Presidenti Donald Trump tha se Shtetet e Bashkuara kanë zhvilluar “bisedime shumë të mira” me Iranin, pasi delegacione nga të dy vendet morën pjesë në diskutime indirekte në Oman të premten.
“Irani duket se dëshiron shumë të arrijë një marrëveshje. Duhet të shohim se çfarë marrëveshjeje është ajo,” tha presidenti në bordin e Air Force One.
Takimet e së premtes në shtetin arab të Gjirit ishin raundi i parë i negociatave mes dy palëve që nga momenti kur SHBA-të dhe Izraeli goditën Republikën Islamike verën e kaluar.
Të dyja palët kanë rënë dakord të zhvillojnë bisedime të mëtejshme pas konsultimeve me kryeqytetet e tyre, sipas një burimi të CNN i cili është i njohur me negociatat. Bisedimet u zhvilluan në një kohë të shtimit të pranisë ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme dhe pasi Trump kishte kërcënuar se do të godiste Iranin nëse ai do të përdorte forcë vdekjeprurëse kundër protestuesve ose do të refuzonte të nënshkruante një marrëveshje bërthamore.
Para bisedimeve, ministri i Jashtëm i Iranit tha se vendi i tij “hyn në diplomaci me sy hapur dhe me kujtesën e vitit të kaluar”.
“Angazhohemi me mirëbesim dhe qëndrojmë të palëkundur në të drejtat tona,” shkroi Abbas Araghchi në X.
Megjithatë, gjuha e ashpër ka vazhduar nga të dyja palët, me Trumpin që të enjten tha se udhëheqësi suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, “duhet të jetë shumë i shqetësuar”, ndërsa palët po përgatiteshin për negociata.
Pavarësisht asaj që ai i quajti diskutime produktive, Trump tha të premten se një “flotë e madhe” ishte nisur drejt Iranit dhe do të mbërrinte së shpejti.
Negociatat synojnë të adoptojnë një format të ngjashëm me raundet e mëparshme, raportuan mediat iraniane. Para luftës 12-ditore Iran–Izrael në qershor, Teherani dhe Uashingtoni kishin zhvilluar pesë raunde negociatash, ku ndërmjetësit omanë lëviznin mes delegacioneve amerikane dhe iraniane.
Këto bisedime përfunduan praktikisht pasi Izraeli goditi objektiva bërthamore dhe ushtarake iraniane në mes të qershorit, pas çka SHBA-ja goditi tre objekte bërthamore iraniane.
Çfarë u diskutua?
Araghchi i paraqiti homologut të tij oman një “plan paraprak” për të “menaxhuar situatën aktuale” mes Iranit dhe SHBA-së, raportuan mediat iraniane, me synimin për të çuar përpara negociatat.
Kush është i përfshirë?
Araghchi dhe i dërguari amerikan Steve Witkoff morën pjesë në bisedime, së bashku me Jared Kushner, dhëndrin e Trumpit. Bisedimet ishin indirekte, të ndërmjetësuara nga ministri i Jashtëm i Omanit, Badr Albusaidi, i cili më herët të premten u takua veçmas me secilën palë.
Në fotografitë e publikuara nga Agjencia Shtetërore e Lajmeve e Omanit, ishte gjithashtu i pranishëm komandanti i Komandës Qendrore të SHBA-ve (CENTCOM), admirali Brad Cooper.
Albusaidi më pas ia përcolli planin delegacionit amerikan të udhëhequr nga Witkoff, dhe përgjigjja amerikane do t’i dorëzohet palës iraniane gjatë bisedimeve, shtuan mediat iraniane.
Shtrirja e bisedimeve mbetet e paqartë. Para takimeve, zyrtarët iranianë këmbëngulën se dëshironin të diskutonin vetëm çështje që lidhen me programin bërthamor dhe se tema të tjera, si programi iranian i raketave balistike, aleatët e tij në rajon dhe trazirat e brendshme, ishin jashtë diskutimit.
