Biden merret në pyetje rreth dokumenteve të klasifikuara

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, është marrë në pyetje si pjesë e hetimit ndaj tij për mënyrën e trajtimit të dokumenteve të klasifikuara pasi ishte larguar nga posti i zëvendëspresidentit në vitin 2017, njoftoi Shtëpia e Bardhë të hënën vonë.

Presidenti demokrat u mor në pyetje vullnetarisht dhe intervista zgjati mbi dy ditë, duke përfunduar të hënën, tha Ian Sams, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë. Biden u intervistua nga prokurori special, Robert Hur.

Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, Merrick Garland, e emëroi Hurin në janar si prokuror special për ta hetuar ruajtjen e papërshtatshme të dokumenteve të klasifikuara në shtëpinë e Bidenit në Delavere, si dhe në një zyre në Uashington e cila ishte themeluar për Bidenin pas kohës së kaluar si zëvendëspresident nga viti 2009 deri më 2017.

Prokurorë të tillë specialë që emërohen për t’i trajtuar rastet e ndjeshme – në të cilat zakonisht përfshihen figurat politike apo dyshimet për shkelje të rënda nga Qeveria – kanë më shumë pavarësi se hetuesit federalë për të vendosur se a të ngrehin aktakuzë apo jo.

Intervistimi i Bidenit nga Huri lë të kuptohet se hetimi, i cili ka shkuar qetësisht, mund të ketë arritur në fazën përfundimtare. Biden ka thënë se ishte habitur nga gjetja e dokumenteve të klasifikuara dhe se pret që zbulimi i tyre do të cilësohet si i parëndësishëm. Ekipi i tij ka thënë se ka bashkëpunuar me hetuesit.

“Siç kemi thënë nga fillimi, presidenti dhe Shtëpia e Bardhë po bashkëpunojnë me hetuesit, dhe siç është dashur, ne kemi ofruar të dhëna relevante publikisht, duke qenë sa më transparent në përputhje me mbrojtjen dhe ruajtjen e integritetit të hetimit”, tha Sams.

Ndërkohë, për mënyrën e trajtimit të dokumenteve të klasifikuara është duke u hetuar edhe rivali i mundshëm i Bidenit në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024, ish-presidenti republikan Donald Trump.

Ndaj Trumpit është ngritur aktakuzë penale në këtë rast, e cila është vetëm njëra nga katër aktakuzat penale ndaj tij. Trump, i cili i ka mohuar akuzat, do të dalë para gjyqit në maj në rastin e dokumenteve federale./REL

S.S/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se do realizohet vota e diasporës për zgjedhjet e ardhshme?



×

Lajmi i fundit

Aksident në autostradën Durrës-Tiranë, autobusi përplaset me bordurën anësore, mbetet i lënduar 56-vjeçari

Aksident në autostradën Durrës-Tiranë, autobusi përplaset me bordurën anësore, mbetet i lënduar 56-vjeçari