Edhe pse ishte udhëheqësi kryesor i Shqipërisë komuniste për 40 vite me radhë, duke e qeverisur me dorë të hekurt vendin e tij nga 1945-sa, deri kur vdiq në 11 prillin e ’85-ës, por edhe pas vdekjes së tij e, deri në shembjen e regjimit komunist në fillimin e vitit 1991, nuk u botua kurrë një biografi zyrtare e plotë për Enver Hoxhën, ndonëse vetë ai la të shkruar një seri veprash me rreth 80 vëllime. Madje as pas viteve ’90-të e deri më sot, nuk është botuar ende një biografi për ish-diktatorin komunist Enver Hoxha, e cila të jetë e bazuar mbi dokumente arkivore që të hedhin dritë mbi origjinën e hershme të familjes, me pemën gjenealogjike të saj, si dhe një jetëshkrim të tij, nga dita që lindi e, deri kur vdiq…! Kjo me sa duket, edhe për faktin se gjatë gjithë jetës së tij, ka pasur shumë dritë hije, madje shumë njolla të errtë, të cilat bënë që ai vetë të mos jepte kurrë miratimin për botimin e një biografie të tij në një libër të veçantë, edhe pse ato biografi kanë ekzistuar në të vërtetë. Madje tre të tilla dhe me autorë të ndryshëm, të cilat gjenden edhe sot në fondin personal të Enver Hoxhës, në Arkivin Qendror të Shtetit në Tiranë.

Biografia e parë zyrtare e Enver Hoxhës, u bë publike në vitin 1946, në kuadrin e “popullarizimit” të figurës së tij, si “udhëheqësi kryesor dhe sekretar i parë i Partisë Komuniste të Shqipërisë, komandant i përgjithshëm i Ushtrisë Nacional-çlirimtare me gradën gjeneral-kolonel, kryetar i kryesisë së Frontit Demokratik të Shqipërisë, kryeministër i qeverisë shqiptare, ministër i Mbrojtjes Popullore dhe ministër i Punëve të Jashtme”. Siç shihet dhe në faksimilet përkatëse bashkangjitur këtij shkrimi, kjo biografi e cila është një libërth i vogël me 58 faqe, botuar në Shtypshkronjën “Rinia” (ish-shtypshkronja “Gutenberg”) në fletën e parë (pas kopertinës ngjyrë vishnje të errët dhe fotos së Enver Hoxhës me uniformën ushtarake të gjeneralit e medaljet në gjoks), ka të shkruar me gërma kapitale: “ENVER HOXHA, NJË BIOGRAFI E SHKURTËR”. Ajo biografi e parë zyrtare e Enver Hoxhës, u përgatit për botim nga punonjësit sektorit të Agjit-Propit (Agjitacion e Propagandës) pranë aparatit të Komitetit Qendror të PPSH-së, por në të vërtetë hartuesi dhe autori i saj, ishte kapiteni i parë, Ndreçi Plasari, emri i të cilit nuk figuron në librin në fjalë, por gjendet i shkruar me shkrimin e tij në fletën e parë të materialit të daktilografuar që u dërgua për shtyp.

Libri, apo më saktë broshura “ENVER HOXHA, NJË BIOGRAFI E SHKURTËR”, fillon me një përshkrim të qytetit të Gjirokastrës ku lindi Enveri më 16 tetor 1908 dhe vazhdon me disa paragrafë mbi historinë e familjes Hoxha, (gjë e cila zë vetëm dy faqet e para), ndërsa e gjithë pjesa tjetër i kushtohet rolit të tij (Enverit) gjatë periudhës së “Luftës Antifashiste Nacional-çlirimtare” me disa nga ngjarjet kryesore të saj, (themelimi i PKSH-së, Konferenca e Pezës, Mbledhja e Labinotit dhe krijimi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare më 10 korrik 1943, Marrëveshja e Mukjes, Kongresi i Përmetit etj.), duke përfunduar me 11 janar 1946, me ngjarjen e shpalljes së Republikës. As sot nuk dihet me saktësi, se përse ajo broshurë me biografinë e parë zyrtare të Enver Hoxhës (ku mungon pothuajse fare një jetëshkrim i tij për periudhën e Monarkisë së Zogut), e cila e gloriofikon figurën dhe rolin e tij, (apo familjes Hoxha), që nga periudha e fëmijërisë, e deri në atë kohë që u botua, u hoq menjëherë nga qarkullimi, (thuhet pas dy-tre muajsh) dhe nuk u përdor kurrë më as për referenca, në libra, albume, apo dhe vepra të tjera kushtuar figurës së tij.

