Dy persona janë arrestuar dhe 23 të tjerë janë vënë nën hetim, mes tyre 15 të mitur, pas akteve të dhunës gjatë protestës së djeshme (15 tetor) në Korçë. Sipas Policisë, dhjetëra protestues, disa prej tyre të maskuar, sulmuan me gurë, pllaka guri dhe sende metalike efektivët e rendit dhe institucionet shtetërore. Në pranga kanë rënë Frenki Leskaj dhe Orgito Karabaca.

Nga sulmet u dëmtuan godinat e Bashkisë së Korçës, Drejtorisë Arsimore, universitetit “Fan S. Noli” dhe gjimnazit “Raqi Qirinxhi”, si dhe një pjesë e infrastrukturës publike.

Njoftimi i plotë

Korçë/Kundërshtuan punonjësit e Policisë, shkatërruan me sende të forta dhe me zjarr, godinat e institucioneve shtetërore dhe prona publike, gjatë tubimit të djeshëm, arrestohen në flagrancë 2 shtetas, procedohen penalisht 23 të tjerë.   

Gjatë tubimit të zhvilluar dje, në qytetin e Korçës, dhjetëra pjesëmarrës, disa prej tyre të maskuar, kanë ushtruar akte dhune, duke hedhur gurë, pllaka guri dhe sende të forta metalike drejt institucioneve shtetërore dhe pronave publike.     

Si pasojë e këtyre veprimeve të kundërligjshme, janë dëmtuar godinat e bashkisë Korçë, Drejtorisë Arsimore, universitetit "Fan. S. Noli" dhe gjimnazit "Raqi Qirinxhi", si dhe kangjellat e trotuareve, tabelat e reklamave dhe sinjalistika rrugore.         

Gjatë gjithë tubimit, punonjësit e Policisë të planëzuar me shërbim janë përballur me akte dhune dhe kundërshtimi, përmes hedhjes së gurëve dhe sendeve të forta nga grupe pjesëmarrësish të maskuar.   

Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera në drejtimin e Prokurorisë së Korçës, u arrestuan në flagrancë shtetasit F. L., 21 vjeç, banues në Voskop dhe O. K., 19 vjeç, banues në Bilisht, si dhe u proceduan penalisht 23 shtetas (15 prej tyre të mitur).   

Grupi hetimor, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijon punën për dokumentimin e plotë ligjor të veprimeve të kundërligjshme të kryera gjatë tubimit të datës 15.10.2026 dhe për identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë në akte dhune ndaj punonjësve të Policisë, institucioneve shtetërore dhe subjekteve private, gjatë kësaj date. 

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme.


Lajmi kryesor:

12 orë dhunë e shkatërrim në Tiranë, 180 protestues të shoqëruar! Në Korçë 2 të arrestuar dhe 23 nën hetim, mes tyre 15 të mitur