Rama bën bilancin e vitit, kritika dhe porosi për ministrat: Në janar kalojmë anti-KÇK-në! Shpërblim për pensionistët? Vendosim nesër

GOLEM-Kryeministri Edi Rama mblodhi sot për tetë orë kabinetin qeveritar për të analizuar vitin 2019 dhe prioritetet për vitin 2020. Prioritet kryesor padyshim është marrja e masave dhe nisja e rindërtimit sa më shpejt e shtëpive tw shembura nga twrmeti, nisur nga pranvera. Por sesioni i ri parlamentar në janar do të nisë i nxehtë, pasi kreu i qeverisë u shpreh se do të kalojë aktin normativ kundër KÇK-së (lexo ketu çfarë parashikon), që ishte planifikuar për në muajin dhjetor.

Në prononcimin për mediat pas mbledhjes që nisi në orën 09:00 të mëngjesit në Golem dhe përfundoi në orën 17:00 të pasdites, Edi Rama përsëriti 7 prioritetet për vitin 2020, nga shërbimet online, ligji për tokën bujqësore, projektet në energji e infrastrukturë, etj (lexo ketu te plotë 7 prioritetet). I pyetur nëse do të ketë shpërblim për Vitin e Ri për pensionistët, kryeministri dha shpresë kur tha se nesër do të diskutohet në mbledhjen e qeverisë për vendimin final.

Edhe pse në media, Rama u shpreh i kënaqur me punën e ministrave, gazetarja e Rerport Tv Klesiana Omeri raportoi se në mbledhjen maratonë, kryeministri kishte kritika dhe porosi për gjithë kabinetin me fokus te rindërtimi pas tërmetit tragjik. Gjatë mbledhjes Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme ka folur për objektivat e Shqipërisë gjatë kryesimit të OSBE-së në vitin 2020.

Pas përfundimit të pjesë së parë të mbledhjes, ministrat e kabinetit qeveritar u takuan me banorë të prekur nga tërmeti i 26 Nëntorit, të strehuar në disa nga hotelet në zonën e plazhit. Ndërkohë që nesër në orën 09:00, kryesocialisti do të mbledhë kryesinë e PS-së, ku pritet që të zbulohen detaje nga porositë që ka lënë për grupin, ministrat dhe pushtetin lokal. Në fokus pritet që të jetë edhe situata brenda PS-së.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:27
Ka shpresë për shpërblim për pensionistët...Rama: Do e vendosim nesër

Ka shpresë për pensionistët që të marrin shpërblim për festat e fundvitit. Në përfundim të mbledhjes me kabinetin qeveritar, e cila ka zgjatur rreth 8 orë, Rama tha se për këtë çështje do të ketë nesër një mbledhje ku do të merret një vendim. "Nesër kemi mbledhjen e qeverisë dhe do flasim edhe për këtë. Sigurisht që çka na ka ndodhur na ka bëre më të kujdesshëm do thoja, jo të frenuar se ideja ka qenë dhe mbetet që ne të mos cënojmë prioritetet dhe sigurisht që pensionistët nuk janë kurrë një kategori që ne mund ta harrojmë, apo neglizhojmë, por, nga ana tjetër, jemi të kujdesshëm, sepse duam të jemi të sigurtë 100% që do ta përballojmë qoftë edhe vetë rindërtimin dhe për këtë na duhet të presim edhe rezultatet e Konferencës së Donatorëve dhe të gjithë këtij procesi angazhimi të miqve e partnerëve për fondet, në mënyrë që të kemi një qartësi mbi sa do jetë barra e përgjithshme dhe sa do jetë barra jonë në barrën e përgjithshme. Kështu që, për këtë gjë do komunikojmë në vijim, por sigurisht që është një pyetje me vend dhe është një shqetësim që unë e kam shumë të qartë dhe shumë të fortë", tha Rama.

