Taksapaguesit shqiptarë do të japin për shtetin 25 milionë euro më shumë se një vit më parë gjatë 2018-ës. Ky do të jetë rezultat i Paketës Fiskale 2018, që është miratuar, dekretuar dhe tanimë ka hyrë në fuqi nga 1 janari, me përjashtim të ndryshimit të parashikuar për biznesin e vogël dhe banesat.

Ndonëse, ngë njera anë, qeveria ka parashikuar lehtësime të ndjeshme për VIP-at e sektorit të hotelerisë dhe të teknologjisë së informacionit, duket se rritja e ndjeshme e taksimit mbi banesat apo TVSH-ja për dhjetëra mijëra biznese që më parë nuk e paguanin do të ekuilibrojnë bilancin, madje me një rritje të ndjeshme të të ardhurave. 

Biznesi i vogël
Ndonëse është “amnistuar” tre muaj, duke filluar nga 1 prilli, biznesi i vogël duhet të marrë masat mirë për të përballuar një praktikë të re, që e fut edhe atë në pagesën e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar. Paketa Fiskale urdhëron që të ulet pragu i xhiros së bizneseve që do të përfshihen në skemën e TVSH-së, nga 5 milionë lekë në vit, në vetëm 2 milionë lekë. Kjo do të thotë që edhe një dyqan i vogël lagjeje, me një xhiro modeste prej 5.500 lekësh të reja në ditë mesatarisht duhet të paguajë TVSH. I vetmi lëshim që bëri qeveria gjatë diskutimit të ligjit përkatës ishte që hoqi dorë nga plani për të vendosur TVSH që nga niveli 0 i xhiros.

Tatimet njoftuan dje se tatimpaguesit, të cilët kanë realizuar një qarkullim mbi dy milionë lekë edhe për vitin kalendarik 2017, si dhe ata që parashikojnë të realizojnë këtë qarkullim gjatë këtij viti, nga data 1 prill 2018 duhet të regjistrohen me përgjegjësinë tatimore të TVSH-së (tatimi mbi vlerën e shtuar).

Në përputhje me këtë, çdo tatimpagues i regjistruar për TVSH-në duhet të komunikojë me shoqërinë e autorizuar që e ka furnizuar me pajisjen fiskale për të bërë ndryshimin e shkallës tatimore të TVSH brenda datës 31 mars 2018, për qëllim të lëshimit të kuponit tatimor me TVSH. Po kështu, çdo tatimpagues i regjistruar për TVSH-në brenda datës 31 mars 2018 duhet të furnizohet me faturat tatimore me TVSH, të përdorshme për çdo shitje mbi 40 mijë lekë, ose kur blerësit do t’i kërkojnë një të tillë

Jashtë skeme do të mbeten vetëm bizneset ambulante. Rregulli i ri nënkupton që, përveç TVSH-së, bizneseve do t’iu shtohen edhe kosto të reja, siç është ajo për një financier, që kërkon rreth 30 mijë lekë në muaj, apo programet financiare si Bilanc, Alfa apo Financa 5, të cilat ushtojnë rreth 50 mijë lekë.

Taksa mbi ndërtesën
Duke filluar nga 1 prilli, edhe shkalla e taksës mbi ndërtesat do të jetë 0.05% e vlerës për ndërtesën ku taksapaguesi ka banimin e përhershëm, ose zakonisht banon dhe 0.15% për ndërtesën që përdoret për veprimtari ekonomike biznesi. Pritet që në vitin 2018 qytetarët të paguajnë 21 milionë euro më shumë taksë prone.

Barra më e lartë e taksës së pronës do të jetë për banorët e kryeqytetit. Buxheti i Bashkisë Tiranë për vitin 2018 parashikon që të ardhurat nga taksa e pronës do të arrijnë 2.5 miliardë lekë, sa 31% e totalit të taksës së pronës që pritet të mblidhet në gjithë vendin.

Këtë taksë do ta paguajnë tashmë dhe ndërtuesit që nuk kanë respektuar afatet për lejen që kanë marrë. Sipas përcaktimit në draft kjo kategori do të paguajë 30 % e shkallës së taksës përkatëse për të gjithë sipërfaqen ndërtimore për të cilën zhvilluesi është pajisur me leje ndërtimi dhe nuk ka arritur ta përfundojë atë sipas afatit të përcaktuar në aktin e miratimit të kërkesës për leje ndërtimi.

VIP-at
Ndërkohë, do të ketë lehtësi të ndjeshme për bizneset shumë të mëdha. Tek ligji i TVSH-së parashikohet një nivel TVSH-je prej 6% për furnzimin e shërbimeve që ofrohen në hotelet me 5 yje me status special. Deri dje ky nivel TVSH-je ofrohej vetëm për furnizimin e shërbimit të fjetjes në hotele. Për hotelet “speciale” kjo gjë do të përfshije edhe bar-restorantet, saunat, pishinat, shelzonget e këtyre hoteleve, që do të faturojnë shërbimin me 6% TVSH.

“Thesi” i lehtësive të qeverisë për investitorët me status special ka rezervuar ndryshime edhe tek taksa e infrastrukturës. Për të gjithë ata që kanë statusin special si hotele me pesë yje taksa e infrastrukturës do të jetë zero. Normalisht për këtë kategori ndërtimi në Bashkinë e Tiranës ajo aplikohet në 4% të vlerës totale të projektit ndërsa në bashkitë e tjera nga 1-3%.

Hotelet me 4 dhe 5 yje nuk do të paguajnë as tatimfitim për një periudhë 10-vjeçare nëse arrijnë që të përfitojnë statusin special. Edhe për bizneset që ushtojnë aktivitet në prodhim dhe zhvillim të softëareve tatimfitimi do të jetë 5%. 

d.c./shqiptarja.com