Charlie Chaplin ështe shprehur se duhet patur gjithmonë guxim për të mbrojtur idetë e individit pa marrë parasysh pasojat. Njeriu është i lirë vetëm kur shpreh idetë e tij pa u thyer kundrejt kushteve. E tillë shfaqet edhe vepra “Kthimi i Peshkatarëve” e autorit Bislim Ahmetaj, pa censurë, klishe dhe mbi të gjitha si një pasqyrë e një realiteti që ndoshta për të rinjtë e brezit të sotëm duket e largët ose përjashtuese.
Vëllimi i konceptuar me 10 tregime mban titullin “Kthimi i peshkatarëve”. Simbolika e titullit të kujton ashtu siç shprehet edhe vetë autori në një nga paragrafët e tregimit, historinë e Santiagos, plakut peshkatar në luftë me detin dhe lidhjes së pandashme me të, pavarësisht vështirësive dhe sfidave, por edhe idenë e vazhdimësisë dhe trashëgimisë përkundrejt humbjes,apo zhdukjes fizike të peshkatarit. Por, simbolika e Ahmetajt nuk mbetet vetëm në kuadrin e kapërcimit të sfidave. “Gjiri që i ngjeshej qytetit,- shprehet ai,-kishte formën e një gjuhe lope”, përpara se fokusi qëndror të përqëndrohet tek peshkatarët dhe roli i tyre në këtë qytet, lexuesi ndeshet me detajimin gjeografik me te cilin autori përshkruan qytetin. Nëse do të mund ta shihnim gjuhën në kuptimin simbolik, ajo është e lidhur ngushtë me procesin e komunikimit, pasi është ndër organet kryesore te procesit komunikativ, por duke e lidhur ngushtësisht me simbolikën e lopes, jo si një kafshë e shenjtë tashmë e konceptuar nga indianët e lashtë, por me idenë e një kafshe e cila përvecsë mund të shijojë me anë të saj, s’mund të bëjë gjë tjetër, të krijohet ideja se njerëzit me të cilët do të hasemi në tregimet e Ahmetajt janë të kushtëzuar nga “të folurit pa vend e ndonjëherë edhe aty ku nuk duhet”.
Kjo “pakujdesi” haset shpesh prej moshës, papjekurisë por edhe sepse njeriu gjithmonë ka kërkuar të zbulojë përmes gjuhës një pjesë të asaj që mendon dhe ndien. Pavarësisht se ndonjëherë “gjuha” të vendos në situata të pakëndshme, kontrastin mes qytetit dhe peshkatarëve e përbën pikërisht gjuha. Peshkatarët parapëlqenin të shijonin,të ndjenin,përkundrejt qytetit i cili kishte zgjedhur të fliste. E në fund me “zhdukjen e peshkatarëve ashtit të qytetit thelbit të ekzistencës së tij, i shfaqet përsëri zhurma e gjuhëve të lopës të cilat një mëngjes të bukur kuptojnë se janë zaptuar, prej të ashtuquajturës moderne e se peshkatarët i kishin kapërcyer tashmë ishujt, të cilët simbolikisht i bëjnë ata të ndihen të lirë,përtej kufirit fizik të vendosur.
Gjuha në kuptimin e të folurit, të shprehjes, ashtu siç theksova edhe më lart, do të vendosë edhe dënimin personal e kolektiv të personazhit e personazheve. Kjo shihet edhe në tregimet “Çelësi”, “Qyteti i thashethemeve”, “Ëndrra që burgosi babain”, në të cilat, fillin lidhës të ngjarjeve e përbën liria e fjalës dhe mendimit ndryshe. Thashethemnaja për “përdorim të higjenës personale të fotografisë së udhëheqësit dhe fotografive të anëtarëve të byrosë” si dhe ëndrra e një fëmije e cila do të kthehej në një tragjedi absurde për të atin e tij dhe familjen. Personazhet e Ahmetajt guxojnë të jenë të lirë të ëndërrojnë, të bëhen të rëndësishëm qoftë edhe gjatë një ditë përpara shokëve të klasës e mësueses, edhe pse kjo e fundit nuk e kupton asnjëherë se çdo njeri ka të drejtë të shohë ëndrra, brenda pafajësisë së të cilave nuk ka gjithmonë kërcënime për rrëzime sistemesh diktatoriale apo përmbysje të regjimit komunist.
