Donald Trump thotë se Irani ka rënë dakord të mos ketë armë bërthamore për më shumë se 20 vjet.
“Po duket shumë mirë që do të arrijmë një marrëveshje me Iranin dhe do të jetë një marrëveshje e mirë, një marrëveshje pa armë bërthamore...
“Kemi një deklaratë shumë të fortë, përtej 20 viteve, që ata nuk do të kenë armë bërthamore,” thotë ai.
Nga sot Pakistani negociator nisi një tur takimesh në Teheran dhe në rajon në kuadër të bisedimeve për paqe dhe një raundi të dytë negociatash mes SHBA dhe Iranit. Shefi i Shtabit të Ushtrisë Pakistaneze Asim Munir nisi bisedime të thelluara sot me zyrtarët iranianë, me të cilët diskutoi komunikimet e fundit me Shtetet e Bashkuara.
Ai takoi si fillim kryetarin e parlamentit iranian Mohamad Ghalibaf ndërsa axhenda pakistaneze përbëhej këtë të enjte edhe me një tur takimesh të nisur nga kryeministri Shehbaz Sharif, i cili u ndal në Katar ndërsa do të takojë edhe zyrtarë në Arabinë Saudite dhe Turqi, në kuadër të përpjekjeve të aktorëve rajonalë për paqe.
Mbrëmjen e së mërkurës, Zëdhënsja e Shtëpisë së Bardhë tha se administrata amerikane është optimiste për fazën në vijim dhe konfirmoi se bisedimet mes palëve janë pozitive dhe po vijojnë.
Me bllokadën detare amerikane që vijon Reuters thotë se Irani ka prezantuar tek ndërmjetësuesit idenë e një lirimi të pjesshëm të ngushticës së hormuzit, me pjesën e ujërave të Omanit që mund të jenë të lira nga ccdo kërcënim ushtarak Iranian. Një ditë më parë Pasdaranët kërcënuan me bllokimin e kalimit për në detin e kuq nëse SHBA-të nuk heqin bllokadën e tyre detare nga e cila janë kthyer pas 10 anije që kanë tentuar të cajnë rrethimin që prej nisjes së saj.
Në anën tjetër të konfliktit, Donald Trump ka njoftuar se me ndërmjetësimin e tij, Izraeli dhe Libani kanë rënë dakord për një armëpushim 10-ditor mes tyre.
Trump zhvilloi një bisedë telefonike me Presidentin libanez, Joseph Aoun, ku fokusi i diskutimeve ishte te marrëveshja e armëpushimit me Izraelin. Presidenti libanez tha këtë të enjte se një armëpushim do të duhej të ishte hapi i parë i këtij komunikimi që mund të çojë drejt paqes.
Lajm në përditësim...

Duke folur për gazetarët, Trump tha se ishte “shumë e rëndësishme” që Papa Leo të kuptojë se Irani është një kërcënim për botën.
“Papa mund të thotë çfarë të dojë, dhe unë dua që ai të thotë çfarë të dojë, por unë mund të mos jem dakord”, tha Trump.
“Papa duhet të kuptojë se kjo është bota reale.”
Të enjten, Papa Leo kritikoi ashpër liderët që shpenzojnë miliarda për luftëra dhe tha se bota po “shkatërrohet nga një grusht tiranësh”, në deklarata të pazakonta të forta gjatë një vizite në Kamerun.
Komenti i tij erdhi disa ditë pasi Trump e sulmoi atë në rrjetet sociale.
Leo është shfaqur si një kritik i hapur i luftës që nisi me sulmet e SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit.

