Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, tha se Uashingtoni dhe Teherani kanë identifikuar elementët kryesorë të një marrëveshjeje të mundshme për programin bërthamor dhe do t'i çojnë diskutimet në nivel teknik.
Araghchi i bëri këto komente pasi Shtetet e Bashkuara dhe Irani përfunduan raundin e tretë të bisedimeve në Gjenevë.
“Ne ishim në gjendje të identifikonim elementët kryesorë të një marrëveshjeje të mundshme dhe t’i diskutonim këto elementë”, deklaroi Araghchi për televizionin shtetëror iranian Press TV.
“Sigurisht, ka ende dallime, por në shumicën e rasteve të paktën kemi arritur një mirëkuptim të përgjithshëm se si t’i zgjidhim këto çështje”, shtoi ai.
Bazuar në këtë progres, sipas Araghchi, palët ranë dakord të caktojnë ekipet e tyre teknike për t'u takuar në Vjenë në selinë e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike për të filluar punën mbi aspektet teknike të marrëveshjes së mundshme.
Araghchi tha gjithashtu se lehtësimi i sanksioneve për Iranin ishte një fokus qendror i diskutimeve.
Ditën e djeshme në Gjenevë u realizua takimi i delegacioneve amerikane dhe iraniane, për programin bërthamor.
Me presidentin amerikan, Donald Trump që kërcënonte të sulmonte Iranin nëse nuk ka marrëveshje, ky raund i tretë bisedimesh në pak javë u pa si një përpjekje e fundit diplomatike.
Trump ka urdhëruar ngritjen më të madhe të forcave ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme që nga pushtimi i Irakut nga SHBA në vitin 2003, ndërsa Irani ka premtuar të përgjigjet ndaj një sulmi me forcë.
Megjithatë, presidenti nuk ka shpjeguar shumë se çfarë po kërkon nga t dhe pse mund të jetë e nevojshme të merren masa ushtarake tani, tetë muaj pas bombardimeve amerikane të objektivave bërthamorë iranianë gjatë një lufte mes Izraelit dhe Iranit.
Komente







