Bie ligji/ Kuvendi u thotë ‘jo’ detektivëve privatë për zbulimin e tradhtive bashkëshortore dhe të fshehtave të tjera, ja arsyeja

TIRANË- Komisioni i Sigurisë Kombëtare dhe Komisioni i Ligjeve kanë rrëzuar sot projektligjin për ngritjen dhe organizimin e shërbimit të detektivit privat në Shqipëri, një shërbim zbulues që po zhvillohet vitet e fundit. Nisma ligjore e propozuar nga deputeti Selami Jenisheri, parashikonte përfshirjen e profesionit të detektivit apo agjentit të fshehtë, si pjesë të ligjit të vitit 2014, për shërbimin privat të sigurisë fizike. Kryetarja e Komisionit të Sigurisë, Ermonela Felaj, duke argumentuar rrëzimin e projektligjit, u shpreh se profesioni i detektivit privat nuk ka asnjë lidhje me shërbimin privat të sigurisë fizike. Deputetja Felaj tha se çështje e spiunëve privatë mund të rregullohet me një ligj të veçantë.

“Qëndrimi nuk ka të bëjë me përmbajtjen se sa me konceptin në vetvete. Akti për shërbimin e detektivit privat nuk ka pikëprerje me shërbimin privat të sigurisë fizike. Aktualisht qenia detektiv privat konsiderohet profesion i lirë dhe një profesion që ushtrohet përmes licencimit, shprehur në një vendim të Këshillit të Ministrave. Gjithmonë në publik ka qenë e hedhur ideja se duhet të ketë një ligj të veçantë për këtë profesion të lirë. Para disa vitesh ishte në fillimet e veta, por sot me sa duket është zgjeruar si profesion. Këtë njerëz kanë një shoqatë të detektivëve privatë si dhe kanë një shkollë për detektivët privatë”, tha Felaj.

Deputetja Elena Xhina tha se detyra e deputetit është për të bërë ligje sa më të mira dhe jo për të kënaqur kënaq dëshirat e grupeve të caktuara të interesit.

“Nuk shohim asnjë përputhje midis objektit që kërkon të rregullojë z. Jenisheri dhe shërbimit të privat të sigurisë fizike. Jam dakord që duhet të ketë një ligj për detektivët privatë, por ama duhet të jetë një ligj i mirëmenduar, ku duhet të punojë një grup i madh pune me ekspertë dhe grupe interesi, si dhe duhet të marrim modelet më të mira të BE. Nuk jemi në ato kushte që ta pranojmë këtë propozim”.

Ndërsa deputeti propozues Selami Jenisheri tha se ky profesion duhet rregulluar me ligj, pasi është evaziv dhe krijon mundësi për abuzime. Ai tha se deputetët nuk i ka penguar askush që të kishin propozuar një ligj të veçantë.

“Shqipëria nuk duhet të jetë vend ku njerëzit ushtrojnë aktivitete që nuk janë në përputhje me një ligj. Të mos lejojmë njerëzit të ushtrojnë aktivitete evazive. Detyra jonë si deputetë është që të çojmë jetën e shqiptarëve përpara", tha Jenisheri. 

Në Shqipëri janë licencuar mbi 50 detektivë privatë. Ata paguhen nga qytetarë të ndryshëm për shërbim zbulues. Provat e tyre përdoren edhe në procese gjyqësore. Tarifa është 30 euro ora, ndërsa sa i takon misionit zbulues, mbizotërojnë tradhtitë bashkëshortore.

B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?