Presidenti Ilir Meta ka kërcënuar Edi Ramën pas ndryshimeve Kushtetuese dhe ka sulmuar hapur ndërkombëtarët duke i akuzuar si pjesëmarrës në një grusht shteti.

"Akti i sotëm i ndryshimit të njëanshëm dhe me urgjencë të pajustifikueshme të Kushtetutës nga Kuvendi me legjitimitet të cunguar, është antikushtetues dhe i papranueshëm! Ndryshimi i dhunshëm i Kushtetutës asgjesoi marrëveshjet konsensuale të 14 Janarit dhe të 5 Qershorit që mundësuan një proces dhe produkt gjithëpërfshirës, duke hedhur përsëri në erë mirëbesimin ndërmjet palëve, paqen sociale në vend dhe procesin e integrimit europian të Shqipërisë.

Retorikat oportuniste dhe hipokrite të disa ndërkombëtarëve shkojnë kundër aspiratës dhe projektit strategjik të shqiptarëve për të ndërtuar një të ardhme europiane.

Asnjë bandë pengmarrëse s’do të mund t’i shpëtojë përgjigjes së merituar që do të marrë nga forca e qytetarëve të bashkuar kundër këtij grushti shteti.

Presidenti i Republikës si gjithmonë do të jetë në krye të detyrës në mbrojtje të Kushtetutës, të drejtave të patjetërsueshme dhe vullnetit të qytetarëve për të marrë në dorë fatet e tyre.

Edi Rama e ftoi sot popullin shqiptar në një përballje historike. Ai u mburr sot se është djali i komunistit që vari në mes të Kukësit poetët për fjalën e lirë.

Ne shqiptarët do t’i përgjigjemi shqiptarisht deri në fund" shkruan ai.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:01
Meta e kërcënoi, Rama: S'ke shans të ndalosh ndryshimet Kushtetuese dhe t'i vësh zjarrin vendit, boll u bëre si Haxhi Qamili

Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur Presidentit Ilir Meta që e kërcënoi dhe sulmoi ndërkombëtarët. Kreu i qeverisë i thotë kreut të shtetit se nuk do të pengojë dot ndryshimet kushtetuese, ashtu sikur nuk arriti që ta bënte me zgjedhjet e 30 qershorit të vitit të kaluar.

"Ilir, ti je nje shkelës recidiv i Kushtetutës sipas Venecias, por po sipas Venezias e ke shkelur, po jo aq rëndë Kushtetutën sa për t'u shkarkuar!Dhe ne që shkeljet e tua i mbajtëm në kurriz,respektuam Venecian e s'të shkarkuam,sepse jemi të përgjegjshëm në përfaqësimin e vendit!

Por siç nuk i ndalove dot zgjedhjet vendore dhe siç nuk e fute dot në zjarr Shqipërinë dje, nuk ke asnjë shans ta ndalosh Kushtetutën e Shqipërisë të jetë detyruese edhe për ty, ashtu sikundër s'ke asnjë shans të ndezësh zjarrin e ëndërruar të konfliktit të popullit me shtetin!

Prandaj boll u bëre dhe na bëre të gjithëve qesharakë si shtet, duke e përdorur zyrën e Presidentit si llogore lufte politike, duke sharë ambasadorët siç bënte Haxhi Qamili e duke i folur vetes në vetë të tretë si Luigji XIV! Boll se s'të ka askush asnjë borxh, jo më Shqipëria" shkruan Rama.