Bisedë me Akademikun Genc Sulçebe/ Pandemia, përballimi i saj, kërkimi shkencor dhe hapat që po ndërmerr Akademia e Shkencave

Bisedë me Akademikun Genc Sulçebe/ Pandemia, përballimi i saj, kërkimi shkencor dhe hapat që po ndërmerr Akademia e Shkencave

Akademiku Genc Sulçebe

Nisma për të përfshirë Laboratorin e Imunologjisë të QSUT-së në një qendër kërkimore në kuadër të Njësisë së Gjenetikës dhe Bioteknologjisë të ASHSH-së është një nismë e guximshme dhe mjaft inovative e ASHSH-së. Kjo nismë përbën fillesën e ndryshimit të aktivitetit shkencor të Akademisë, nga thjesht paraqitja dhe pasqyrimi i punës shkencore të kryer jashtë Akademisë, në prodhuese direkte të punës shkencore në lëmin e Gjenetikës dhe Bioteknologjisë

1. Para disa kohësh, Akademia e Shkencave organizoi një Konferencë për pandeminë. Mund të na tregoni se çfarë u diskutua në këtë konferencë dhe çfarë të rejash u sollën aty?

Forumi i dytë Shkencor mbi Pandeminë Covid-19, organizuar nga Akademia e Shkencave, u zhvillua 6 muaj pas Forumit të Parë të Muajit tetor 2020 dhe kishte si qëllim kryesor përditësimin e zhvillimeve shkencore mbi Pandeminë Covid-19 në vendin tonë dhe në botë.

Në forum referuam 6 relatorë kryesorë dhe pati, gjithashtu, edhe diskutime e komente të ndryshme rrotull temave të referuara. Prof. Silva Bino referoi mbi vaksinimin ndaj Covid-19 në Shqipëri - ecurinë, perspektivën dhe vlerësimin e efektivitetit të saj. Ajo bëri një panoramë të plotë mbi vaksinimin në vendin tonë duke vënë në pah nevojën e një fushate vaksinimi sa më të gjerë dhe gjithëpërfshirëse.

Prof. Arjan Harxhi foli mbi evolucionin e skemave mjekuese të COVID-19 gjatë Pandemisë në Shqipëri dhe përditësoi të dhënat e fundit mbi trajtimin e formave sipas stadeve të ndryshme të infeksionit. Ai vuri në pah rëndësinë e evitimit të mbimjekimit, sidomos në stadet dhe format e lehta të sëmundjes. Prof. Gjeorgjina Lito-Kuli referoi mbi infeksionin COVID-19 në moshat pediatrike në vendin tonë dhe vuri në pah veçoritë e këtij infeksioni në moshat pediatrike, sidomos, duke pasur parasysh kushtet e moskryerjes së vaksinës në këto mosha.

Prof. Alban Ylli u ndal në  veçoritë e dinamikës së prevalencës dhe incidencës së infeksionit Covid-19 në Shqipëri. Duke patur parasysh se çdo vend ka karakteristikat e tij të veçanta epidemiologjike, ai vuri në pah karakteristikat e veçanta të Pandemisë COVID-19 në Shqipëri të evidentuara në mënyrë objektive me anë të sondazhit të studimit të seroprevalencës COVID-19 në qytetin e Tiranës. Dr. Ilir Alimehmeti raportoi mbi treguesit e hospitalizimit dhe mortalitetit nga COVID-19 në vendin tonë krahasuar me vendet e tjera, ndërsa Prof. Asoc. Helidon Nini foli mbi infeksionin COVID-19 dhe sëmundjet onkologjike.

2. Ka kaluar gati më shumë se një vit që bota po përballet me një nga pandemitë më të rrezikshme të këtij shekulli. Deri tani, çfarë dimë dhe çfarë nuk dimë për këtë virus të rrezikshëm?

Mund të themi se, aktualisht, një vit pas fillimit të Pandemisë, njohuritë për këtë virus dhe përgjigjen imunitare ndaj tij janë, përgjithësisht, të plota dhe mjaft të detajuara. Arritje e jashtëzakonshme ka qenë, padyshim, realizimi i vaksinave ndaj këtij infeksioni në një kohë rekord prej rreth 10 muajsh. Edhe në rrafshin diagnostik si dhe atë të mjekimit të infeksionit, janë bërë përparime të dukshme. Të gjitha këto arritje të mëdha shkencore do ta reduktojnë, pa dyshim, së shpejti infeksionin nga SARS-CoV-2 në një infeksion pothuaj të parrezikshëm.

3. Akademia e shkencave së fundi ka marrë Laboratorin e Imunologjisë në  kuadër të reformës për krijimin e bërthamave dhe institucioneve kërkimore shkencore. Mund të na tregoni se çfarë përfaqëson kjo nismë? A ka kapacitete vendi ynë që të përfshihet në kërkime të thelluara shkencore për të përballuar sfidat e ardhshme në fushë të virologjisë ?