Ora 18:25
A është i kënaqur me ministrat? Flet Rama: Ja cfarë duhet të shohim

I pyetur nëse është i kënaqur me punën e ministrave, kryeministri Rama u shpreh është bërë një punë goxha e madhe, por ajo që duhet përmirësuar është komunikimi dhe informimi për punët e bëra. "Unë besoj që kur sheh punën e bërë dhe kur sheh me orë të tëra shumë gjëra që janë bërë, apo në janë në proces vërtet mendoj që është një punë goxha e madhe dhe ndoshta një nga gjërat që ne do shohim si mund të përmirësohet është komunikimi dhe informimi për këto punë, pasi në një pjesë të tyre me të drejtë ju nuk keni vëmendje, sepse keni gjëra që janë më tërheqëse dhe më të rëndësishme atë ditë për publikun, çdo ditë ka lajmet e veta, çdo ditë ka ngjarjet e veta, çdo ditë ka sensacionet e veta, kështu që, në këtë aspekt nuk mund të fajësoheni, por mbase ne mund të fajësojmë veten për mosgjetjen ende të mënyrave të duhura për të përçuar te publiku informacion mbi shumë gjëra që faktikisht janë bërë dhe bëhen" tha ai.

Ora 18:24
Rama: Në 2020 s'ka më sportele! Dokumentet i garanton vetë shteti

Kryeministri Rama u shpreh sot se një nga objektivat e qeverisë për vitin e ardhshëm është të mos ketë më sportele dhe të gjitha dokumentet online të sigurohen nga vetë shteti për qytetarët sipas problemeve që kanë. "Kemi një tjetër prioritet të rëndësishëm, shërbimet online. Kemi folur, sepse ky është një prioritet që do fillojë të hyjë në proces konkretizimi që në janar me një numër të madh shërbimesh që qytetarët nuk do jenë më të detyruar dhe nuk do e kenë më as të mundur të shkojnë në zyra, apo sportele, por do i bëjnë aplikimet online dhe me të renë që të gjitha dokumentet që qytetarët duhet t’i marrin nga institucionet e ndryshme shtetërore për të marrë një të drejtë, apo një licencë, apo autorizim apo një dokument do i garantojë vetë shteti. Këto shërbime do fillojnë në një masë të konsiderueshme në janar, në qershor vala e dytë dhe në 2020-wn do mbyllim përfundimisht të gjitha sportelet, duke mbyllur përfundimisht kanalet e ryshfetit, kanalet  e radhëve, torturave të njerëzve në pritje të përgjigjeve nëpër sportele.Dhe e fundit, Shengeni Rajonal, që është patjetër një prioritet i rëndësishëm" tha ai.

Ora 18:20
Rama: Në Janar kalojmë anti-KÇK-në! (Lista e prioriteteve për 2020)

Në fillim të Vitit të Ri, në muajin janar qeveria do të kalojë aktin normativ anti-KÇK-së (lexo ketu), që ishte planifikuar për në muajin dhjetor, por u shty pas tragjedisë së tërmetit që goditi vendin. Në përfundim të mbledhjes së gjatë, kryeministri Rama përsëriti 7 prioritetet që janë në objektivin e qeverisë për vitin 2020 (lexo ketu te plotë 7 prioritetet), nga rrugët, te aeroportet, energjia, ligji për tokën bujqësore, por edhe Pakti për Universitetin. Fokusi i veçantë është padyshim rindërtimi pas tërmetit tragjik. Brenda 6 muajve të vitit 2020, tha Rama do të strehojmë me banesë të re ata që kanë pasur banesë individuale dhe u është shembur nga tërmeti.

"Ne kishim mbledhjen e fundvitit dhe siç e dini edhe ju, ne, në fund të çdo sesioni parlamentar, në prag të pushimeve të verës dhe në fund të vitit, në prag Vitit të Ri, bëjmë një përmbledhje të gjatë ku kalojmë në revistë të gjithë aktivitetin e ministrive, të institucioneve, duke u përqendruar nga njëra anë te problematikat dhe nga ana tjetër te prioritetet e periudhës në vijim.