Sepse që nga ajo kohë e më pas, Enver Hoxha filloi eliminimin e bashkëpunëtorëve të ngushtë të tij, (anëtarë të Byrosë Politike, ministra, deputetë, etj.), duke i burgosur, internuar apo ekzekutuar dhe libri në fjalë më biografinë e tij, nuk mund të qarkullonte më me emrat e “armiqve të popullit”. Biografia e dytë për Enver Hoxhën, u shkrua në vitin 1950 (15.VI.1950) dhe ajo ka për autor Misto Treskën, njeri i afërt dhe shumë i besuar i Enver Hoxhës, që nga periudha e Liceut francez të Korçës dhe Grupit Komunist të atij qyteti ku ai ishte anëtar, i cili gjatë periudhës së Luftës ishte komisar politik i Batalionit partizan “Reshit Çollaku” dhe pas vitit 1944, u gradua major, duke u caktuar si prokuror dhe anëtar i trupit gjykues në Gjyqin Special të vitit 1945, i cili dënoi me vdekje ish-kryeministrin Maliq Bushati dhe anëtarët e Regjencës, Lef Nosi e Patër Anton Harapi..

Ashtu si dhe biografia e shkruar nga Ndreçi Plasari në vitin 1946, edhe ajo e Misto Treskës, e cila ka 238 faqe me shkrim dore dhe të njëjtin titull (“Enver Hoxha, një biografi e shkurtër”), e glorifikon jashtë mase figurën dhe rolin e Enver Hoxhës, në të gjitha periudhat kohore që trajtohen aty. Ndoshta kjo ka qenë edhe arsyeja kryesore që ajo biografi e shkruar prej Misto Treskës për Enver Hoxhën, jo vetëm që nuk u botua kurrë, por as nuk u daktilografua me makinë shkrimi, si biografia e vitit 1946 e Ndreç Plasarit, apo dhe tjetra që u shkrua më pas. Po kështu, nuk dihet me saktësi nëse ky “shërbim” që i bëri Misto Treska udhëheqësit kryesor të Shqipërisë, Enver Hoxhës (me të cilin kishte njohje edhe nga periudha e studimeve në Francë), ndikoi në karrierën e tij të mëvonshme, ku ai shërbeu si jurist, përkthyes, autor librash, diplomat, ambasador i Shqipërisë në Francë, Belgjikë etj., si dhe kryetar i Komitetit për Marrëdhënie Miqësore dhe Kulturore me Botën e Jashtme, ku dhe doli në pension në vitin 1981.

Po kështu e njëjta gjë edhe për profesor Ndreçi Plasarin, historian dhe studiues i cili gjatë regjimit komunist mbajti poste të rëndësishme akademike e politike, duke qenë për një kohë të gjatë edhe nëndrejtor i Institutit të Studimeve Marksiste-Leniniste në Tiranë, i drejtuar nga Nexhmije Hoxha. Në ato detyra, profesor Plasari shërbeu deri në vitin 1982, kur u godit nga Partia, i akuzuar si “njeri i Mehmet Shehut, që ishte dërguar prej tij deri në arkivat britanike për të fryrë kultin e tij (Mehmetit) dhe kishte fshehur dokumentet që vërtetonin se Mehmet Shehu kishte qenë agjent i Inteligjent Servisit”!  Biografia e tretë për Enver Hoxhën, u shkrua në vitin 1969 dhe ajo ka për autor Aqif Selfon, shok i ngushtë i fëmijërisë dhe rinisë me Enverin dhe fqinj i tij në qytetin e Gjirokastrës e, më pas në Liceun francez të Korçës, ku studiuan së bashku dhe Selfo shërbeu për disa kohë edhe si kujdestar konvikti pranë atij liceu. Në faqen e parë të asaj biografie, shkruhet; “Kujtime nga jeta e familjes Hoxha, origjina e saj dhe një jetëshkrim i shokut Enver Hoxha, për periudhën 1908-1930 dhe 1931-1939, 6.1.1969, nga Aqif Selfo”.

Ajo biografi, apo më saktë një jetëshkrim, siç e ka titulluar vetë autori i saj, (ka 124 faqe me shkrim dore, ndërsa të daktilografuara 82 faqe), ashtu si dhe ato të Ndreçi Plasarit dhe Misto Treskës, nga fillimi në fund, e glorifikon figurën dhe rolin e Enver Hoxhës, madje me shtrembërime dhe falsifikime të ngjarjeve dhe fakteve historike. (Si p.sh., në fq. 46 të kujtimeve të tij, Aqif Selfo midis të tjerash shkruan se: “Enveri u nis për në Belgjikë, u vendos në Bruksel dhe filloi detyrën e sekretarit të Konsullatës. Ai qëndroi këtu pjesërisht në vitin 1934, tërë vitin 1935 dhe pjesërisht në vitin 1936. Krahas detyrës së sekretarit të Konsullatës shqiptare në Bruksel, Enveri vazhdoi edhe studimet në fakultetin juridik dhe dha provimet e vitit të dytë”. Ndërsa në një dokument tjetër arkivor që ndodhet po në fondin e personal të Enver Hoxhës, diplomati shqiptar Nos Qosja që shërbente në ambasadën tonë në Paris, midis të tjerash shkruan: “Gjatë vizitës time në Belgjikë me shokun Harrilla Kola, ne shkuam në Universitetin e Brukselit (Fakulteti i Drejtësisë) dhe pyetëm e konstatuam: Shoku Enver është regjistruar në Fakultetin e Drejtësisë për vitin akademik 1934-1935. Në arkivin e atij fakulteti, ekziston kartela me këto të dhëna;

Hoxha Enver

Viti akademik 1934-1935

Datëlindja; 3 tetor 1908 (Gjirokastër)

Numri i regjistrit; 2821

Adresa e tij; “Legation d’Albania 155 Rue de la Loi, Bruksel”.

Kartela është e bardhë, nuk figuron që të ketë dhënë ndonjë provim”.

Paris, 22 shkurt 1969             Nos Qosja

Nga sa thuhet edhe tek dokumenti arkivor në fjalë, (i cili kondicion me periudhën kur është shkruar dhe biografia e Enverit nga Aqif Selfo), rezulton se Enver Hoxha nuk ka dhënë asnjë provim në Fakultetin e Drejtësisë së Brukselit, gjë e cila hedh poshtë atë që shkruan Aqif Selfo, se “Enveri dha provimet e vitit të dytë”! Ndoshta kjo ka qenë edhe arsyeja kryesore, që ato “Kujtime” nuk u botuan kurrë si libër, pasi në periudhën që u shkruan, jetonin ende shumë nga shokët dhe bashkëmoshatarët e Enverit dhe Selfos, (në burgjet politike apo të lire), si nga periudha e fëmijërisë së tyre në qytetin e Gjirokastrës, ajo e Liceut të Korçës, apo dhe studimeve në Francë. Por edhe pse ato “Kujtime” nuk e panë kurrë dritën e botimit, me shumë gjasa i shërbyen autorit të tyre Aqif Selfo, si një mburojë për një jetë të qetë (ai punoi si mësues në Tiranë në gjimnazin “Qemal Stafa”, deri sa doli në pension), ndryshe nga dy kushërinjtë e tij, Riza dhe Syrja Selfo, të cilët Enveri i arrestoi dhe i pushkatoi, edhe pse ata e gjithë familja Selfo, e kishin ndihmuar me të holla, gjatë periudhës së Luftës, 1939-1944.

Mbi bazën e këtyre tre biografive, në vitin 1978, u botua një libër apo më saktë një tip broshurë me titull: “Enver Hoxha, udhëheqës i dashur i popullit shqiptar”- (Material për biseda, me rastin e 70 vjetorit të lindjes), ku në faqen e parë pas kopertinës, shkruhet: “Përgatitur nga sektori i edukimit marksist-leninist, pranë K.Q. të PPSH. – Në ndihmë të agjitatorëve dhe të propagandistëve”. Libri në fjalë është botuar nga Shtëpia Botuese “8-Nëntori” në Shtypshkronjën “Mihal Duri” në Tiranë. Fakti që këto tre biografitë e Enver Hoxhës ndodhen në fondin e tij personal, madje dhe me ndërhyrje e korrigjime nga persona të tjerë, në mos janë bërë me porosinë e tij, me shumë gjasa janë shkruar me miratimin e Enverit. Gjithsesi këto mbeten në kuadrin e hipotezave ku ka vend për të investiguar më gjatë, por në këtë shkrim po publikojmë fillimisht biografinë e Enver Hoxhës, e cila është shkruar nga Aqif Selfo, e cila publikohet për herë të parë dhe me faksimilet përkatëse në disa numra, nga Memorie.al.                                       

DOKUMENTI ARKIVOR I NXJERRË NGA FONDI PERSONAL I ENVER HOXHËS QË NDODHET NË ARKIVIN QENDROR TË SHTETIT, ME KUJTIMET E SHKRUARA NGA AQIF SELFO, MBI ORIGJINËN E FAMILJES HOXHA DHE NJË JETËSHKRIM TË ENVER HOXHËS

Kujtime nga jeta e familjes Hoxha, origjina e saj, dhe jetëshkrimi i shokut Enver Hoxha për periudhën 1908–1930 dhe 1931 – 1939

Nga Aqif Selfo

6.1.1969

Qëndrimi i tij në Paris ishte i shkurtër dhe në gjendje jo të mirë ekonomike, por i frytshëm. Këtu Enveri pati mundësinë të njihej me rrethet marksiste të Partisë Komuniste franceze dhe me redaktorë të gazetës së partisë “L’Humanite”. Revista “Agitatori” Nr.5 tetor 1947, në kryeartikullin e saj – Enver Hoxha, biografi e shkurtër – rreth bashkëpunimit të Enverit në organin e Partisë Komuniste franceze, shkruan: “Në zyrat e ‘L’Humanite’-se u njoh me kryeredaktorin e organit të Partisë Komuniste Frenge, Paul Vaillant Coutourier, të cilit i kërkoi të shkruante në gazetë artikuj mbi gjendjen në Shqipëri. Vaillant-i pranoi dhe botoi disa gjëra në gazetë.

Në këtë kohë që ishte duke kërkuar ndonjë punë Enveri mësoi se në Bruksel (Belgjikë) shteti ynë kishte një konsullatë nderi dhe si përfaqësues që kryente funksionet e konsullit, ishte një belgjian. Enveri i shkruan konsullit në se kishte nevojë për një sekretar, që zotëronte gjuhën frënge mirë. Konsulli iu përgjigj pozitivisht. Enveri u nis për në Belgjikë, u vendos në Bruksel dhe filloi detyrën e sekretarit të konsullatës. Ai qëndroi këtu pjesërisht në vitin 1934, tërë vitin 1935 dhe pjesërisht në vitin 1936. Krahas detyrës si sekretar i konsullatës Enveri vazhdoi edhe studimet në fakultetin Juridik dhe dha provimet e vitit të dytë.

Në Bruksel Enveri ishte shumë mirë i informuar mbi gjendjen në Shqipëri, se këtu vinin shumë lajme dhe gazeta nga Shqipëria. Duke shfrytëzuar këto materiale ai nxirrte konkluzionet e duhura mbi gjendjen e rëndë të vendit. Enveri, i informuar më mirë mbi gjendjen e Shqipërisë dhe i pajisur me një kulturë të shëndoshë përparimtare, të së majtës, vazhdoi t’i dërgonte organit të Partisë Komuniste franceze, “L’Humanite”-së, artikuj mbi gjendjen në Shqipëri. Artikujt e kësaj periudhe, të dërguar nga Belgjika, mbi gjendjen e rëndë në Shqipëri, ishin me përmbajtje më të thellë dhe më të studiuara. Rreth qëndrimit të Enverit në Belgjikë, dy persona që kanë qenë, po në këtë periudhë në Belgjikë, Vasil Gjymyshana dhe Gaqo Papallopulli, tregojnë disa gjëra mbi jetën e Enverit.

Vasil Gjymyshana, nga Berati, kishte shkuar në Belgjikë në verën e vitit 1935, me qëllim që të ndiqte shkollën atje. Shpenzimet për kohën e studimit ia kishte premtuar një i afërmi i tij që ndodhej në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por me që ky nuk e ndihmoi, Vasili u detyrua të kthehej në Shqipëri. Gjatë kohës së shkurtër që Vasil Gjymyshana qëndroi në Bruksel, u njoh edhe me Enverin. Ai tregon përshtypjen që i bëri sjellja e Enverit. Shoku Enver, thotë ai, ka qenë në konsullatën shqiptare të Belgjikës si sekretar. Në atë kohë që unë e kam njohur shokun Enver, banonte në një dhomë të thjeshtë, po rrugën dhe numrin e banesës nuk e mbaj mend.

Shoku Enver frekuentonte një kafe të vogël – “Bar Horloge” -. Mua më ka bërë përshtypje të madhe përzemërsia, sjellja dhe dashuria e madhe që tregonte për mua, një djalë ahere pesëmbëdhjetë vjeç. Shoku Enver është sjellur ndaj meje si prind. Unë shtëpinë e tij e kisha si shtëpinë time. Përshtypje të madhe më bënin bisedat e tij. Në atë periudhë të shkurtër që qëndrova me të, shoku Enver nuk linte çast pa folur për regjimin e Zogut, ai fliste me një urrejtje të madhe për të. Shoku Enver çdo ditë shfletonte gazetat e ndryshme, sidomos në këtë kohë që kishte ndodhur në Shqipëri, kryengritja e Fierit.

Kurse Gaqo Papallopulli ish-student në Belgjikë dhe ndiqte studimet e larta, në atë kohë, tregon: “Jam takuar rastësisht me shokun Enver në Bruksel, aty nga pranvera e vitit 1936, bashkë me shokun Koço Theodhosi. Në këtë takim të parë biseduam më shumë rreth çështjeve të ndryshme veçanërisht mbi gjendjen politike dhe ekonomike të Shqipërisë. Takimet e mija me shokun Enver kanë qenë të rralla, me që unë banoja larg Brukselit po megjithëkëtë, në ato pak takime që pata me të, vura re, nga bisedimet me të, se ai ishte një antifashist dhe antizogist i vendosur. Mendimi im është se shoku Enver ishte shumë i rezervuar në punën e tij, por kam bindjen se ai punonte shumë: shkonte në mbledhje e konferenca që bëheshin nga partitë e së majtës.

Këtë mendim e kam se disa herë që kam shkuar në shtëpinë e tij – ‘Rue Royale’ – nuk e kam gjetur, kjo më ka bërë të besoj se ai rendte pas mbledhjeve e konferencave. Në Belgjikë shoku Enver ndihmonte ata shqiptarë që kishin nevojë për këshillat e tij, ashtu edhe me ato mundësi që kishte. Në Belgjikë vinin edhe punëtorë shqiptarë për të punuar, në ato raste kur nuk gjenin punë në Francë, edhe këtyre shoku Enver mundohej t’u gjente punë dhe t’u lehtësonte vuajtjet e tyre. Gaqo Papallopulli pas largimit të Enverit nga Belgjika, tregon për mendimet që kishin për ta ata belgjianë që njihnin Enverin.

Ai tregon: “Në vitin 1936 ose 1937 (me që unë kam qëndruar në Belgjikë deri në vitin 1938), isha duke vizituar një ekspozitë të Partisë Komuniste Belge, aty më bëjnë zë disa shokë belgjianë të universitetit, bashkë me ta ishte edhe një person tjetër që unë nuk e njihje (pastaj mësova se ky person ishte i ngarkuar për të dhënë sqarime mbi ekspozitën). Ky person bashkë me shokët e tjerë belgjianë u afruan dhe u përshëndetëm me të gjithë. Shokët belgjianë më paraqitën me shokun e tyre. Ky me të mësuar që jam shqiptar, më pyet se vërtet isha shqiptar, në përgjigjen time pozitive, ai me një herë më thotë se sigurisht edhe ti je komunist. Aty për aty unë i thashë se nga e kishte këtë mendim.

I ngarkuari me detyrën e shpjeguesit të ekspozitës m’u përgjigj: Unë kam njohur një shqiptar që jo vetëm e fliste shumë mirë frëngjishten por edhe shkruante, ky shqiptar quhej Enver Hoxha. Unë mendoj se sipas të thënit të këtij belgjiani, shoku Enver duhet të shkruante në organet e shtypit të së majtës, me qenë se edhe ekspozita ishte e Partisë Komuniste dhe i ngarkuari me detyrën e shpjeguesit, duhet ta ketë njohur së afërmi dhe në punë sh. Enver. Gaqo Papallopulli tregon edhe për mendimin që kishte konsulli dhe interesimi i tij ndaj Enverit. Konsulli dhe e shoqja e tij, thotë ai, kishin një kujtim shumë të mirë për sh. Enver. Sa herë që shkoja në konsullatë, për ndonjë pune, si konsulli ashtu dhe e shoqja e tij më pyetnin gjithnjë për sh. Enver: në se kisha marrë vesh se ku gjendej, çfarë punë bënte etj.

Kjo tregon se ata interesoheshin për të dhe se ai kishte lënë përshtypje të mira tek ata. Ata thoshnin gjithnjë që sh. Enver ishte një i ri me kulturë të gjerë dhe kishin mendimin se ai kishte ide me përparimtare. Interesimi i konsullit ishte aq i madh, sa që kur shkoja në konsullatë për t’u kthyer në Shqipëri, konsulli më porosite, me një insistim të madh, që kur të kthehesha, t’i bija të dhëna mbi gjendjen e sh. Enver: shëndetin e tij, çfarë pune bënte etj. Aktiviteti i madh i Enverit në Belgjikë ra në sy të agjentëve e spiunëve të Zogut, që e kishin shtrirë rrjetën e tyre edhe këtu.

Këta raportuan dhe si rrjedhim qeveria shqiptare urdhëroi pushimin e tij si sekretar i konsullatës shqiptare në Belgjikë. Enveri pas pushimit u kthye në Shqipëri. Gjatë qëndrimit të tij jashtë shtetit, për të ndjekur studimet, Enveri kthehej pothuajse çdo vit, në pushimet e verës, në Shqipëri. Edhe në këtë kohë të shkurtër të pushimeve ai ishte gjithnjë aktiv. Një nga veprimet e tij, të kësaj periudhe, ishte me rastin e zbulimit të Lëvizjes së Vlorës në gusht 1932, të arrestimeve të dhjetëra vetave të lëvizjes dhe të dënimeve të rënda të dhëna, nga gjyqi i posaçmë, kundër pjesës më të madhe të pjesëtarëve të kësaj organizate.

Qëllimi i organizatës ishte antizogiste. Ajo u formua që në vitin 1930. Në këtë periudhë Zogu, sipas zërave të përhapura, vuante nga një sëmundje e pashërueshme. Udhëheqësit e lëvizjes mendonin që në rast se Zogu, si rrjedhim i sëmundjes, mund të vdiste, të rrëzonin regjimin e tij dhe të shpallnin republikën, në rast të kundërt ta përdornin lëvizjen për të formuar një bllok antizogist.

Po zbulimi i lëvizjes, arrestimet e shumta si dhe dënimet e rënda bënë një përshtypje të madhe në të gjithë vendin dhe veçanërisht në Vlorë, si dhe në qytete të tjera në Gjirokastër, Shkodër e Tiranë, ku organizata kishte rekrutuar shumë anëtarë me prirje anti-zogistë. Përshtypje të madhe bëri edhe në rininë e vendit dhe në atë të Gjirokastrës. Rinia gjirokastrite iu përgjigj masave drakoniane të regjimit të Zogut në mënyrën e vet.

Enveri, me disa të rinj gjirokastritë, shkroi disa parulla në muret e dyqaneve të pazarit, në afërsi të prefekturës. Këto parulla demaskonin regjimin e Zogut për politikën shtypëse, ato njëkohësisht ishin fyese dhe kërcënuese ndaj regjimit. Parullat e shkruara u diktuan. Autoritetet e vendit, me njëherë, arrestuan disa nga të rinjtë e qytetit me në krye Enverin. Arrestimi nuk zgjati shumë, në mungesë faktesh, autoritetet e lanë përsëri të lirë Enverin ashtu dhe shokët e tij.

