Edhe pse jemi në stinën e vjeshtës, niveli i liqenit të Fierzës ka pësuar rënie të ndjeshme. Reshjet e pakta të shiut nuk kanë sjellë përmirësim të situatës.

Ulja e nivelit të ujit dallohet qartë edhe te këmbët e dy urave mbi lumin Drin, pranë qytetit të Kukësit.

Por ajo që tërheq më shumë vëmendjen janë rrënojat e Kukësit të Vjetër, qytetit që u përmbyt për t'i hapur rrugë ndërtimit të hidrocentralit të Fierzës. Sa herë që niveli i liqenit bie ndjeshëm, pjesë të qytetit të dikurshëm dalin përsëri në sipërfaqe.

Sipas të dhënave nga HEC-i i Fierzës, niveli aktual i liqenit është 259.19 metra. Prodhimi i energjisë elektrike arrin në 195 megavat, ndërsa aktualisht janë në punë 3 nga 4 agregatët e hidrocentralit.