Kryeministri Edi Rama ka përkujtuar sot vdekjen të arit të tij me një mesazh të ndjerë, ku nuk munguan dhe kthimi i përgjigjes ndaj atyre që kanë baltosur emrin e tij. Jo më larg se dje ishte presidenti Ilir Meta, i cili e cilësoi Ramën si " djali i komunistit që vari në mes të Kukësit poetët për fjalën e lirë".

Sot, Edi Rama tregoi  se veprat e Kristaq Ramës do të jenë pjesë e kujtimeve dhe emrit të tij dhe të gjithë ata që i kanë baltosur emrin ë gjithë këto vite do të jenë mbuluar nga pluhuri i një harrese.

Kristaq Rama ndërroi jetë 22 vite më parë nga një sulm në zemër, por çdo 31 korrik, i biri, kryeministri Edi Rama i kushton një homazh kujtimi, duke e cilësuar vdekjen e të atit arsyen që e solli në Tiranë dhe i ndryshoi rrugëtimin e jetës.

Postimi i kryeministrit Rama

IM ATË, KRISTAQ RAMA, mori emrin e gjyshit të tij, Kristaq Ramës së parë, që ishte një ndër patriotët firmëtarë të pavarësisë në Durrës, e ia kushtoi jetën e pasurinë hapjes së shkollave në gjuhën shqipe, në ato kohë kur gjuhës sonë amtare i kanosej fuqia e një armiqësie të madhe.

Im atë sot do të mbushte 88, nëse një goditje fatale në zemër nuk do t’ia kishte ndërprerë befasisht rrugëtimin në këtë botë plot 22 vjet më parë, kur vdekja e tij më solli në Tiranë e më ndryshoi rrugëtimin tim. Por kjo është një histori tjetër.

Sot, si në çdo 31 korrik, kur unë e kujtoj me sytë e lagur tim atë, më rri para syve buzëqeshja e tij paqësore e pas çdo debati luftarak mes nesh gjatë viteve të rinisë sime të parë – kur unë flisja gjithnjë e më shumë dhe ai rezistonte gjithnjë e më pak.

Prej meje, jetës sime në politikë, e cila nisi në ditën e funeralit të tij, arsyeja e mosarsyes politike ka sjellë shumë baltë mbi emrin e tim eti pas vdekjes.

Por ajo buzëqeshje e shkrin dhe tret krejt baltën, mu si në çdo paradite feste kombëtare, kur qysh se për shkak të detyrës shkoj tanimë prej 20 vjetësh, tek Nëna Shqipëri a tek Heronjtë e Pavarësisë në Vlorë. Pasi vendos kurorën, përulem dhe pastaj ngre kokën drejt lartësisë së veprave që ai la dhe nga qielli më vjen buzëqeshja e tij.

Veprat do të jenë aty bashkë me emrin e Kristaq Ramës, kur ata që e kanë baltosur tërë këto vite do të jenë mbuluar me kohë e me vakt, nga pluhuri i një harrese përfundimtare pa kthim.

Kishte të drejtë im atë, mos e harro asnjëherë, në këtë jetë ke ardhur për të lënë kujtimin tënd, tek fëmijët e tu, tek ata që të njohën vërtetë dhe në qofsh shumë i zoti, tek populli yt. Të tjerat i merr era dhe në fund edhe trupi i vetë njeriut erë bëhet''.