Optimizëm nga Donald Trump dhe frenim nga zyrtarë ukrainas. Rusët sipas Presidentit amerikan po bëjnë lëshime në bisedimet për një marrëveshje paqeje, ndërsa zyrtarë ukrainas të cituar në mediat amerikane, thonë se Kievi nuk ka rënë ende dakord për të paktën 3 çështje shumë të rëndësishme. 

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump shprehet optimist për bisedimet që po zhvillohen mbi planin e paqes të propozuar nga ai për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë. Nga bordi i Air Force One, ndërsa udhëtonte nga Uashingtoni për në Florida, Trump theksoi se 28 pikat e hartuara janë vetëm një "hartë" dhe jo një plan paqeje i finalizuar. Sipas tij, administrata po bën përparim drejt një zgjidhjeje. 

“E tëra ishte një hartë. Nuk ishte një plan. Ishte një koncept. Ata i kanë marrë 28 pikat, dhe pastaj u reduktuan në 22 pika. Shumë prej tyre i zgjidhëm, dhe në fakt i zgjidhëm shumë mirë. Do të shohim çfarë do të ndodhë. Po zhvillojmë bisedime të mira… Po zhvillojmë disa bisedime me Rusinë. Ukraina po ecën mirë. Mendoj se janë mjaft të lumtur për këtë. Do të doja ta shihja të mbaronte, po bëjmë përparim.”, u shpreh ai.

I pyetur për lëshimet që Rusia do të duhej të bënte, Trump tha se Moska tashmë po ofronte “lëshime të mëdha”. Më pas shtoi se Evropa do të jetë e përfshirë në garancitë e sigurisë. “Evropa dëshiron vërtet ta shohë të përfunduar (luftën) sa më shpejt të jetë e mundur”, tha ai.

Por, zyrtarë ukrainas, në kushte anonimiteti, i thanë CNN se Kievi nuk është dakordësuar ende për çështjet e rëndësishme, ato për territoret, ushtrinë dhe NATO-n. 

Lajm në përditësim…

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:07
Kremlini: Ka zëra kundër Witkoff për të ndërprerë negociatat për paqe në Ukrainë

1763035211_dmitrypeskov.webp

Thirrjet për të shkarkuar të dërguarin special të SHBA-së, Steve Witkoff, pas publikimit të transkripteve të bisedave të tij me këshilltarin presidencial rus, Yuri Ushakov, "kanë për qëllim kryesisht prishjen e trendit aktualisht modest drejt një zgjidhjeje përmes negociatave të paqes", tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, në një intervistë me gazetarin e VGTRK, Pavel Zarubin.

"Sigurisht, do të dalin shumë njerëz që nuk do të ndalen para asgjëje për të prishur këtë proces", shtoi Peskov.

Ora 16:42
5 prioritetet e BE për paqen në Ukrainë

1762153606_ursulavonderleyenvolodymyrzelensky.JPG

Gjatë fjalimit të saj në seancën plenare të Parlamentit Europian në Strasburg, presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, përcaktoi pesë prioritete kyçe që BE i konsideron thelbësore për çdo marrëveshje paqeje mes Ukrainës dhe Rusisë.

Prioriteti i parë është që marrëveshja të garantojë një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme, e shoqëruar me garanci të vërteta sigurie për Kievin. Për Brukselin, nuk mund të ketë kufizime për Forcat e Armatosura të Ukrainës dhe as dispozita që do ta bënin vendin të cenueshëm ndaj sulmeve të ardhshme; siguria e Ukrainës konsiderohet pjesë përbërëse e sigurisë europiane.

Prioriteti i dytë: mbrojtja e plotë e sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës. BE refuzon çdo logjikë “ndarjeje” të vendit ose ndryshimi të kufijve me forcë. Kievi, theksoi von der Leyen, duhet të jetë i lirë të zgjedhë të ardhmen e tij europiane, tashmë të nisur përmes integrimit në tregun e vetëm dhe në sektorin e mbrojtjes.

Prioriteti i tretë: garantimi i mjeteve financiare për mbështetjen e Ukrainës në vitet 2026 dhe 2027. Presidentja e Komisionit kujtoi se Bashkimi ka marrë tashmë angazhimin politik dhe se Komisioni është gati të paraqesë një tekst ligjor, duke përfshirë edhe përdorimin e aktiveve ruse të ngrira. “Nuk ekziston skenar në të cilin paguajnë vetëm kontribuuesit europianë”, paralajmëroi ajo.

Prioriteti i katërt: përcaktimi i rolit të BE-së në zbatimin e marrëveshjes. Brukseli parashikon që pjesa më e madhe e fazës së zbatimit – nga garancitë e sigurisë te regjimi i sanksioneve, nga rindërtimi te integrimi në tregun e vetëm e deri te procesi i anëtarësimit – do të varet drejtpërdrejt nga Bashkimi Europian dhe partnerët e NATO-s. Qëndrimi mbetet i pandryshuar: “Asgjë për Ukrainën pa Ukrainën, asgjë për Europën pa Europën, asgjë për NATO-n pa NATO-n”.

Prioriteti i pestë: kthimi i çdo fëmije ukrainas të rrëmbyer nga Rusia. “Ka dhjetëra mijëra djem e vajza, fati i të cilëve mbetet i panjohur. Të mbajtur nga Rusia, në Rusi. Ne nuk do t’i harrojmë”, deklaroi von der Leyen.

