TIRANE - Republika Popullore e Kinës me përfaqësuesit e biznesit të saj prezantohet serish në vijim të një tradite disavjeçare në Edicionin e 21-të të Panairit Ndërkombëtar të Tiranës të organizuar nga Klik Ekspo Group.
Pavioni i Republikes Popullore të Kines prezantohet me sipërmarrës që përfaqësojnë Rajonin e Shangait dhe Provincës Zhejiang. Ato rikthehen të gatshëm për ndërveprim ekonomik & kulturor për të tretin edicion me radhë me produkte si: materiale elektrike dhe zgjidhje për ndriçim, mobile dhe materiale ndërtimi, tekstile, industria e paketimit etj., të shoqëruara nga një seri aktivitetesh ekonomike të ndërsjella që do të marrin jetë gjatë ditëve të Panairit.
10 kompani e firma kineze, ndër më të njohurat nga Rajoni i Shangait dhe Provinca Zhejiang që ndodhet në jug të shtetit kinez , përfaqësohen në Panairin Ndërkombëtar të Klikut nën logon "Salloni i Biznesit Kinez, mundësi për rritjen e bashkëpunimit mes dy vendeve" . Salloni Kinez i inkuadruar në katin e dytë të Pallatit të Kongreseve me mbi 20 përfaqësues biznesi, terheq vemendjen e vizitorëve të shumtë që kanë mbushur ambjentet e Panairit. Shefi i Dhomës së Tregtisë së Biznesit Kinez, Kevin Fu, u shpreh per ATSH-ne se, biznesi kinez e sheh Shqipërinë si vend me potenciale e kapacitete të mëdha, për bashkëpunime të reja me biznesin e investitorët kinez në sektorët të ndryshëm të ekonomisë. "Shqipëria është një portë kryesore për të hyrë në Ballkan"-tha Kevin Fu , ndërsa theksoi se, volumi tregtar mes dy vendeve është rritur por, sipas tij, ka akoma shumë mundësi për të eksploruar dhe për të rritur shkëmbimet tregtare mes dy vendeve. Duke e vlerësuar organizimin e Panairit si një mundësi të mirë për të sjellë në optikën e të huajve prezantimin e Shqipërisë si një vend me burime të shumta dhe politika fiskale ndër më lehtësueset dhe më miqësoret në rajon, kreu i Dhomës sëTregtisë së Biznesit Kinez, Kevin Fu, nënvizoi se, Shqipëria ka ende hapësira për rritjen e importit të mallrave kineze ashtu sikundër Kina ka potenciale prodhuese dhe dëshirë për të rritur investimet e kineze në Shqipëri.
Ningbo Tulip, është një ndër fabrikat e specializuara në Kinë, për prodhimin e llojeve të ndryshme të llampave ndricuese dhe atyre decorative. Josie Huang, përfaqësues i kompanisë Tulip, u shpreh se kjo fabrikë prodhon llampa që janë mjaft ekonomike për tregun dhe që janë mjat të kërkuara nga konsumatorët. "Ne ekspozojmë në këtë Panair disa nga prodhimet më të mira, të cilat janë të cilësisë së lartë dhe standarteve IS09001, kritere këto që i përgjigjen dhe tregut shqiptarë"tha Huang duke treguar se jo më larg se sot ka nënshkruar një kontratë paraprake bashkëpunimi me një sipërmarrës shqiptarë për importin e llampave LED në Shqipëri.
Në një nga hapsirat e konsiderueshme të Sallonit të Biznesit Kinez, janë ekspozuar me mjaft shije lloje të ndryshme kutish dhe ambalazhesh, që shërbejnë për paketimin e konfeksioneve apo dhuratave të ndryshme. Danielle Chen asistent menaxhere e kompanise Ningbo Deco. LTD thotë se, ndonëse bizneset homologe kineze kanë hyrë në tregun shqiptarë prej kohës, pjesëmarrja në Panairin Ndërkombëtar të Klikut i jep mundësi për hapsira të reja bashkëpunimi me biznesin shqiptarë. Ne synojmë të shtrihemi në sa më shumë qytete të Shqipërisë, thotë ajo me të cilat po njihet në Panairin e Klikut.
Kina renditet e treta ndër vendet, me të cilat Shqipëria kryhen më shumë shkëmbimet tregtare. Kina është bërë destinacioni i tretë i prodhimeve shqiptare, ku eksportojmë 5% të mallrave tona, ndërsa gati 7% e importeve i sigurojmë nga tregu i largët. Importojmë produkte nga industrialet deri tek ato bujqësore, ndërsa eksporti ynë kryesor në Kinë janë mineralet e kromit dhe bakrit. Sot njihet nga kushdo roli aktiv që Kina ka marrë në arenën dhe organizatat ndërkombëtare në përballimin e sfidave globale. Ndërsa 65-vjetori i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve, lajmotiv i prezencës kineze në këtë eveniment biznesi, sjell në kujtesë të brezave Shqipërinë që ka qenë ndër vendet e para që ka pasur dëshirën dhe vullnetin për të vendosur marrëdhënie diplomatike me Kinën. Marrëdhëniet tradicionale, ndihma e vazhdueshme e popullit kinez për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë, si dhe eksperiencat e shumëfishta të bashkëpunimit, të krijuara mes dy vendeve tona përgjatë këtyre viteve, e kanë bërë edhe më të fortë ndjenjën e miqësisë mes dy popujve tanë.
Jam pikërisht këto manifeste të biznesit që forcojnë marrëdhëniet e shkëlqyera dhe intensifikojnë bashkëpunimi, në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë. Dinamika e këtij bashkëpunimi në dy dekadat e fundit ka njohur një marrëdhënie të re cilësore, marrëdhënie që reflekton jo vetëm zhvillimet pozitive në të dy vendet tona, por krijon hapësira edhe më të mëdha për forcimin dhe zgjerimin e këtij bashkëpunimi. Politikat e qeverisë Shqiptare i kushtojnë rëndësi shumë të madhe e të veçantë, forcimit të bashkëpunimit me Republikën Popullore të Kinës dhe ka vullnetin për t'i konkretizuar këto marrëdhënie miqësore e tradicionale në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë./ATSH/