Qytetarët dhe bizneset kanë marrë më shumë kredi në gjashtëmujorin e parë të këtij viti krahasuar me vjet. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë nga janari deri në fund të qershorit, bankat kanë aprovuar kredi me vlerë 2.3 miliardë euro, që është shifra më e lartë e regjistruar ndonjëherë, në rritje me 214 milionë euro krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Referuar raportit të fundit të bankës, kërkesa për kredi ka qenë në rritje në të gjithë sektorët e ekonomisë sa u takon bizneseve, pasi kanë marrë në total 148.7 miliardë lekë hua gjatë kësaj periudhe.

“Në krahasim me gjashtë muaj më parë, përmirësim kanë shfaqur kreditë për biznesin e mesëm, si dhe financimi i bizneseve që veprojnë në sektorët e tregtisë dhe të shërbimeve”, thuhet në raport.

Norma mesatare e interesit për kreditë e reja në lekë për biznese ishte 6.4%, e njëjtë me vitin e kaluar, ndërsa interesi mesatar për kreditë në euro u rrit me 0.2%, dhe aktualisht janë në 6%, i ndikuar kryesisht nga kredia për shumat deri në 250 mijë euro.

Edhe qytetarët morën më shumë kredi se vjet, rreth 786 milionë euro në total, të udhëhequr kryesisht nga nevoja për blerje banese, por rritje thuhet në raport është regjistruar edhe për kredinë konsumatore. Interesi mesatar për kredinë në lekë për blerje banese ishte 3.9% në gjashtëmujorin e parë të vitit, aq sa ishin edhe vjet, ndërsa ato në euro u rritën në 5.4% nga 4.9% që ishin në të njëjtën periudhë të 2025-ës.

Ndikim në kërkesën e lartë për kredi për të financuar blerjen e banesës sipas bankës ka dhënë edhe procesi i rivlerësimit që po zhvillohet prej muajit shkurt, ndërsa pritshmëritë janë për kërkesë të lartë për hua edhe në periudhën e mbetur të vitit.

KREDIA E RE PËR EKONOMINË
Janar-Qershor 2025       2,171 mln euro
Janar-Qershor 2026       2.385 mln euro
Diferenca                       +214 mln euro