Kemi pasur një pjesë të rëndësishme për rindërtimin. Kemi një plan shumë solid për të nisur procesin e rindërtimit. Objektivi ynë është që brenda pranverës gjithçka të jetë e nisur dhe brenda 6-mujorit të parë një pjesë e madhe e atyre që janë sot në banesat individuale të jenë sistemuar në një shtëpi të re. Ndërkohë që, sigurisht, ata që do të hyjnë në apartamente në lagjet e reja që do ndërtohen, do vazhdojnë të qëndrojnë në sistemin e  qirasë, deri kur të jenë gati për të ardhur në shtëpitë e reja.

Sigurisht kemi diskutuar për ato që ju i keni parë si 7 prioritetet e qeverisjes deri në mbyllje të mandatit. Në fillim të janarit, menjëherë pas Vitit të Ri, ne do kalojmë aktin që u pengua për shkak të Gjendjes së Emergjencës kundër krimit të organizuar dhe KÇK-së dhe njëkohësisht do vijojmë punën me Paktin për Universitetin. Ka nisur procedura dhe në pranverë do jemi në kantier për kampusin e madh universitar të Tiranës që do përfshijë ish-Qytetin Studenti, Akademinë e re të Sigurisë dhe Akademinë e Arteve.

Në rastin e Akademisë së Sigurisë do ketë një rindërtim të rëndësishëm ku do përfshihet edhe laboratori shkencor, që do të jetë një risi e rëndësishme për punën e Policisë së Shtetit, por edhe për vetë Akademinë, ndërsa në kompleksin ekzistues të Akademisë së Arteve do rindërtojmë nga e para gjithë pjesën e ndërtuar pas periudhës italiane.

Sa i përket energjisë dhe infrastrukturës, kemi nisur procedurën për Aeroportin e Vlorës. Shumë shpejt do shpallet procedura për Parkun e  madh të Fotovoltaike në zonën e Divjakës. Shumë shpejt do shpallet procedura për rrugën e re që do ndërtohet tërësisht nga e para, Thumanë-Kashar-Rrogozhinë, pra, një segment, Thumanë-Rrogozhinë. Po ashtu, po punohet dhe shpejt do shpallet procedura për tunelin e Llogarasë, që është një tjetër vepër e rëndësishme publike, pastaj një sërë veprash të tjera, Shëngjin-Velipoja, e të tjera vepra goxha të rëndësishme.

Për procesin e legalizimeve, shpejt kalojmë në Parlament Ligjin e ri për Tokën dhe do i japim zgjidhje përfundimtare pronësisë mbi tokën të të gjithë atyre zonave ku nuk ka funksionuar 7501-shi dhe nuk ka konflikte pronësie e kanë njohur reciprokisht kufijtë e vjetër, sepse jemi ndeshur vazhdimisht, qoftë në fushata, qoftë në kontakte me njerëzit dhe prej 30 vitesh nuk i është dhënë zgjidhje përfundimtare. Do i japim zgjidhje përfundimtare kësaj çështjeje dhe njëkohësisht edhe regjistrimit të tokës bujqësore në përgjithësi mbi bazën e 7501-shit, duke respektuar rekomandimet e KiE" tha ai.

Ora 17:10
Tetë orë për bilancin, mbyllet mbledhja e qeverisë në Golem

Në orën 17:00 ka përfunduar në Golem mbledhja e qeverisë që nisi në orën 09:00 të mëngjesit të sotëm. Në përfundim të mbledhjes ministrat janë larguar nga ambienti ku është bërë takimi, ndërsa pritet që kryeministri Rama të japë më shumë detaje në një prononcim për mediat. Nesër do të mblidhet Kryesia e PS-së në orën 09:00.

Ora 16:07
Mbledhja në Golem! Rama kritika për ministrat, zbulohen porositë


Qeveria në drejtimin e kryeministrit Edi Rama vijon mbledhjen në Golem pas pushimit të shkurtër. Gazetarja e Report Tv, Klesiana Omeri raporton se kreu i qeverisë ka pasur kritika për të gjithë kabinetin, ndërsa ka kërkuar më shumë angazhim nga ministrat dhe kryetarët e bashkive për përballimin e pasojave të tërmetit. Nesër do të mblidhet Kryesia e PS-së në orën 09:00 ku pritet që të zbulohen në mënyrë të detajuar porositë për grupin dhe pushtetin lokal.

