit mora të gjithë përgjegjësitë e mia qytetare dhe patriotike përpara demokrateve, shqiptarëve dhe vendit tim. Fatkeqësisht dëshira, vullneti dhe përkushtimi im ndeshën në murin e arrogancës së kolltukofagëve, që i shkaktuan demokratëve humbjen e 23 qershorit. Këta humbës të mëdhenj vazhdojnë akoma ta konsiderojnë PD-në si pronën e tyre me të drejtën e trashëgimnisë mbi të."

Biberaj shpreh shqetësimin se "qёndrimi i metejshem i këtyre kolltukofagëve në krye të PD-së do ta dëmtojё rёndё imazhin dhe tё ardhmen e PD-së. Që nga viti 2008 e kam ngritur disa herë zërin në forumet e PD-së por edhe publikisht duke paralajmëruar për fenomenet negative që po shfaqeshin në qeverisjen e PD-së, por askush nuk mori vesh, dhe ja ku erdhi humbja e 23 qershorit, për të cilën realisht jemi të gjithë të brengosur."

Megjithatë, në përfundim, ai thekson se nuk do ta braktisë politikën: "Pavarësisht vendimit të sotshëm të kryesisë, që humbi zgjedhjet, mosha ime, përvoja, vullneti, idealizmi, ndershmeria dhe përkushtimi, më lejojnë, më inkurajojnë dhe më bëjnë optimist për vazhdimin e karrierës politike në shërbim të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Jam futur në politikë me vullnetin tim të lirë më 8 dhjetor të vitit 1990 në moshen 23 vjeçare dhe jam i sigurtë se do të jem për një kohë të gjatë në politikë për të vazhduar kontributin tim për Shqipërinë."

Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)