Shqipëria ka marrë certifikatën që konfirmon arritjen e objektivave europiane për kontrollin e hepatitit B përmes imunizimit. Dokumenti i ETAGE, i mbledhur nga OBSH/Europa, iu dorëzua ministres së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu, nga drejtuesi i ri i Zyrës së Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Shqipëri, dr. Fabio Scano, gjatë takimit të tyre të parë në Tiranë.
Takimi nuk u ndal vetëm te ky vlerësim. Palët diskutuan edhe për çështje që lidhen me forcimin e sistemit shëndetësor, kujdesin shëndetësor parësor, parandalimin e sëmundjeve, shëndetin mendor, reformën spitalore dhe personelin shëndetësor.
Një nga temat kryesore ishte nisja e një projekti të përbashkët mes OBSH-së dhe Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale për shëndetin publik në Ballkanin Perëndimor. Sipas ministres, kjo nismë, e diskutuar edhe në nivelin më të lartë të bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe OBSH-së për Europën, synon të forcojë rolin subrajonal të Shqipërisë në fushën e shëndetit publik.
Në fokus ishte edhe bashkëpunimi për procesin e integrimit europian në fushën e shëndetësisë, me mbështetje teknike nga OBSH-ja për përafrimin e politikave shëndetësore, legjislacionit dhe kuadrit rregullator me standardet e Bashkimit Europian.
Në përfundim të takimit, Spahiu i uroi dr. Fabio Scano suksese në detyrën e re dhe shprehu gatishmërinë për vijimin e bashkëpunimit mes Ministrisë së Shëndetësisë dhe OBSH-së.









Komente
Komento