Nisma për të përfshirë Laboratorin e Imunologjisë të QSUT-së në një qendër kërkimore në kuadër të Njësisë së Gjenetikës dhe Bioteknologjisë të ASHSH-së është një iniciativë e guximshme dhe mjaft inovative e ASHSH-së. Kjo nismë përbën fillesën e ndryshimit të aktivitetit shkencor të Akademisë, nga thjesht paraqitja dhe pasqyrimi i punës shkencore të kryer jashtë Akademisë, në prodhuese direkte të punës shkencore në lëmin e Gjenetikës dhe Bioteknologjisë. Sigurisht, fillimi është i vështirë pasi kërkon investim të rëndësishëm në infrastrukturë dhe burime njerëzore të specializuara, por me vendosmëri dhe përpjekje kjo Qendër e re mund të bëhet pikënisje për aktivitete kërkimore të mirëfillta dhe origjinale për vendin tonë në fushat e rëndësishme të Bioteknologjisë dhe nën drejtimin e Akademisë se Shkencave të Shqipërisë.

4. Si e përballuan institucionet shëndetësore shqiptare krizën e rëndë të pandemisë? Sipas jush, çfarë duhet bërë në të ardhmen në mënyrë që të mos gjendemi të papërgatitur përballë pandimeve të tilla?

Kriza e Pandemisë COVID-19 krijoi një gjendje të rëndë dhe gjeti të papërgatitura edhe shumë vende të përparuara. Në përgjithësi mund të themi se ato vende që kishin reformuar në mënyrë efikase shëndetësinë publike si dhe kishin bërë investime të vazhdueshme dhe të rëndësishme në kërkimin shkencor dhe shëndetin publik, e përballuan pandeminë shumë më mirë sesa ato vende që shëndetësinë publike e kishin lënë në dorë të ekonomisë së lirë të tregut. Në vendin tonë pati  një rritje të kapaciteteve spitalore për përballimin e fluksit të të sëmurëve me COVID-19, por kjo u fokusua vetëm në spitalet e specializuara në Tiranë dhe jo në të gjithë vendin. Po kështu, edhe ndihma e parë për të sëmurët me COVID-19 iu la shërbimit të urgjencës mjekësore dhe jo shërbimit parësor dhe dytësor të shpërndarë në mënyrë kapilare në të gjithë vendin. Gjithashtu, kapaciteti testues diagnostik la për të dëshiruar pasi u përqendrua në një ose dy laboratorë qendrorë në Tiranë dhe jo në të gjithë vendin.

Për të përballuar situata të ngjashme në të ardhmen, nevojitet një përmirësim i pranisë së shpejtë dhe të kualifikuar të shërbimit parësor mjekësor pranë të sëmurit dhe i asistencës së kualifikuar sa më pranë vendbanimit të tij. Gjithashtu, nevojitet rritje e konsiderueshme e kapaciteteve të mjekësisë intensive në të gjithë spitalet e ndihmës dytësore dhe jo vetëm në ato terciarë. Kapacitetet testuese laboratorike duhet të jenë të shtrira në të gjithë territorin dhe jo vetëm në spitalet terciare, në mënyrë që ato t’u përgjigjen sa me shpejt dhe në mënyrë cilësore kërkesave të rritura.

5. Flitet shumë për shkencën dhe dijen, për kërkimin shkencor dhe universitetet. Si akademik dhe si njeri i shkencës, cili është mendimi juaj për nivelin e shkencave mjekësore në vendin tonë dhe për nivelin e kërkimit shkencor në përgjithësi? Si mund të orientohet më mirë kjo reformë dhe çfarë mungon ende?

Kërkimi shkencor në vendin tonë lë shumë për të dëshiruar. Strategjia e deritanishme ka qenë që ai të kryhet në universitetet, por ato, universitetet, nuk e kanë arritur këtë objektiv sepse nuk kanë mbështetje në fonde dhe në burime njerëzore të kualifikuara. Ngarkesa në mësimdhënie e pedagogëve është shumë e lartë dhe nuk lë hapësirë për punë kërkimore të mirëfilltë. Nga ana tjetër, mungon dhe stimuli për punë shkencore i cili, në mënyrë të konsiderueshme, pengohet nga barrierat burokratike. Mendoj se krijimi i njësive të kushtuara plotësisht për punë kërkimore, të fokusuara në programe afatshkurtra dhe afatgjata, siç po fillohet të veprohet aktualisht nga Akademia e Shkencave, do të ishte një rrugë efektive për ngritjen cilësore të punës kërkimore.

Bisedoi Ilir Yzeiri

www.akad.gov.al

K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • mashtruesit: 12/05/2021 17:46

    Pse ka akoma akrademi te shqencave ne Shqiperi?!!...

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë