Franca pret kundërshtaren e finales së Moskës që do të dalë nga çifti Kroaci-Angli. Çdo gjë është gati për gjysmëfinalen e dytë që do të luhet në mbrëmje më Moskë ku kroatët dhe anglezët do të kërkojnë një biletë për në finale.
Pritet një duel spektakolar dhe i ashpër ku ballkanasit kaluan me vështirësi pas penalltive Danimarkën dhe Rusinë, ndërsa Anglia eliminoi Kolumbinë me penallti dhe Suedinë në çerekfinale. Të dyja skuadrat do të përballen për herë të tetë në historinë e tyre dhe precedentët flasin për Anglinë me 4 fitore, dy suksese kanë arritur kroatët dhe një ndeshje ka përfunduar në barazim.
Por në një kompeticion madhor ka vetëm një duel në Euro 2004, ku Anglia e mundi Kroacinë 4-2. Ballkanasit janë për herë të dytë në një gjysmëfinale të Kupës së Botës dhe duan të bëjnë historinë ndërsa sa i përket formacionit Daliç pritet të hedhë në fushë Subasiç në portë, në mbrojtje Striniç e Vida nga krahët dhe Lovren e Corluka në qendër.
Rakitiç dhe Brozoviç në mesfushë si një digë përpara mbrojtjes ndërsa Modriç, Perisiç e Rebiç në mbështetje të sulmuesit të deklaruar Mario Mandzukiç. Kroacia nuk kërkon të trajtohet si një “hirushe”, por si një skuadër që e meriton të jetë mes katër më të mirave. Trajneri Zlatko Daliç sqaron:
“Nuk mendoj se i kemi kaluar pritshmëritë pasi lojtarët tanë luajnë në klubet më të mira. Vitet e fundit nuk kemi arritur shumë rezultate krahasuar me potencialin që kemi, por nuk mendoj se është surprizë që jemi këtu. Tashmë nuk duam ta shpërdorojmë këtë mundësi unike për të hyrë në histori”, e mbyll Daliç.
Anglia një herë fituese e Kupës së Botës në 1966 luan gjysmëfinalen e tretë në histori dhe për Gareth Southgate nuk ka dyshime sa i përket formacionit. Pickford në portë dhe treshen e mbrojtjes të përbërë nga Walker, Stones dhe Maguire. Nga krahët Trippier e Young dhe në qendër të mesit të fushës Henderson, Dele Alli e Lingard ndërsa në sulm Harry Kane dhe Sterling.
“Futbolli po kthehet në shtëpi “kjo është kënga që ka filluar të këndohet sërish në ishull dhe Southgate analizon: “Është një këngë që prej 20 vitesh nuk kam pasur kurajo ta dëgjoj por tashmë jemi një hap larg një arritje historike me një skuadër të re por që ende nuk e dimë se ku mund të arrijmë. Ndaj Kroacisë do e kemi shumë të vështirë”, e mbyll numri një i pankinës së “Tre luanëve”. Arbitër i ndeshjes do jetë turku Cakir.
Komento