BiznesAlbania: Ja pse është rritur
çmimi i karburanteve në treg

BiznesAlbania: Ja pse është rritur <br />çmimi i karburanteve në treg

Rritja e çmimit të karburanteve nuk ka lidhje me ndonjë politikë të re çmimesh të kompanive që importojnë dhe tregtojnë karburante. Ajo është rrjedhojë e administrimit fiskal shqiptar dhe e faktorëve të tjerë, jashtë kompanive të biznesit. Në një komunikatë për shtyp të shpërndarë sot sqarohet nga BiznesAlbania se pse shqiptarët po e paguajnë shtrenjtë karburantin.
“BiznesAlbania, si organizatë umbrellë e shoqatave më të rëndësishme dhe elitare në vend, pjesë e të cilës është edhe Shoqata e Shoqërive të Hidrokarbureve (anëtare themeluese) është e detyruar të reagojë lidhur me komentet dhe akuzat që janë bërë në disa prej mediave vendase mbi të ashtuquajturin “abuzim” me çmimin e karburanteve në treg.

BiznesAlbania, në emër të Shoqatës së Shoqërive të Hidrokarbureve sqaron:

1. Rritja e çmimit të hidrokarbureve (naftë dhe benzinë) e vënë re në fillim të vitit 2012 është ndikuar së pari nga zbatimi i ligjit “Për sistemin e taksave vendore” të ndryshuar, sipas të cilit ”Heqja e taksës së makinave të përdorura (në import dhe në shitje brenda vendit), taksës vjetore të qarkullimit, taksës së regjistrimit të përvitshëm të mjeteve”, zëvendësohet me një strukturë të re të këtyre tre taksave, e cila është një taksë fikse, për litër mbi gazoilin dhe benzinën, të importuara apo të prodhuara në vend, në masën 5 lekë për litër, për periudhën nga data 24 gusht (ditë kur hyri në fuqi ligji i ri) deri në 31 dhjetor 2011 dhe 7 lekë për litër duke filluar nga data 1 janar 2012. Kjo do të thotë se çdo litër karburant e shitur arkëton në mënyrë të drejtpërdrejtë në arkën e shtetit, aktualisht, 8,4 lekë (përfshirë TVSH-në).
Kjo rritje çmimi e pasqyruar në tabelat e shitjes të shoqërive me pakicë, nuk ka asnjë ndikim në financat e kompanive, nuk shton asnjë për qind fitimin e tyre. Ajo arkëtohet ashtu siç grumbullohet gjatë shitjes.

2. Rritja reale e çmimit të hidrokarbureve është ajo që vjen nga konjuktura ndërkombëtare si dhe nga kursi i këmbimit të monedhës amerikane me lekun. Duke filluar nga 3 janari, në të gjitha bursat ndërkombëtare ku kuotohet nafta, është vënë re një rritje e çmimit. Mesatarisht kjo rritje shkon rreth 50-60 USD/ton. Kjo rritje në bursë, ende nuk është reflektuar në tregun e brendshëm të shitjes me pakicë të karburanteve, për shkakun e thjeshtë se kompanitë importuese kanë ende gjendje malli nga blerjet e fundvitit dhe në respektim të kërkesës ligjore për rezervën e sigurisë. Por ky ndryshim konjuktural i bursës, sigurisht që do të pasqyrohet në çmimin final.

3. Një faktor mjaf i rëndësishëm që duhet marrë në konsideratë në analizën e kostos së një litri karburant të shitur, ka të bëjë edhe me kursin e këmbimit. Krahasuar me vitin e kaluar, dollari amerikan ka një kapërcim të frikshëm. Biznesi është i detyruar të blejë me këtë vlerë dollarin në tregun e brendshëm për të realizuar importet e domosdoshme. Kjo kosto në kursin real të këmbimit valutor detyrimisht vlerësohet në koston finale të produktit të shitur.

BiznesAlbania vlerëson se nuk bëhet fjalë për rritje abusive të çmimit të hidrokarbureve në këtë fillim viti. Rreth 98 % të çmimit final të produktit, sipas ekspertëve, e përbën çmimi i produkteve në bursë së bashku me detyrimet fiskale dhe ato vendore. Taksat portuale të Depozitave Bregdetare, që menaxhohen nga koncensionarë private, janë nga më të lartat në rajon. E njëjta gjë vlen të thuhet edhe për detyrimet e tjera, deri tek tatimi mbi vlerën e shtuar.

Qeveritë, përfshirë edhe qeverinë aktuale, kanë parë tek Shoqëritë e Importimit dhe Tregtimit të Hidroakrbureve, portën e hapur për të vjelë detyrimet tatimore dhe doganore si mënyrën më të lehtë të administrimit të këtyre taksave. Dy pikat ku furnizohet tregu shqiptar, Porto Romano në Durrës dhe Petrolifera në Vlorë, janë të vetmet pika në rajon ky vilet ky tatim, në ndryshim nga pothuajse të gjitha tregjet e tjerë në rajon e më gjerë.

Nuk ka mjaftuar kjo, por, sipas informacionit që ka BiznesAlbania dhe Shoqata e Shoqërive të Hidrokarbureve, Qeveria ka planifikuar aplikimin e një taksë të re, të posaçme, sërish mbi karburantet. Lajmi u njoftua në rishikimin e Planit Kombëtar të Transportit, i cili u botua në Fletoren Zyrtare.

Dokumenti i Ministrisë së Transporteve që tashmë ka marrë miratimin edhe të qeverisë shqiptare, parashikon që gjatë tri viteve në vazhdim një pjesë e fondit për mirëmbajtjen e rrugëve të merret nga një taksë e posaçme mbi karburantet. Qeveria ka rënë dakord vetëm në parim për vënien e kësaj takse, por masa e saj do të përcaktohet me anë të një ligji të posaçëm. Qeveria ka argumentuar se këto fonde në përgjithësi mblidhen në burim atje ku prodhohet karburanti, ose kur karburanti është i importuar, taksat mblidhen nga doganat ose një agjent tjetër i përshtatshëm.

Ky qëndrim, i pakonsultuar në asnjë rast me grupet e interest, pritet të ndikojë në biznesin e importimit dhe tregtimit të hidrokarbureve, por edhe në xhepin e konsumatorëve, duke sjellë një rritje të re të çmimit, por edhe reduktim të konsumit, sikundër ndodhi gjatë vitit të kaluar pas aplikimit të taksës treshe në çmimin e naftës. Por do të sjellë edhe më pak të ardhura në arkën e shtetit. Zgjidhja që ofrohet, duke i kthyer bizneset e karburanteve në zyra të mbledhjes së taksave nuk ka shans t’i ndihë qeverisë as për të siguruar të ardhura për mbrojtjen e mjedisit dhe kufizimin e makinave të vjetra dhe as për krijimin e fondit të rrugëve për mirëmbajtjen e tyre.

Për më tepër, kur në asnjë rast, nuk është marrë mendimi i sipërmarrjes dhe as ka pasur ndonjë konsultim me ekspertët e saj, për të mos folur për respektimin e standarteve europiane për një treg të rëndësishëm, sikundër është tregu i hidrokarbureve”, thuhet në deklaratën e shpërndarë nga Drejtori I BiznesAlbania, Bardhi Sejdarasi. (am/shqiptarja.com)


  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ Lojtari shijakas dërgohet në spital, pse u ndal ndeshja Flamurtari - Erzeni në Kategorinë e Parë

VIDEO/ Lojtari shijakas dërgohet në spital, pse u ndal ndeshja Flamurtari - Erzeni në Kategorinë e Parë