Korçë- Edhe pse bimët medicinale shqiptare vijojnë të kërkohen në tregjet ndërkombëtare, fermerët marrin fitime të ulëta.

Zhvlerësimi i euros, kostoja në rritje dhe mungesa e fuqisë punëtore po ndikojnë drejtpërdrejt ne të ardhurat e tyre.

Këto shqetësime u ngritën gjatë një takimi të zhvilluar në fshatin Shëngjergj të Korçës, ku fermerë, grumbullues dhe eksportues diskutuan mbi situatën aktuale të sektorit.

Përfaqësuesit e industrisë theksuan se prodhimi i këtij viti ka tregun e garantuar ç’ka konsiderohet një lajm pozitiv për kultivuesit e bimëve medicinale.

Zhvlerësimi i euros ka ulur ndjeshëm të ardhurat nga shitjet jashtë vendit, ndërsa subvencionet aktuale nuk arrijnë të kompensojnë humbjet. Problemi i kursit të këmbimit është ngritur prej vitesh nga eksportuesit e bimëve medicinale, të cilët paralajmërojnë se ndikimi ndihet kryesisht në zonat rurale, tha Filip Gjoka kryetar i shoqatës së Bimëve Mjekësore dhe Aromatike.

Qarku i Korçës mbetet një nga zonat më të rëndësishme të vendit për kultivimin dhe grumbullimin e bimëve medicinale. Në rreth 200 hektarë tokë kultivohen bimë si ciani, qumështori, mullaga dhe kalendula, ndërsa kërkesa nga tregjet europiane vijon të mbetet e lartë.