Kjo e premte ka qenë e zezë sa i përket sigurisë në rrugët e vendit. Në disa akse kryesore, nga veriu në jug, janë regjistruar 5 aksidente me pasoja, ku dy persona kanë humbur jetën dhe 7 të tjerë kanë mbetur të plagosur.

Ngjarja më e rëndë ndodhi në aksin Fushë KrujëMilot, pranë Thumanës kur një automjet Benz, i drejtuar nga 22 vjeçari Radvan Maja nga Borizana u përplas me një Passat që drejtohej nga 73 vjeçari Ndrec Ruçi nga Mirdita.

Për pasojë, të dy shoferët mbetën të plagosur rëndë, ndërsa pasagjerja, Tereza Laska, që udhëtonte në automjetin e të riut humbi jetën. 

Përplasja e fortë e dy makinave të cilat përfunduan jashtë rrugës, la të plagosur edhe një grua e cila ndodhej në biznesin e saj, pranë aksidentit.

Më herët gjatë ditës një tjetër aksident fatal u regjistrua në Kombinat, në Tiranë. 61-vjeçari Ylmi Dedja, që lëvizte me motor, humbi jetën pasi u përplas nga një kamion. Drejtuesi i mjetit u shoqërua në polici, ndërsa i lënduar mbeti edhe një efektiv policie jashtë detyrës.

Në juglindje, në aksin Korçë–Pogradec, pranë Vloçishtit në Maliq, dy automjete u përplasën duke lënë dy persona të plagosur, fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën.

Ndërkohë në Tiranë, pranë “Librit Universitar”, një makinë “Benz” doli nga rruga dhe përfundoi në trotuar. Nuk pati të lënduar, por drejtuesi u ndëshkua me gjobë.

Një tjetër aksident u regjistrua edhe në aksin Lezhë–Milot, ku një kamionçinë u përplas me një motomjet. I plagosur mbeti drejtuesi 24-vjeçar, i cili ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve.

Kjo e premte lë pas një tjetër bilanc shqetësues në rrugët e vendit dhe sjell në vëmendje nevojën për më shumë kujdes nga drejtuesit e mjeteve.