Ahmetaj sfidon kur shndërrohet në personazhin kryesor të rrëfimit,jo vetëm duke personalizuar ngjarjet qofshin këto të fëmijërisë dhe rinisë, si tek “Ëndrra që burgosi babain” dhe “Kallukanxha” por edhe përmes tregimeve ku përgjithëson të qenit emigrantë, duke mos përjashtuar vetveten, por duke e parë si sfidë të tijën dhe të të tjerëve, duke ndërgjegjësuar lexuesin se nuk ka qenë për askënd e lehtë të integrohej brenda një komuniteti, i cili nuk ndan të njëjtat tradita, gjuhë e kulturë. Po aq i komplikuar shfaqet edhe kthimi, apo malli për ato që personazhet lënë pas, në atdheun e tyre. Në tregimin “E shtuna e një emigrant”, ku vec të gjithash bie në sy edhe përcaktimi i nëntitullit përgjithësues “ditë e diel, data kaq, viti aq” nënvizohet stilistikisht mungesa e nevojës për hollësi e detajime, pasi në cdo kohë do të ketë emigrantë të cilët do të mund ta gjejnë vetveten papritur në një vend të huaj.
“E shtuna e fundit” dhe “Rrugë pa krye” duket sikur janë copëza të ngjizura rastësisht në trupin e vëllimit pasi nëse boshtin tematik të tij e përbën mohimi kategorik i të folurit, të vështruarit dhe të ëndërruarit kundrejt sistemit,këto dy rrëfimet kanë në qendër të tyre ndjesinë e të përjashtuarit. Kështu tek “E shtuna e fundit”,autori flet në vetën e parë dhe ndjen në vetën e parë. Ai ndihet ende i ri dhe beson se është i tillë derisa ndeshet me përshendetjen ironizuese të një vajze të re e cila e shpotit përmes fjalës “xhaxhi” duke i vendosur personazhit edhe kufijtë për të mbajtur një qëndrim krejt ndryshe ndaj pjesës femërore e për t’u pozicionuar e klasifikuar si moshë “e pjekur”.
Brejtje ndërgjegje për Prizrenin e dashur për atë që ka lënë pas, por edhe përjashtim, mohim kategorik e përbuzje për dikë që mendon ndryshe duke mos përqafuar një parim të cilin e koncepton si jo të pranueshëm e që i kushton shtrenjtë edhe dashurisë e cila shpërfill ndjenjën përballë idealit partiak e pushtetar, ka në qendër tregimi “Rrugë pa krye”.
Ahmetaj në vëllimin e tij pasqyron pjesë të ndërgjegjes, të asaj vetëdije së cilës nuk mund t’i vendoset kyc për ta mbylluar një here e përgjithmonë, se nuk mund të injorohet e mohohet një e kaluar e cila ka shenjuar jetën e tij dhe shumë të tjerëve. Absurdi shkon deri aty sa edhe pas vdekjes, nëse ke menduar ndryshe, nuk të lejohet të kesh një vend ku të të prehen eshtrat. Nëse të afërmit përpiqen të mbjellin një pemë, apo të vënë një gurë në kujtim të të dashurve të tyre, ato u shkulen me dhunë, me shpresën se ashtu zhduken edhe gjurmët e krimit. Por njeriu,i ruan kujtimet e ato nuk mund t’i vrasë e t’i shkulë askush, pasi mbijetojnë në ndërgjegje, në zemër derisa një ditë si sot, të faniten si histori thesaresh,të zhytura në thellësinë e pafund të blusë e që gjenden nga gjurmues thesarësh të cilët kanë kohë që qëmtojnë ekzistencën e tyre!
Lexuesit-gjurmues të Bislim Ahmetajt janë me fat, në këtë libër me tregime, do të gjejnë emocione, kujtime, ngjarje, personazhe që do t’u kujtojnë jetën e tyre, në fund të fundit do të gjejnë prozën e bukur të një poeti.
Gjirokaster 19 Maj 2018