TIRANË - Niveli i kredive të këqia regjistroi një tjetër ulje të fortë në fund të vitit të kaluar, duke arritur në 17.6% më raport më totalin e portofolit të kredive bankare. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, ky është niveli më i ulët i kredive me probleme që nga korriku i vitit 2011.

Kur kishte një maksimum prej 25.3 përqindësh në këtë drejtim vjet, FMN e kishte listuar Shqipërinëtë katërtën në listën e zezë evropiane, në të cilën kryeson Qipro me 40.2%, e ndjekur nga Greqia me 39.9% dhe në vend të tretë qëndron Irlanda me 30.3%, sa u përket nivelit të kredive të këqia.Vendet ku bankat kanë të paktën 20% të bilanceve të tyre të kredive të klasifikuara si me probleme përfshijnë edhe vende të tjera të rajonit tonë si: Rumania (25.3%), Sllovenia (21.2%) dhe Serbia (20.3%).

Ulja e shkallës së kredive me probleme në nivelin më të ulët në katër vjet e gjysmë është arritur, në një masë të madhe, falë fshirjes ose nxjerrjes jashtë bilancit të kredive të humbura pa shpresë kthimi, një masë kjo, e vendosur nga bankat dhe e miratuar nga banka qendrore. Fakti që që vetëm gjatë muajit dhjetor kreditë me probleme janë ulur me 2.3 pikë përqindjeje vlerësohet se lidhet me pastrimin e mëtejshëm të bilanceve të bankave në fund të vitit, por, edhe me ristrukturimin e kredive në vlera të mëdha.

Kreditë me probleme në total shënuan rënie në nëntor, duke zbritur nën 20% për herë të parë që nga fundi i 2011-s. Por pritshmëritë janë që të ristrukturohet borxhi i 35 kompanive VIP, të cilat mbajnë pjesën më të madhe të detyrimeve ndaj bankave të nivelit të dytë. Kjo do të sillte një reduktim të rrezikut fiskal, që përfaqësojnë kreditë e këqia, rrezik, të cilit i ka mëshuar vazhdimisht në raportet e veta çdo mision i Fondit Monetar Ndërkombëtar që ka vizituar Shqipërinë vitet e fundit.    

Redaksia Online
(E.Ç./shqiptarja.com)