Rënia e kredive me probleme është rezultat i përpjekjeve intensive të bankave dhe institucioneve publike në vitet e fundit. Ndikimin kryesor, sidomos në një fazë të parë, e dha pastrimi i bilanceve nga kreditë e humbura prej vitesh.
Ndërkohë, për kredimarrësit zhvillimet në nëntor nuk kanë qenë pozitive. Norma mesatare (për të gjitha afatet e maturimit) e huave të reja në lekë u rrit në 6.8%, nga 6.59% që kishte qenë muajin e mëparshëm. Gjithsesi, kredia në lekë vijon të mbetet me kosto të favorshme, teksa interesat kanë rënë ndjeshëm vitet e fundit. Megjithatë, kjo nuk e ka nxitur kreditimin. Me bazë vjetore (nëntor 2017/nëntor 2016), rritja e huasë për ekonominë është minimale vetëm 0.1%, duke shënuar të tretin vit radhazi kur ekonomia nuk po kreditohet, pavarësisht politikës lehtësuese të ndjekur nga Banka e Shqipërisë.
Nga ana tjetër, kthimi nga kursimet në lekë nuk ka qenë i kënaqshëm as në muajin nëntor. Sipas statistikave të publikuara së fundmi nga Banka e Shqipërisë, norma mesatare e depozitave me afat (1-60-mujore) ishte 0.91%, nga 0.93% që kishte qenë në muajin e mëparshëm, duke arritur nivelin më të ulët në katër muaj.
Për depozitat me afat 12-mujor, që kanë qenë më të preferuarat nga kursimtarët, kthimi vjetor ishte 0.74% në nëntor, nga 0.81% muajin e mëparshëm. Duke pasur parasysh se inflacioni vjetor luhatet rreth 2%, kthimi real nga depozitat është negativ. Interesin më të lartë e përfiton nëse mbyll kursimet për një afat 5-vjeçar, me rreth 3.1% në vit.
d.c./shqiptarja.com