Ora 16:31
Paqja me Ukrainën, Moska: S'do bëjmë lëshime për çështjet kyçe, po diskutojmë edhe me Kinën

1764171392_ryabkov.JPG

Rusia nuk do të bëjë lëshime mbi çështjet thelbësore që lidhen me konfliktin në Ukrainë. Ajo vëren siç thotë Zv/Ministri i Jashtëm rus, se Kievi ende po merr armë dhe informacion të inteligjencës nga Shtetet e Bashkuara; dhe thekson se sa i përket çdo përpjekjeje për një zgjidhje diplomatike të luftës, Moska është në kontakt të vazhdueshëm edhe me Kinën. Këtë e deklaroi sot, në kulmin e përshpejtimit diplomatik amerikan për të gjetur një zgjidhje për luftën në Ukrainë, zëvendësministri i Jashtëm rus, Sergey Ryabkov. 

Nga njëra anë, Ryabkov tha se e përshëndet përpjekjen amerikane, nga ana tjetër sqaroi se nuk mund të flasim për lëshime apo hapa pas në qasjen tonë ndaj pikave kyçe për zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura, përfshirë në kontekstin e operacionit special ushtarak. 

Jo vetëm kaq: «Theksoj se disa elemente të takimit mes presidentëve të Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara në Anchorage përbëjnë tashmë vetvetiu zgjidhje kompromisi, siç ka deklaruar edhe Putin».

Në fund, Ryabkov paralajmëroi se, për momentin, Rusia «nuk është e gatshme të diskutojë publikisht asnjë detaj» të planit të Trump-it për Ukrainën, përfshirë edhe versionet e tij të ndryshme.

 

Ora 13:00
Propozimet për paqen, Kremlini: Shumë pika kërkojnë diskutim

1764158519_ushakovputin.JPG

Këshilltari presidencial rus për politikën e jashtme, Yuri Ushakov, ka thënë se “disa aspekte” të propozimeve të Donald Trump për paqen në Ukrainë “mund të konsiderohen pozitivisht, por shumë të tjera kërkojnë një diskutim serioz mes ekspertëve”, diskutim i cili ende nuk ka ndodhur. Duke folur në një intervistë për televizionin rus, të cituar nga agjencia Tass, Ushakov është ankuar se Moska ka marrë, vetëm në mënyrë jozyrtare, “diverse versione” të planit, “disa prej të cilave mund edhe të krijojnë konfuzion”.

Ora 12:00
CNN: Ukraina s’ka ende marrëveshje me SHBA-në për tre çështje me peshë, territori, ushtria dhe NATO

1764155448_takiminegjeneve.JPG

Një burim i lartë ukrainas thotë se ka dallime të konsiderueshme në qëndrime, për këto tre pika. Pavarësisht optimizmit të Donald Trump, një burim i lartë ukrainas i tha CNN se ende ka dallime të konsiderueshme në tre pika midis asaj që administrata Trump po kërkon nga Ukraina dhe asaj që autoritetet në Kiev, të vëna në vështirësi, janë të gatshme të pranojnë. Duke folur për CNN, burimi u pajtua me zyrtarët e Trump se një "konsensus" është arritur në të vërtetë për shumicën e pikave të përshkruara në 28 propozimet e paqes të SHBA-së. Por burimi tha se, dallimet, janë larg së qeni vetëm disa pika të vogla mosmarrëveshjeje, siç pretendon Shtëpia e Bardhë. Ende ka të paktën tre fusha thelbësore ku diferencat në qëndrime, janë domethënëse dhe se ato mund të përcaktojnë suksesin ose dështimin e përpjekjeve për të negociuar një fund të konfliktit.

1. Aneksimi delikat i territoreve kryesore
Së pari, pyetja delikate nëse Ukraina duhet të lëshojë territore kyçe në rajonin e Donbasit, të aneksuara por ende të papushtuara nga Rusia, duke përfshirë "rripin e fortesës" të qyteteve dhe qytezave të mbrojtura rëndë që konsiderohen jetësore për sigurinë e Ukrainës. Propozimet e mëparshme të SHBA-së kërkonin që Ukraina të lëshonte territorin për t'u bërë një zonë e demilitarizuar e administruar nga Rusia. Burimi ukrainas tha se kishte pasur "disa përparime" në këtë propozim, por ende nuk ishte marrë asnjë vendim. 
 

2. Kufizimet për ushtrinë ukrainase
Së dyti, propozimi kontravers i SHBA-së për të kufizuar madhësinë e forcave të armatosura ukrainase në 600,000  trupa, është ende në diskutim. Burimi ukrainas tha se është diskutuar një numër të ri, më të lartë, por se Kievi dëshiron rregullime të mëtejshme përpara se të jetë i gatshëm të pranojë kufizime të tilla.
 

3. Anëtarësimi në NATO
Së fundmi, në lidhje me heqjen dorë nga Ukraina, të ambicies së saj për t'u bërë anëtar i NATO-s, kjo kërkesë, tha burimi për CNN, mbetet e papranueshme. Një lëshim i tillë do të vendoste një "precedent të keq" dhe kjo do t'i jepte Rusisë një veto mbi aleancën ushtarake perëndimore "në të cilën, ajo nuk është as anëtare". Zgjidhja e këtyre pikave në favor të Rusisë është gjithashtu kushti kryesor i vendosur nga Moska për t'i dhënë fund fushatës së saj brutale. Por të tre pikat e pazgjidhura përfaqësojnë gjithashtu vija të kuqe të hershme për Ukrainën, ku dhjetëra mijëra ushtarë ukrainas kanë luftuar dhe kanë humbur jetën e tyre.