Izraeli dhe Libani do të zbatojnë një armëpushim 10-ditor duke filluar nga ora 17:00 (21:00 GMT) të enjten, për të mundësuar negociata drejt një marrëveshjeje të përhershme sigurie dhe paqeje.
Periudha e armëpushimit mund të zgjatet me marrëveshje të ndërsjellë.
Pasi armëpushimi të hyjë në fuqi, qeveria libaneze do të ndërmarrë hapa për të parandaluar Hezbollahun dhe të gjitha grupet e tjera të armatosura jo-shtetërore në territorin e saj nga kryerja e sulmeve kundër Izraelit.
“Të gjitha palët njohin forcat e sigurisë së Libanit si të vetmet përgjegjëse për sovranitetin dhe mbrojtjen kombëtare të Libanit; asnjë vend apo grup tjetër nuk ka të drejtë të pretendojë të jetë garant i sovranitetit të Libanit”, thuhet në marrëveshje.
Izraeli mund të ndërmarrë masa të nevojshme në vetëmbrojtje kundër sulmeve të planifikuara, të afërta ose në zhvillim gjatë periudhës së armëpushimit, por ka rënë dakord të mos kryejë operacione ushtarake ofensive në Liban gjatë këtyre 10 ditëve.
Të dy vendet i kanë kërkuar Shteteve të Bashkuara të lehtësojnë negociata të mëtejshme të drejtpërdrejta mes tyre për të zgjidhur të gjitha çështjet e mbetura, përfshirë përcaktimin e kufirit tokësor ndërkombëtar, sipas marrëveshjes së armëpushimit.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka konfirmuar se Izraeli ka rënë dakord për një armëpushim 10-ditor me Libanin, në përpjekje për të avancuar një marrëveshje paqeje mes dy vendeve.
“Kemi mundësinë për të bërë një marrëveshje historike me Libanin”, tha Netanyahu.
Ai theksoi se kërkesa e tij kryesore është që Hezbollah të shpërbëhet.

Donald Trump thotë se Irani ka rënë dakord të mos ketë armë bërthamore për më shumë se 20 vjet.
“Po duket shumë mirë që do të arrijmë një marrëveshje me Iranin dhe do të jetë një marrëveshje e mirë, një marrëveshje pa armë bërthamore...
“Kemi një deklaratë shumë të fortë, përtej 20 viteve, që ata nuk do të kenë armë bërthamore,” thotë ai. “Të jemi të sinqertë, nuk ka kufi 20-vjeçar.”
Nuk kemi pasur një reagim të menjëhershëm zyrtar nga Irani.

Presidenti Donald Trump ka njoftuar se me ndërmjetësimin e tij, Izraeli dhe Libani kanë rënë dakord për një armëpushim 10-ditor mes tyre.
Postimi i plotë i Donald Trump.
Sapo zhvillova biseda të shkëlqyera me Presidentin shumë të respektuar Joseph Aoun të Libanit dhe me Kryeministrin Bibi Netanyahu të Izraelit. Këta dy liderë kanë rënë dakord që, për të arritur PAQE mes vendeve të tyre, do të nisin zyrtarisht një ARMËPUSHIM 10-ditor në orën 5 pasdite (EST).
Të martën, të dy vendet u takuan për herë të parë pas 34 vitesh këtu në Uashington, D.C., me Sekretarin tonë të madh të Shtetit, Marco Rubio.
Unë kam udhëzuar Zëvendëspresidentin JD Vance dhe Sekretarin e Shtetit Rubio, së bashku me Kryetarin e Shefave të Shtabit të Përbashkët, Dan “Razin’” Caine, të punojnë me Izraelin dhe Libanin për të arritur një PAQE të qëndrueshme.
Ka qenë nderi im të zgjidh 9 luftëra në mbarë botën, dhe kjo do të jetë e 10-ta ime, ndaj le ta PËRFUNDOJMË!
Presidenti DONALD J. TRUMP