Ora 14:10
Klosi i thotë të kërkojë nga bashkia bonusin e qirasë, përgjigjja epike e Ardi Daullxhiut: Po s’na e var kush more vëlla (VIDEO)

Rama bashkë me ministrat drekën e sotme e ka konsumuar në një kompleks në Durrës ku janë strehuar dhjetra familje të prekura nga tërmeti i 26-nentorit. Ndërkohë kamera ka kapur edhe një moment epik ku ministri i Turizmit, Blendi Klosi takohet me Ardi Daullxhiun i cili u bë i njohur nga një emision televiziv si 'i mjeri më i famshëm në Shqipëri'

Ndër banorët që i është prishur shtëpia është vetë Ardi. Teksa ministri, Blendi Klosi i thotë se “hotelet do bëhen gati për sezonin turistik kështu që avash avash duhet të lëvizin prej andej të gjeni një sistemim tjetër”. Ardi i kthehet me një përgjigje që nuk pritej.

Klosi e orienton Daullxhiun se duhet të shkojë në bashki dhe të kërkojë kredi ose qira.

1577106708_ardi.jpg

Daullxhiu: Ashtu jam në rregull unë

Blendi Klosi: Po duhet të drjetoheni tek Bashkia dhe të përfitoni nga bonusi i qiras.

Daullxhiu: “Po s’na e var kush more vlla. Ku të shkojmë, s’na e var njeri ne”, shprehet ai.

Ora 13:27
Pas mbledhjes së qeverisë, ministrat në një tryezë me të prekurit nga tërmeti (VIDEO)

Pas përfundimit të pjesës së parë të mbledhjes së qeverisë e cila nisi prej orës 09:00 në Golem, ministrat e kabintetit qeveritar janë takuar me banorë të prekur nga tërmeti i 26 Nëntorit, të strehuar në disa nga hotelet në zonën e plazhit.

Ora 08:40
Mbledhja e qeverisë/ Rama mbërrin në Golem (VIDEO)

Kryeministri Edi Rama ka mbërritur në Golem, ku do të mbledhë qeverinë për të bërë bilancin e 6 mujave të fundit të vitit 2019, si dhe për të diskutuar për pasojat e tërmetit të 26 Nëntorit.

B.K./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • redi: 23/12/2019 20:58

    Prioriteti kryesor eshte rindertimi i shtepiave per te demtuarit nga termeti.Per infrastrukturen mbaro hekurudhen Durres -Tirane -Rinas se aksi Thumane -Rogozhine prwt akpna.Aeroportin e Vores ta bej shteti dhe jo modeli PPP ku shtetit do ti kthehet kur te lejme shqiptaret kockat.Modeli PPP eshte gangrena me madhe e qeverise ku shqiptaret do te duhen per nje kohe te gjate te lajne kompanite qe do kenaqen me superfitime si Rinasi Sot Shqiperia eshte shteti me ekonomine qe eksperimentohet nga sharlatan ekonomiste qe tallen me shqiptaret.E vetmja pube e shkekqyer mbetet Rilindja urbane dhe rurale .Zoti Rama veyem kete nuk i shpjegoi shqiptareve kush e drejtoi ne modelin e PPP qe ka risk te sigurte per kolaps ekonomik ,nese kalon 5% te GDP

    Përgjigju
  • sheep: 23/12/2019 17:53

    jan shembur te gjitha institucionet qe ky mbledh qeverin me parat nga taksat e mia duke ber qoka hoteleve, o shtet shkerdhat

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Fushë Arrëz/ Reshjet e dëborës vështirësojnë qarkullimin në Iballë, borëpastrueset në terren

Fushë Arrëz/ Reshjet e dëborës vështirësojnë qarkullimin në Iballë, borëpastrueset në terren