Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden i ka dërguar një letër urimi Presidentes në detyrë të Kosovës, Vjosa Osmani për 13 vjetorin e pavarësisë. Presidenti Biden shkruan se Kosova zë një vend të veçantë në familjen e tij dhe në respekt të punës dhe kohës që i biri i tij i ndjerë bëri për sigurimin e paqes në Kosovë. Biden shkruan se lidhjet mes dy popujve mbeten të forta, ndërsa shprehet se pret me padurim për të punuar me qeverinë e re dhe sigurimin e njohjes reciproke me Serbinë.
Letra e plotë e presidentit të SHBA-së, Biden
E nderuar Presidente në detyrë,
Populli amerikan i bashkohet urimeve të mija për ju dhe miqtë tanë në Kosovë në 13- vjetorin e pavarësisë së vendit tuaj.
Lidhjet ndërmjet popujve tanë mbeten të forta, bazuar në një përkushtim të përbashkët për zhvillimin e vazhdueshëm të Kosovës si dhe forcën tuaj të qëndrueshme si një vend sovran, i pavarur, multietnik dhe demokratik.
Ne mezi presim që të punojmë me Qeverinë e ardhshme për ta çuar Kosovën përpara në rrugën e saj evropiane. Ka shumë punë për të bërë, përfshirë marrëveshjen gjithëpërfshirëse të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë që në qendër e ka njohjen e ndërsjellë, me të cilën forcohet sundimi i ligjit, përballimi i pandemisë globale COVID-19 dhe nxitja e rritjes ekonomike që mundëson një të ardhme të prosperuar për të gjithë qytetarët e Kosovës,
Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten partner dhe mik i përkushtuar i Kosovës në këto përpjekje. Ndërkaq për mua personalisht, Kosova vazhdon të mbajë një vend të veçantë për familjen Biden, në shenjë respekti të kohës gjatë së cilës djali ynë i ndjerë Beau Biden punoi për ta siguruar paqen, drejtësinë dhe shtetin e së drejtës për të gjithë qytetarët e Kosovës!
Sinqerisht,
Joseph R. Biden
Në 13 vjetorin e pavarësisë së Kosovës liderët e BE kanë dërguar urimet e tyre ku në fokus të të gjitha kërkohet normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë, që për ta është detyrë e qeverisë së re që sapo ka dalë nga zgjedhjet e 14 shkurtit.
Presidentja në detyrë, Vjosa Osmani ka pranuar letër urimi për 13-vjetorin e pavarësisë së Kosovës nga presidenti gjerman Frank- Ëalter Steinmeier, presidenti francez Emmanuel Macron dhe ai italian Sergio Mattarella.
Presidenti gjerman Steinmeier, në telegram ka theksuar progresin e Kosovës në procesin e integrimit evropian.
“Reformat vendimtare dhe të qëndrueshme për forcimin dhe sundimin e ligjit, si dhe normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë, edhe më tej janë qenësore për ta vazhduar këtë rrugë. Rifillimi i dialogut vitin e kaluar me ndërmjetësimin e BE-së, ishte një hap i rëndësishëm”, thuhet në telegramin e presidentit gjerman.
Edhe homologu i tij francez, presidenti Macron, duke uruar popullin e Kosovës për ditën e pavarësisë, ka potencuar rëndësinë e rifillimit të dialogut me Serbinë.
“Unë do të doja të përshëndesja angazhimin e Kosovës në dialogun me Serbinë që nga rifillimi i tij, pas takimit të nivelit të lartë, të cilin kancelarja Merkel dhe unë e mbajtëm më 10 korrik 2020. Unë mbështes plotësisht ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe përfaqësuesit të posaçëm për dialogun, z.Miroslav Lajçak, me synimin për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse përfundimtare dhe ligjërisht të detyrueshme”, thuhet në telegramin e presidentit Macron.
Ndërkaq presidenti italian Mattarella, gjithashtu ka përgëzuar popullin e Kosovës në 13-vjetorin e pavarësisë, duke potencuar mbështetjen për procesin e dialogut me Beogradin.