Presidentja e Kosovës ka marrë ftesë nga Presidenti amerikan Joe Biden, që të marrë pjesë në Samitin e Dytë për Demokraci. Sipas njoftimin nga presidenca, Osmani do të jetë ndër 10 folësit kryesor të samitit i cili pritet të mbahet më 29 mars.
Përveç fjalimit që do të mbajë krahas krerëve të shteteve të tjera sipas formatit të vitit të kaluar, Presidentja Osmani është përzgjedhur edhe në mesin e dhjetë liderëve që do të jenë folës kryesor në seancën plenare në të cilën do të diskutohet për rolin e demokracisë në krijimin e institucioneve stabël.
Samiti për Demokraci është nismë e Shtëpisë së Bardhë që mëton të nxjerrë në pah suksesin e demokracisë në dobi të qytetarëve si dhe adresimin e sfidave më të vështira botërore.
Më 9 dhjetor 2021, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka përfaqësuar Kosovën në edicionin e parë të Samitit për Demokraci, platformë që ka bashkuar vendet anekënd globit në përpjekjet e tyre për të konsoliduar vlerat demokratike dhe për t’i promovuar e fuqizuar tutje ato.