Shqipëria regjistroi sërish një tjetër fillim viti me një shtesë natyrore negative në 2026. Në tremujorin e parë të vitit, sipas të dhënave të Instat-it, numri i vdekjeve ishte më i lartë se sa ai i lindjeve, me një diferencë prej 368 humbje jetësh më shumë.

E njejta situatë ishte verifikuar dhe vitin e kaluar, por me një diferencë akoma më të thellë, prej 883 vdekjesh më shumë se sa lindje.

Në janar – mars të këtij viti, lindjet pësuan një rritje me 1 përqind, krahasuar me 2025, dhe vdekjet ranë me 7.4 përqind, por sërish pa  mundur të përmbysin tendencën negative. Shtesa natyrore negative është rregjistruar në 9 qarqe të vendit, ndërsa lindjet kanë qenë më të larta se vdekjet vetëm në Tiranë, Kukës dhe Durrës.

Sipas të dhënave nga janari deri në mars të këtij viti u regjistruan 5.146 lindje. Rreth 50% e e tyre vetëm në qarkun e Tiranës (2.438), kurse në Gjirokastër u regjistruan më pak lindje me vetëm 59 bebe gjithsej, ose 23 përqind më pak.

Numri i vdekjeve shkoi në 5.514 persona, ku sërish Tirana, si qarku me popullsinë më të madhe, kishte dhe numrin më të lartë (1.422), ndërsa Kukësi me numrin më të ulët (99), ose 20 përqind më pak se e njejta periudhë e vitit të kaluar.

Në raportin e fundit INSTAT jep edhe shifrat finale për gjithë 2025-ën, ku rezultojnë 22.541 foshnje të ardhura në jetë me rënie prej 3.3% krahasuar me 2024-ën, dhe po në rënie me 3.2% ishin edhe humbjet e jetës, afro 21.400 vdekje.

Ekspertët e lidhin këtë situatë me emigracionin e lartë të të rinjve, plakjen e popullsisë dhe uljen e numrit të çifteve që zgjedhin të kenë fëmijë.

Tkurrja e lindjeve, e kombinuar me largimin e forcës së re të punës jashtë vendit, po krijon pasoja të drejtpërdrejta edhe për ekonominë shqiptare. Bizneset po përballen me mungesë të punonjësve, ndërsa mosha mesatare e popullsisë po rritet me ritme të shpejta, duke shtuar presionin mbi tregun e punës dhe sistemin e pensioneve në vitet e ardhshme.

Raportet e institucioneve ndërkombëtare por edhe vendase, e klasifikojnë ‘demografinë’ tek sfidat më të mëdha me të cilat po përballet Shqipëria, dhe sugjerojnë për masa për të fuqizuar kapitalin njerëzor.

SHIFRAT DEMOGRAFIKE
Lindje                       5,146
Vdekje                      5,514
Shtesa natyrore         -368

 

LINDJET NË SHQIPËRI
Janar-Mars 2024      5.428 bebe
Janar-Mars 2025      4.662 bebe
Janar-Mars 2026      5.146 bebe