Juristja Alesia Balliu (e përjashtuar nga PD me vendim të Flamur Nokës) ka hedhur akuza të forta ndaj Shkëlzen Berishës dhe babait të tij, ish-kryeministrit Sali Berisha.
E ftuar në emisionin ‘Frontline’ me gazetaren Marsela Karapanço në Report Tv, Balliu tha se Shkëlzen Berisha duket të japë llogari se përse lëviz me 13 bodyguardë në protestat e PD-së dhe ku u gjen paratë që i paguan ata.
“Shkëlzen Berisha te protestat e PD-së pse vjen me bodyguard? Nga kush po mbrohet? Nga demokratët? Përsa kohë është ai që po bën pasaz me PD-së, do merremi edhe me të. Problemi është te emrat që drejtojnë PD-në. Sot PD po trajtohet si dyqan në të cilin bëjnë pazare. I biri i Sali Berishës del me 13 bodyguardë për t’u mbrojtur nga demokratët. Dhe ku i gjen lekët?”, tha mes të tjerash Balliu.
Nga ana tjetër, ish-drejtuesi i lartë i Policisë, Shemsi Prençi, ka evidentuar disa problematika me të cilat sipas tij po përballet ditët e sotme Partia Demokratike.
Prençi tha se Berisha dhe PD nuk kanë luksin sot të përjashtojnë nga partia njerëz që kanë bërë burg për kauzat e PD-së (duke iu referuar përjashtimit të Ervin Salianjit).
Sipas Prençit, sot më shumë se kurrë PD ka nevojë që të bashkojë rreth vetes të gjithë faktorët opozitarë, me qëllim rrëzimin e qeverisë së kryeministrit Edi Rama.
“Duke iu referuar asaj thënies popullore që ‘për inat të sime vjehrre do të fle me mullixhiun’, populli shqiptar tani nuk ka kohë të pajtohet me thënie popullore, sepse mullixhiu këto 13 vite na ka vjedhur kafshatën dhe po na vjedh edhe miellin. Ne te opozita mund të gjejmë 101 mijë dobësi dhe të meta. Dhe dobësia e parë e opozitës është te përçarja, te përjashtimet, te anatemimet e njerëzve që burojnë nga familje tradicionalisht të djatha, me sakrifica ndër breza duke u përballur me regjimin komunist. Dhe një pjesë e kupolës së PD-së i anatemojnë si komunistë, si të shitur, që unë nuk besoj. Duhet një strategji tjetër e PD-së që lideri e ka lançuar disa herë, që të përqëndrohet vëmendja te pranimet e reja, te zgjerimi i partisë. Por konkretisht nuk ka kaluar në një proces të ripajtimit, të rigrupimit, të ribashkimit, jo vetëm të PD-së, por të të gjithë spektrit opozitar. Koha tashmë kërkon disa faktorë dhe s’mund t’ja lejojë PD-së që të përjashtojë edhe anëtarë të Kryesisë së PD-së dhe njerëz që kanë bërë burg për kauzat e PD-së”, tha mes të tjerash Prençi.
Komente












Me burr ervin salianji sesa ai evgjiti belo dhe pseudo demokratet qe duan te mbyllin partine
Përgjigju