Ish-presidenti i SHBA-ve, Bill Clinton dhe bashkëshortja e tij Hillary Clinton, ish-Sekretare e Shtetit, kanë rënë dakord të dëshmojnë në hetimin e Kongresit lidhur me Jeffrey Epstein, pedofilin famëkeq, shkruan BBC.

Kjo vjen vetëm disa ditë përpara votimi për të vendosur nëse çifti do të mbajë përgjegjësi penale për shpërfillje të Kongresit, për shkak të refuzimit për t’u paraqitur para Komitetit të Mbikëqyrjes së Dhomës së Përfaqësuesve pas një përplasjeje që zgjati disa muaj.

Të dy i kishin kundërshtuar thirrjet ligjore për muaj të tërë, pasi Komiteti i Mbikëqyrjes lëshoi thirrjet për dëshminë e tyre në muajin gusht, kur hapi një hetim mbi Epsteinin dhe bashkëpunëtorët e tij. Avokatët e tyre tentuan të argumentonin kundër vlefshmërisë së thirrjes ligjore.

Bill Clinton kishte njohje me Epsteinin, i cili vdiq në burg në vitin 2019, por ka mohuar se kishte dijeni për krimet e tij seksuale dhe thotë se i ndërpreu kontaktet me të dy dekada më parë.

Nuk është ende e qartë se kur do të zhvillohen dëshmitë, por kjo do të jetë hera e parë që një ish-president amerikan dëshmon para një komisioni të Kongresit që nga viti 1983, pas Gerald Ford.

Komiteti i Mbikëqyrjes, i udhëhequr nga republikanët, miratoi në fund të muajit të kaluar masën për çiftin Clinton, me mbështetjen edhe të disa demokratëve.

Të hënën në mbrëmje, zëvendësshefi i stafit të Bill Clinton, Angel Ureña, konfirmoi në platformën X se çifti do të paraqitet para komitetit.

“Ata negociuan në mirëbesim”, shkroi Ureña në një postim drejtuar Komitetit të Mbikëqyrjes së Dhomës. “Ju jo. Ata ju thanë nën betim atë që dinë, por ju nuk interesoheni. Megjithatë, ish-presidenti dhe ish-Sekretarja e Shtetit do të jenë aty. Ata mezi presin të vendosin një precedent që të vlejë për të gjithë.”

Të dy thonë se më parë i kanë dorëzuar komitetit deklarata dhe se tashmë kanë dhënë “informacionin e kufizuar” që kishin mbi Epstein-in.

Çifti e kishte quajtur apelin “asgjë më shumë se një manovër për të turpëruar rivalët politikë, siç ka urdhëruar presidenti Trump.”

Bill Clinton nuk është akuzuar kurrë për ndonjë vepër penale nga viktimat e abuzimeve të Epsteinit dhe ka mohuar se kishte dijeni për krimet e tij seksuale.

Regjistrat e avionit privat të Epstein-it tregojnë se Clinton ka kryer katër fluturime ndërkombëtare në vitet 2002 dhe 2003.

Ish-presidenti shfaqet gjithashtu në pronën e financierit të ndjerë në disa fotografi që ishin pjesë e një grupi dokumentesh të publikuara nga Departamenti i Drejtësisë, në përputhje me një ligj të miratuar nga Kongresi që detyron zbulimin e të gjitha materialeve hetimore që lidhen me pedofilin e dënuar.

Një foto tregon ish-presidentin duke notuar në një pishinë, ndërsa një tjetër e tregon të shtrirë me duart pas kokës në atë që duket të jetë një xhakuzi.

Ureña, zëdhënës i Clinton-it, deklaroi në atë kohë, kur fotot u publikuan në dhjetor, se ato ishin shumë të vjetra dhe se Clinton kishte ndërprerë lidhjet me Epsteinin përpara se krimet e tij të bëheshin publike.

Çifti Clinton i dërgoi muajin e kaluar një letër kryetarit të Komitetit të Mbikëqyrjes së Dhomës, James Comer, duke kritikuar mënyrën se si ai e ka menaxhuar hetimin për Epsteinin, por ai e kundërshtoi duke thënë se apeli ndaj tyre ishte miratuar me votë dypartiake dhe deklaroi se “askush nuk është mbi ligjin”.