TIRANË - Treguesi i besimit në sektorin e ndërtimit (TBN) u përmirësua me rreth 10 pikë përqindje, gjatë tremujorit të katërt të vitit 2014, bëri të ditur Banka e Shqipërisë, në Vrojtimit e besimit të biznesit dhe konsumatorit.
TBN-ja ka shfaqur shenja përmirësimi që prej tremujorit të katërt të vitit 2013, si rrjedhojë, niveli aktual i tij qëndron rreth 5.7 pikë përqindje mbi mesataren afatgjatë dhe rreth 17.7 pikë përqindje mbi mesataren e pesë viteve të fundit.
Bizneset në sektorin e ndërtimit vlerësuan në përmirësim të tre balancat përbërëse të TBI-së. Kështu, balancat e kërkesës, prodhimit, si dhe situatës aktuale të punësimit, u rritën përkatësisht me 13.5, 12 dhe 5 pikë përqindje në tremujorin e katërt të vitit.
Situata e përgjithshme ekonomike në vend dhe gjendja e përgjithshme e biznesit u vlerësuan në përmirësim gjatë tremujorit të katërt të vitit 2014. Stoku i banesave vlerësohet të ketë rënë gjatë kësaj periudhe, duke ndikuar në përmirësimin e ndjeshëm të gjendjes financiare të bizneseve në këtë sektor.
Çmimet e prodhimit në ndërtim janë vlerësuar pothuajse në të njëjtin nivel me një tremujor më parë. Norma e shfrytëzimit të kapaciteteve prodhuese në sektorin e ndërtimit rezultoi rreth 60.72%. Kjo normë rezulton në rritje me rreth 2.9 pikë përqindje krahasuar me tremujorin e mëparshëm, por rreth 4.75 pikë përqindje nën mesataren historike. Për tremujorin e parë të vitit 2015, bizneset e sektorit të ndërtimit shprehen optimiste. Ato presin zhvillime veçanërisht pozitive të prodhimit dhe të kërkesës në sektorin e tyre. /ATSH/