Presidenti amerikan Donald Trump ka zhvilluar sot një bisedë telefonike me Presidentin e Libanit, Joseph Aoun.
Sipas mediave të huaja, kjo duket se është telefonata e parë midis dy udhëheqësve. Aoun u bë President në janar të vitit të kaluar.
Një deklaratë e ndarë në llogarinë e Aoun në rrjetet sociale nënvizonte se Presidenti libanez "ripërsëriti gjatë telefonatës falënderimet e tij për përpjekjet që Trump po bën për të arritur një armëpushim në Liban dhe për të siguruar paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm".
Aoun shprehu gjithashtu dëshirën e tij për të ndaluar armiqësitë "sa më shpejt të jetë e mundur".
Trump u përgjigj me mbështetjen e tij për Libanin dhe një "angazhim" për të përmbushur kërkesën libaneze për armëpushim, thuhet në deklaratë.
Kjo bisedë telefonike është lëvizja e fundit diplomatike, ndërsa po shtohet shpejtësia drejt një armëpushimi në Liban.
Të martën, zyrtarët izraelitë dhe libanezë zhvilluan bisedime në Uashington mbi konfliktin, hera e parë që të dy vendet e bëjnë këtë që nga viti 1993.
Pete Hegseth ka kritikuar aleatët për mungesën e mbështetjes gjatë konfliktit me Iranin, duke akuzuar disa se flasin shumë, por që sipas tij nuk bëjnë asgjë.
Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së tha se SHBA-të nuk mbështeten në energjinë që vjen nga Ngushtica e Hormuzit, ndryshe nga vendet e tjera në Azi, Evropë dhe pjesën tjetër të botës.
"Aftësia e tyre për të krijuar një mbrojtje kolektive... do të kishte qenë një gjë e mrekullueshme", tha ai.
Por kur "nisën të shtënat në Iran dhe vendet europiane ishin më të nevojshme", Hegseth pretendon se ato nuk ishin aty.

Gjatë një konference për shtyp, Admirali Brad Cooper i Komandës Qendrore të SHBA-së, i cili sapo është kthyer nga Lindja e Mesme, foli për trupat amerikane në rajon, duke i thurur elozhe "guximit, qëndrueshmërisë dhe angazhimit të tyre të palëkundur".
Një nga rastet "e jashtëzakonshme" që ai thekson është biseda me disa nga ushtarët që ndihmuan në kthimin në ‘shtëpi’ të një F-15 të bllokuar të armatosur, pasi u rrëzua.
Admirali Cooper i përshkruan ata ushtarë si "heronj absolutë". Ai thotë gjithashtu se SHBA-të kanë kryer më shumë se 13,000 sulme ndaj Iranit.
Ai shton: "Vlerësimi im personal është se, pas këtyre dy udhëtimeve, trupat tona janë shumë të motivuara, janë të përqendruara, janë vigjilente dhe gati, dhe po e përdorin këtë kohë për të bërë disa gjëra: po riarmatosemi, po ripajisemi dhe po përshtasim taktikat, teknikat dhe procedurat tona."

Bisedimet e pretenduara midis Joseph Aoun dhe Benjamin Netanyahut nuk do të zhvillohen së shpejti, thanë tre zyrtarë libanezë për agjencinë e lajmeve Reuters.
Mediat e huaja bëjnë të ditur se Donald Trump tha se presidenti libanez do të flasë sot me kryeministrin izraelit, por zyrtarët thanë se ambasada libaneze në Uashington e kishte informuar administratën Trump se Aoun nuk do të fliste me Netanyahun.
Ambasada e informoi administratën përpara telefonatës së Aoun me Marco Rubion sot. Gila Gamliel, një anëtare e kabinetit të sigurisë së Izraelit, i tha radios ushtarake të Izraelit këtë mëngjes se do të zhvillohet një takim midis Aoun dhe Netanyahut.
Dy udhëheqësit e vendit pritej të diskutonin ndalimin e luftimeve midis Izraelit dhe grupit Hezbollah në Liban, të mbështetur nga Irani.
Më shumë se 1.2 milion njerëz vlerësohet të jenë zhvendosur, sipas shifrave të Zyrës së OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare.

“Ne po ju vëzhgojmë”, i është drejtuar Pete Hegseth Iranit.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes tha se kapacitetet e SHBA-ve dhe Iranit nuk janë të njëjta dhe se kjo “nuk është një luftë e barabartë”.
“Ne vetëm po bëhemi më të fortë. Ju po nxirrni nga depot lëshuesit dhe raketat që ju kanë mbetur, pa pasur mundësi t’i zëvendësoni”, tha ai.
Ai thotë se ushtria amerikane po rikarikohet me më shumë fuqi se kurrë më parë.
“Ne jemi gati të veprojmë me urdhrin e presidentit tonë dhe me shtypjen e një butoni”, tha Hegseth.
Më tej, shtoi se Irani pëlqen të thotë se kontrollon Ngushticën e Hormuzit, por nuk ka një marinë detare. “Ju nuk mund të kontrolloni asgjë.” Sipas tij, është marina amerikane ajo që kontrollon trafikun në Ngushticë dhe e bën këtë me më pak se 10% të fuqisë së saj detare.

Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth ka thënë në një konferencë për shtyp se SHBA-të do të sigurohen që Irani të mos ketë “kurrë” një armë bërthamore.
Ai thotë se do të preferonin ta bënin këtë në “mënyrën e butë”, përmes një marrëveshjeje të udhëhequr nga zëvendëspresidenti JD Vance dhe ekipi negociator. Hegseth thotë se kjo mund të bëhet edhe në “mënyrën e ashpër”.
Ai përsëriti që regjimi të “bëjë zgjedhje me mend.”
Nëse “zgjedh keq”, do të ketë një bllokadë dhe bombardime mbi infrastrukturë, energji elektrike dhe sektorin energjetik, thotë Hegseth.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu do të flasë sot me presidentin libanez Joseph Aoun, ka thënë ministrja e kabinetit të sigurisë, Galia Gamliel.
Trump i njoftoi bisedimet në Truth Social mbrëmjen e së mërkurës, por vetëm një ditë më pas, një burim nga zyra presidenciale tha se nuk kishte dijeni për takime me Izraelin.
Në planin afatgjatë, Izraeli ka thënë se synimi i tij është një marrëveshje paqeje me Libanin.
Ndërsa Izraeli e ndan frontin e Libanit nga lufta me Iranin, Teherani ka bërë presion që Libani të përfshihet në çdo marrëveshje më të gjerë paqeje rajonale.
Sipas raportimeve, ditët e fundit kjo ka nxitur Uashingtonin të ushtrojë presion më të madh mbi Izraelin për t’i dhënë fund luftimeve me Hezbollahun.

Foto gjatë një shpërthimi në Liban
Ushtria izraelite (IDF) ka deklaruar se dje kanë shkatërruar rreth 70 baza të Hezbollahut në të gjithë Bint Jbeil, në jug të Libanit.
Deklarata në Telegram vjen pasi kryeministri i vendit Benjamin Netanyahu tha se Izraeli ishte në prag të eliminimit të "një bastioni të madh të Hezbollahut" në zonë.
Forcat Mbrojtëse të Izraelit kanë nënvizuar gjithashtu se kanë “marrë pjesë në afërsisht 40 operacione mbrojtëse për të mbrojtur qiellin e vendit” që nga fillimi i konfliktit.

Zëdhënësi i Forcave të Mbrojtjes së Izraelit, Avichay Adraee, ka njoftuar një “paralajmërim urgjent” për banorët që jetojnë në Libanin jugor, ndërsa vazhdojnë sulmet ajrore.
Adraee thotë se Hezbollah po e “detyron” ushtrinë izraelite të veprojë në zonë dhe se IDF “nuk ka ndërmend të dëmtojë” civilët.
“Ne e përsërisim dhe ju bëjmë thirrje të largoheni menjëherë nga shtëpitë tuaja dhe të drejtoheni menjëherë në veri të lumit Zahrani,” shkroi ai. “Kushdo që ndodhet pranë elementëve të Hezbollahut, objekteve të tyre ose mjeteve të tyre luftarake, e ekspozon jetën e tij ndaj rrezikut.”
Grupi Hezbollah, i mbështetur nga Irani, ka njoftuar se ka lëshuar një breshëri raketash drejt Izraelit këtë mëngjes.
Në një postim në Telegram, grupi thotë se ka shënjestruar Kiryat Shmona, Kfar Giladi, Misgav Am dhe Margaliot në veri të Izraelit, pranë kufirit me Libanin.
“Ky reagim do të vazhdojë derisa agresioni izraelito-amerikan kundër vendit dhe popullit tonë të ndalet,” thuhet në postim.
Komente









