Bien kërkesat për azil nga shqiptarët në BE në dy muajt e parë të vitit

Bien kërkesat për azil nga shqiptarët në BE në dy muajt e parë të vitit

Foto ilustruese

Pas një rritjeje të fortë gjatë dy viteve të fundit, kërkesat për azil nga shtetasit shqiptarë kanë shfaqur shenja ngadalësimi gjatë dy muajve të parë të vitit. Të dhënat e publikuara nga Eurostat bëjnë të ditur se në janar-shkurt u shënuan gjithsej 1,675 kërkesa për azil në një nga vendet e Bashkimit Europian, me një rënie prej 14% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Franca vijon të jetë shteti më i preferuar për azilantët shqiptarë, me 42% të totalit të aplikimeve për janar-shkurt. Praktikat më të forta sociale të këtij shteti vijojnë që të tërheqin shtetas shqiptarë, që shpresojnë për një jetë më të mirë në këtë vend.

Gjermania renditet e dyta, me 23% të totalit, megjithatë një pjesë e madhe e shtetasve shkojnë drejt ekonomisë më të madhe të Europës me viza pune, duke mos u regjistruar si azilantë. Italia, që ishte një nga pritësit më të mëdhenj të emigrantëve në vitet e para të tranzicionit, së bashku me Greqinë, vijon të jetë i preferuar, me 20% të totalit.

Gjeografia e aplikantëve shkon deri në Holandë, Suedi, Zvicër, Spanjë, ndonëse në shifra të ulëta (shiko grafikun: Aplikimet për azil të shtetasve shqiptarë në vendet e BE-së, janar-shkurt 2023). Për vitin 2022, Sipas të dhënave të Eurostat, (që nga viti 2020 i raporton të dhënat për 27 vendet e Bashkimit Europian pa Mbretërinë e Bashkuar), në total kishte 13.2 mijë aplikime për azil në një nga vendet e Bashkimit Europian, niveli më i lartë që nga 2020-a. Në krahasim me një vit më parë, aplikimet për azil u rritën me 16%.

Ndërsa të dhënat e tjera, të publikuara nga Zyra e Statistikave të Emigracionit, Mbretëria e Bashkuar dhe të përpunuara nga “Monitor” tregojnë se numri i aplikimeve për azil gjithsej nga shtetasit shqiptarë në Mbretërinë e Bashkuar ishte 15,925, duke shënuar një nivel rekord për këtë vend. Së bashku me Mbretërinë e Bashkuar, numri total i aplikimeve në Europë arriti në 30 mijë, niveli më i lartë që nga 2006-a.

81,000 kërkesa për azil të paraqitura në vendet e BE-së në shkurt 2023, zbulon EUAA

Rreth 81 mijë kërkesa për azil janë regjistruar në vendet e Bashkimit Europian në shkurt të këtij viti, sipas shifrave të siguruara nga Agjencia e BE-së për Azil (EU Agency for Asylum, EUAA), shkruan Schengen Visa Info. Kjo tregon se një e treta e rritjes është regjistruar në shkurt 2023, krahasuar me shifrat e së njëjtës periudhë të vitit të kaluar, por ende nën statistikat e muajit paraprak, gjatë së cilës periudhë janë regjistruar 92,000 kërkesa për azil në vendet e BE-së.

Sipas të dhënave të EUAA-së, një rritje në numrin e kërkesave për azil është vërejtur nga qytetarët e Turqisë, Kolumbisë, Venezuelës dhe Rusisë. Raporti theksoi se, në muajin e dytë të këtij viti, venezuelianët dhe kolumbianët kanë paraqitur dy herë më shumë aplikime, duke shënuar rritjen më të ndjeshme, që nga viti 2014. I njëjti burim tregon se, në shkurt 2023, qytetarët e vendeve të mëposhtme kanë paraqitur numrin më të madh të kërkesave për azil në vendet Europiane:

Siri – 9500

Afganistan – 9300

Turqi – 5200

Venezuela – 5200

Kolumbi – 5200

Numri i kërkesave të paraqitura për mbrojtje ndërkombëtare, në vendet e BE-së, nga qytetarët e Rusisë, gjithashtu pa një rritje të mprehtë, që nga viti i kaluar pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia. Në të njëjtën kohë, më shumë se katër milionë ukrainas, po përfitojnë nga skema e mbrojtjes së përkohshme. Të dhënat e ofruara nga agjencia zbuluan gjithashtu se, gjithsej 650,000 kërkesa ishin në pritje të një vendimi në shkallë të parë në fund të shkurtit 2023, duke shënuar një rritje prej 43% krahasuar me vitin e kaluar.

Në të njëjtën kohë, në shkurt, rastet e pazgjidhura për shtetasit e Turqisë (42.000) dhe Rusisë (17.000), ishin dyfishuar në krahasim me vitin e kaluar. Shkalla e njohjes në vendet e BE-së në shkurt ishte 41%, sipas EUAA, ndërsa vendet e BE-së u dhanë më shumë statusin e refugjatit qytetarëve nga Afganistani, ndërsa u dhanë më shumë subvencione ndihme sirianëve.

Normat e njohjes për shtetasit e vendeve të tjera mbetën të qëndrueshme, duke marrë gjithashtu parasysh ato për sirianët (95%), iranianët (45%), Pakistanezët (8%) si dhe Bangladeshin (4%). Por, raporti zbuloi se shkalla e njohjes për qytetarët e Turqisë, shënoi një rënie të dukshme, nga 50% në fund të vitit 2021, në 29% në shkurt të këtij viti./Monitor

Eurostat *2019 përfshin dhe Mbretërinë e Bashkuar

Burimi: Eurostat

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë