Me gjasë askush tjetër si Edi Rama nuk ka qenë aq i qartë në rrugën drejt pushtetit. Vetëm Ahmet Zogu, Enver Hoxha dhe Sali Berisha përbëjnë trinomin tjetër aspak të shenjtë të shqiptarëve me këtë lloj fiksimi, huqi e vesi kaq të madh ndaj pushtetit në Shqipërinë e postpavarsisë.
Sa të ndryshëm, aq edhe të ngjashëm në jetëshkrim, të përbashkëtat e tyre shënjojnë narcizizmin ekstrem, egoizmin e thellë, karizmën e errët, superkontrollin mbi qendrat e tjera të pushtetit, paranojat e pashmangshme dhe mungesën e empatisë. Dhe mbi të gjitha, ata kanë ndarë mes vedit, vetminë e pafundme. Në epilog të karrierës së tyre ata kanë qenë plotësisht të vetmuar. Pa miq ideologjike, por me një shtresë servilësh kokëboshë, të braktisur nga miqtë e vjetër dhe në shoqërinë e miqve të gabuar.
Të katërt kanë ndarë bindjen për madhështi personale dhe besimin se janë gjeni të keqkuptuar. Të katërt janë ndjerë të keqardhur sinqërisht për kufinjtë modestë të Shqipërisë, që e kanë gjykuar si një xhaketë që ju rri ngushtë në shpatulla.
Ata kanë qenë, kush më shumë e kush më pak, individë shumë të fortë dhe përballë tyre shoqëria dhe Shqipëria, ishin herë mbretëri qesharake, herë diktaturë mizore e herë demokraci hibride. Varësisht kohës, shoqëria dhe Shqipëria shndërrohej për ta në një lojë shahu, në një fushë beteje, në hartë që ndahej, në pronë e llogari private apo edhe në një telajo ku ata donin të vizatonin e impononin vetëm vullnetin e tyre personal.
E kanë përdorur rregullisht njëri-tjetrin si në një lojë dominosh që rrëzojnë njëra-tjetrën. Përveç Zogut që ankohej për pasardhësin, gjithë të tjerët kanë fajësuar paraardhësit për dështimet e tyre. Hoxha kryqëzonte Zogun, Berisha mallkonte Hoxhën, kurse Rama është ende i bindur se gjithë fajet i ka Saliu. Rezultati ka qenë i njëjti: radikalizimi i shoqërisë dhe krijimi i dy kampeve që ishin më shumë armiq se kundërshtarë.
Nuk mund të kuptohet portreti i njërit pa vënë re tiparet e tjetrit, nuk mund të shpjegohen veprimet e dikujt prej tyre, nëse nuk analizohen veprimet e tjetrit, në një vend ku gjithë shoqëria gjithashtu ka qenë kulturalisht, emocionalisht dhe strukturalisht kliente e atdheut të njëshit, fisit dhe prijësit.
Të katërt kanë besuar se atdheu ishte perfekt sa kohë që ata ishin vetë prijësit e tij. Madje edhe se ekzistonte vetëm në këtë rrethanë. Të katërt kanë qenë sinqerisht të bindur, se mbas shpinës së tyre, hynte në derë vetëm qameti. Për ironi të fatit, realisht kështu ka ndodhur. Qameti me portretin e pushtimit erdhi mbas ikjes së Zogut, përmbysja e thellë që vonoi paksa me vdekjen e Hoxhës, lufta pothuaj civile mbas largimit të Berishës së parë dhe kriza politike, institucionale, morale e më pas edhe ajo ekonomike, që do të bujtin si në shtëpinë e tyre, mbas ikjes së supozuar të Ramës.
Historia e të ardhmes duhet lexuar në atë çfarë ka shkruar më parë e shkuara. Dhe e shkuara dëshmon se asnjë nga 34 a 35 drejtuesit e shtetit shqiptar nuk ka pasur një fund të lumtur e të qetë. Ata kanë ikur ose nga plumbi, ose janë mbyllur në qeli, ose janë arratisur, ose kanë parë pas vdekjes deri dhe shkatërrimin e familjeve të tyre.
Një politikan pak mbahet mend për mënyrën sesi ka ardhur në pushtet dhe si e ka administruar pushtetin. Ata kujtohen më së shumti nga epilogu që i japin pushtetit të tyre.
Pakkush mban shënim përpjekjet e Zogut si reformator në një vend të sapo dalë nga mesjeta, përpjekjet e tij për modernizimin e vendit dhe tentativat për të siguruar unitet në një vend të përçarë thellësisht e tmerrësisht të varfër. Ish-mbreti i shqiptarëve kujtohet vetëm për ikjen e tij pa rezistencë personale pak orë përpara pushtimit të vendit nga Italia fashiste.
Orientimi i drejtë i komunistëve shqiptarë në anën e duhur të historisë në Luftën e Dytë Botërore me aleatët antifashistë, zhvillimi i jashtëzakonshëm i vendit në vitet e para të mbas çlirimit apo përpjekjet për modernizim të tij nga Hoxha, humbën të gjitha përballë kriminalizimit ekstrem të pushtetit të tij kriminal, luftës së tmerrshme të klasave, varfësisë së llahtarshme dhe izolimit total të vendit. Stabiliteti i garantuar i vendit në atë periudhë, u dëshmua si krijesë artificiale nga mungesa totale e standarteve demokratike. Hoxha vdiq në paqe, por fantazma e tij ka parë padyshim burgosjen e të shoqes dhe të birit dhe andrrallat e tjera të familjarëve dhe sërës së tij.
Nëse Berisha do të kishte mbajtur statusin e të ikurit me humbje në 2013-ën dhe do të shënonte aty epilogun e tij të pakthyeshëm, me siguri që nuk do të provonte burgosjen e tij në sallonin e zonjës Liri dhe paradën e turpshme të detyrimit për paraqitje përpara strukturave të drejtësisë.
Rama është në minutat e fundit që të gjykojë se çfarë do të bëjë me të nesërmen e tij. Presidenca si rifuxho personale që e shpresonin njëherësh miqtë dhe armiqtë e tij është një mundësi jorealiste tashmë. Dilema pa zgjidhje mes fundit të pushtetit që e merr përpara turma dhe pushtetit si një tmerr pafund që është në zyrë, por nuk qeveris, është zgjedhja dhe zgjidhje e tij eskluzive. Nuk ka në krah askënd që ta ndihmojë.
Ka zgjedhur vetminë vetjake të pushtetit, terri i të cilës e bën të mos dallojë e kujtojë mirë portretet e pafundme që e ndihën me shpirt të vijë në pushtet dhe që ai i braktisi në ditët e tij të mira; që i shndërroi në armiqtë, të cilët shihnin me dëshpërim sesi i rekrutonte miqtë e rinj nga rradhët e armiqve të vjetër. Dhe si shpallej mbret pa kurrorë në oborrin e ZeqiLandit të tij personal. Tashmë me protestues të zemërues brenda oborrit të tij.












Komente
Komento