SHBA-të kishin kërkuar një axhendë më të gjerë që të përfshinte raketat balistike, grupet e armatosura aleate të Teheranit që mbeten rrezik për interesat amerikane dhe izraelite në rajon, si dhe shtypjen e ashpër të protestave të fundit në Iran.
Sa i përket çështjes bërthamore, një pikë kyçe mosmarrëveshjeje mbetet kërkesa e Iranit për të pasuruar uraniumin, një lëndë djegëse bërthamore që mund të përdoret për prodhimin e bombës nëse pastrohet në nivele të larta, gjë që SHBA-të dhe aleatët e saj e kundërshtojnë. Irani ka ofruar të vendosë kontrolle mbi programin e tij bërthamor për të siguruar që ai të mos shndërrohet në armë, duke kërkuar në këmbim heqjen e sanksioneve.
Pas përfundimit të bisedimeve të premten, si shenjë se SHBA-të synojnë të ruajë presionin ekonomik, ajo vendosi sanksione të reja ndaj naftës iraniane dhe 14 anijeve që e transportonin atë.
“Në vend që të investojë në mirëqenien e popullit të vet dhe infrastrukturën e shkatërruar, regjimi iranian vazhdon të financojë aktivitete destabilizuese në mbarë botën dhe të shtojë represionin brenda Iranit,” tha zëvendëszëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Tommy Pigott.
Çfarë është në lojë?
SHBA-të kanë zhvendosur mjete ushtarake, përfshirë grupin goditës të aeroplanmbajtëses USS Abraham Lincoln, më afër Lindjes së Mesme, duke rritur shqetësimet se perspektiva e luftës po rritej.
Trump tha muajin e kaluar se SHBA-të kishin “një armatë” që po lëvizte drejt Iranit “për çdo rast”, duke shtuar se, edhe pse do të preferonte të mos “ndodhte asgjë”, administrata e tij po e vëzhgonte Iranin “shumë nga afër”.
Bisedimet ngjallën shpresën se një luftë e plotë mund të shmangej. Megjithatë, Trump tha të premten se një “flotë e madhe” do të mbërrijë së shpejti në rajon.
“Kemi një armatë të madhe dhe një flotë të madhe që po shkon në atë drejtim, do të jetë atje shumë shpejt. Pra, do të shohim si do të shkojë kjo,” tha ai.
Vendet e rajonit janë përpjekur të ulin tensionet dhe ta dekurajojnë Trumpin nga nisja e një sulmi ndaj Iranit, duke ditur se një luftë e re do ta zhyste rajonin në krizë.
Teherani e ka bërë të qartë se çdo sulm amerikan nuk do të përballet me të njëjtën “përmbajtje” që tregoi verën e kaluar, pasi Izraeli dhe SHBA-të goditën vendin.
Irani ka një sërë mjetesh në dispozicion nëse shpërthen lufta me SHBA-të ose Izraelin. Besohet se ai zotëron mijëra raketa dhe dronë që mund të godasin trupat dhe asetet amerikane në Lindjen e Mesme.
Kur bombarduesit amerikanë goditën objektet bërthamore iraniane gjatë verës, Irani kreu një sulm të paprecedentë me raketa në Katar, duke shënjestruar bazën ajrore Al-Udeid, instalimi më i madh ushtarak amerikan në Lindjen e Mesme.
Irani mund të mobilizojë gjithashtu një rrjet të gjerë aleatësh në rajon, duke goditur potencialisht Izraelin dhe bazat amerikane, si dhe duke ndërprerë lundrimin në Ngushticën e Hormuzit, një rrugë ujore e ngushtë përmes së cilës kalon më shumë se një e pesta e naftës botërore dhe një pjesë e madhe e gazit natyror të lëngshëm. Kjo mund të dërgojë tronditje në mbarë botën.
Komente










