PRISHTINË, 25 Nëntor/ATSH/.- Biblioteka Kombëtare e Kosovës festoi sot 70 vjetorin e themelimit të saj, ku në kuadër të këtij evenimenti u cilësua si baza e arsimit, shkencës, kulturës dhe moralit të përgjithshëm.
Biblioteka Kombëtare është shkalla e qytetarisë së njerëzimit, ku për shtatë dekada, kjo bibliotekë e ka ndryshuar Kosovën, u tha nga të pranishmit.
Bedri Zyberaj, drejtor i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, tha se ata të cilët e njohin historinë e gjuhës së shkruar shqipe, e sidomos të librit shqip, e dinë shumë mirë se koha e fillimit të punës së bibliotekave të hapësirës albanofole nuk ka ardhur si një rastësi.
Sipas tij, ishte dashuria e madhe e gjuhës e sidomos për librin shqip.
"Ndryshe nga historitë e shumë bibliotekave të tjera, Historia e Bibliotekës sonë pavarësisht se filloi më 25 nëntor të vitit 1944, në Prizren, nuk e ka pasur rrjedhjen e qetë dhe e shkëputur për zhvillimin normal, që u duhet institucioneve të kësaj natyre dhe të këtij karakteri .Dy vjet pas themelimit, Biblioteka e asaj kohe është bartur në Prishtinë. Me 1953, biblioteka është mbyllur dhe fondet e saj, janë përvetësuar nga Ish biblioteka, Miladinovci, me 1962 biblioteka rithemelohet dhe vendoset në objektin ku sot është galeria e arteve të Kosovës. Në shtator të vitit 1971, biblioteka Kombëtare e Kosovës, e njohur në atë kohë si Biblioteka popullore dhe universitare e Kosovës, e fillon veprimtarinë e vet në objektin ku ndodhemi tani, ku në aspektin anti tektonik, ka konstrukt dhe një stil të veçantë", theksoi Zyberaj
Më tej, ai tha se për shkak të rrethanave historike nëpër të cilat ka kaluar Kosova , Biblioteka Kombëtare e Kosovës, funksionin e saj e ka shtyrë në trysni të shtrëngesave ideologjike .
Ish drejtori i Bibliotekës Kombëtare, njëherësh kryetari i këshillit drejtues, Sali Bashota tha se "pagjumësia ideale e njerëzve të Kosovës ka një lidhje me Bibliotekën Kombëtare, prandaj siç ka thënë ai, portreti i këtij institucioni e ka historinë e vet më të admiruar".
"Biblioteka Kombëtare e Kosovës, për 70 vjet është valëvitur midis suksesit dhe sfidave të shkruara dhe të pashkruara. Jeta e saj, sa ka moshën e një njeriut është qëndresë dhe ekzistencë , dashuri dhe krenari, por edhe vuajtje dhe sakrificë . Në vitet 1990 deri në vitet 1999 përdoruesve të fondit të studenteve iu është ndaluar hyrja në këtë institucion , ndërkaq, në vitit 1998-1999, janë asgjësuar shumë fonde në këtë institucion", u shpreh ai.
Ndërsa, sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Kulturës, Veton Firzi, tha se "Biblioteka Kombëtare i ka dhënë dritë qëllimeve të njerëzimit dhe se ky institucion është pjesë e krenarisë sonë".
Drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, Persida Asllani, tha se këto dy biblioteka do të bashkëpunojnë edhe në të ardhmen.
Në fund u ndan disa mirënjohje për ata që kanë kontribuar për Bibliotekën Kombëtare./KosovaPress/k.s/