Biden njofton për heqjen e ndalesës për udhëtimet nga shtetet afrikane

Biden njofton për heqjen e ndalesës për udhëtimet nga shtetet afrikane

Presidenti amerikan Joe Biden

Presidenti amerikan, Joe Biden njoftoi të martën se gjatë kësaj jave ai do të heqë ndalesën për udhëtime nga Afrika e Jugut dhe shtetet e tjera në rajon. Kjo ndalesë ishte vendosur për shkak të frikës nga përhapja e variantit Omicron të koronavirusit, që fillimisht u detektua në Afrikën e Jugut në muajin nëntor.

“Kufizimet në udhëtime nuk janë më të nevojshme për të mbrojtur shëndetin publik”, tha Biden, duke shtuar se heqja e ndalesës do të hyjë në fuqi të premten, më 1 janar 2022.

Presidenti Biden tha se këtë vendim e ka marrë duke u bazuar në këshillën e Qendrave të Kontrollit dhe Parandalimit të Sëmundjeve. Ai shtoi se hulumtuesit amerikanë, “në bashkëpunim me shkencëtarët e Afrikës së Jugut, që fillimisht e raportuan këtë variant, kanë bërë përparim thelbësor në kuptimin e variantit Omicron”.

Përderisa Omicroni është shpërndarë në mbi 100 shtete të botës, përfshirë edhe në SHBA, niveli i kërcënimit nga ky variant konsiderohet i ulët krahasuar me frikën që kishin më herët zyrtarët, pasi “ekspertët kanë përcaktuar se njerëzit që janë të vaksinuar kundër COVID-19 janë të mbrojtur nga sëmundja e rëndë”, tha presidenti Biden.

Shtetet në mbarë botën vendosën kufizime ndaj shteteve në jug të Afrikës pasi Afrika e Jugut njoftoi për detektimin e variantit të ri Omicron më 24 nëntor. Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Kombet e Bashkuara kanë qenë kundër ndalesave në udhëtime, ndërkaq zyrtarët në Afrikën e Jugut kanë thënë se me këto ndalesa, ata janë ndëshkuar për faktin se e kanë identifikuar variantin Omicron dhe kanë qenë transparent për një gjetje të tillë. Ndalesa e SHBA-së u aplikua për Afrikën e Jugut, Botsvanën, Zimbabvenë, Namibinë, Lesoton, Esvatinin, Mozambikun dhe Malavin./REL

G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Kë doni ju që të fitojë zgjedhjet në SHBA?



×

Lajmi i fundit

Nesër zgjedhjet në SHBA/ Ish-ambasadori: Duhet ndryshuar rendi botëror! Endri Shabani: Trump thotë 'Amerika e para'! Po kur ka qenë ndonjëherë e dyta?!

Nesër zgjedhjet në SHBA/ Ish-ambasadori: Duhet ndryshuar rendi botëror! Endri Shabani: Trump thotë 'Amerika e para'! Po kur ka qenë ndonjëherë e dyta?!