Po gjatë periudhës së studimeve jashtë shtetit, Enveri sa herë që shkonte në Francë ose Belgjikë dhe në kthimin e tij për në Shqipëri, qëndronte disa ditë në Bari (Itali), tek e motra e tij, e shoqja e Bahri Omarit, i arratisur politik që në dhjetor të vitit 1924. Fahrije Omari, e motra e Enverit, thotë : “Në shtëpinë tonë vinin për vizitë, shpesh herë, të arratisurit politikë, si Qamil Çela, Muharrem Vllamasi dhe sidomos Baba Sheh Karbunara, këtu këta kanë njohur edhe Enverin”.

Kur kam pyetur Muharrem Vllamasin se ç’mbante mënd, ky më tha, ndërmjet të tjerave: “Enverin e kam njohur në Bari tek Bahri Omari. Gjatë kohës së shkurtër që ai qëndronte në Bari, Enveri ishte i ri ahere dhe ne, si më të moshuar dhe më të rrahur në jetë, nuk hapeshim shumë për çështje politike, por megjithatë unë kam vënë re se, nga bisedat me të në shtëpi të Bahriut, në shëtitjet që bënim ose në kafe, se Enveri kishte mendime dhe ide shumë përparimtare, për mua ai ishte, në atë kohë, ekstremist i së majtës. Këtë bindje e formova edhe me shumë kur lexova fjalimin e tij mbajtur në varrin e Bajo Topullit. Ky fjalim më bëri shumë përshtypje për idetë e tij përparimtare dhe shumë të guximshme për atë kohë”.

Aktiviteti i Enverit gjatë pushimeve të verës 1936

Pra në verën e vitit 1936, pas pushimit nga puna si sekretar i konsullatës shqiptare në Bruksel, Enveri u kthye në Shqipëri dhe i kaloi muajt e verës në Gjirokastër. Muajt e verës të këtij viti kanë qenë për të një periudhë plot ngjarje me rëndësi: Inaugurimi i varrit të patriotit Bajo Topullit, takimi dhe njohja e Enverit me Ali Kelmendin, si dhe ngritja e eshtrave të patriotëve Çerçiz Topulli dhe Muço Qulli. Më 24 korrik 1936, vdiq në Sarandë, Bajo Topulli. Po atë ditë trupi i tij u suall në Gjirokastër i përcjellë nga Saranda me nderime të mëdha, i pritur dhe i përcjellë edhe në Delvinë, po me nderime të mëdha. Pas dreke trupi i Bajos u suall në Gjirokastër, në vendlindjen e tij. Bashkëqytetarët, i madh e i vogël, e pritën me respekt të thellë trupin e këtij luftëtari që kishte sakrifikuar çdo gjë për çlirimin e atdheut dhe për të mirën e popullit.

Trupi i tij, i vendosur në një arkivol të hijshëm, u ekspozua në një nga sallat e Bashkisë për ta përshëndetur, për herën e fundit, populli i qytetit. Po atë ditë trupi i tij u suall në Gjirokastër i përcjellë nga Saranda me nderime të mëdha, i pritur dhe i përcjellë edhe në Delvinë po me nderime të mëdha. Pas dreke trupi i Bajos u suall në Gjirokastër, në vendlindjen e tij. Bashkëqytetarët, i madh e i vogël, e pritën me respekt të thellë trupin e këtij luftëtari që kishte sakrifikuar çdo gjë për çlirimin e atdheut dhe për të mirën e popullit.

Të nesërmen, më 25 korrik 1936, u bë varrimi i tij me nderime të mëdha, i përcjellë, në banesën e fundit prej një shumicë e madhe të qytetarëve të Gjirokastrës. Në varrin e tij u mbajtën fjalimet e rastit, kurse kurorat ishin të shumta. Varrimi i Bajo Topullit u bë në kodrën e Pllakës. Pas gjashtë vjetëve, më në fund, Bashkia e qytetit mundi t’i rregullojë varrin këtij patrioti. Varri i Bajo Topullit ishte prej mermeri dhe i rrethuar me parmakë hekuri. Ai përmbante edhe fotografinë e tij me mbishkrimin: Veteranit Bajo Topulli – Bashkia e Gjirokastrës./ Memorie.al