/ATSH/- Hapat e përtëritjes ekonomike të vendit kanë sjellë përmirësime në shfrytëzimin e kapaciteve prodhuese të sipërmarrjeve në shumicën e sektorëve. Këtë fakt e reflekton edhe treguesi i ndjesisë ekonomike, i cili  u përmirësua në tremujorin e fundit të vitit 2014 për të pestin tremujor radhazi, duke evidentuar perceptim më optimist të bizneseve për aktivitetin e tyre ekonomik.

Sipas anketimeve të Bankës së Shqipërisë, në sektorin e shërbimeve, norma e shfrytëzimit të kapaciteteve rezultoi 79.1%, në rritje me 1.3 pikë nga tremujori i kaluar dhe 0.3 pikë nga tremujori i katërt i vitit 2013.

Niveli i këtij treguesi qëndron mbi mesataren historike të serisë. Zhvillime pozitive regjistroi edhe sektori i ndërtimit, ku norma e shfrytëzimit të kapaciteteve prodhuese rezultoi rreth 60.72%. Kjo normë është në rritje me rreth 2.9 pikë përqindje krahasuar me tremujorin e mëparshëm, ndonëse qëndron ende nën mesataren historike.
Në industri norma e shfrytëzimit të kapaciteteve shënoi nivelin 73.2%. Ndonëse në përkeqësim me rreth 1.1 pikë përqindje në krahasim me tremujorin e kaluar, shfrytëzimi i kapaciteteve në këtë sektor qëndron mbi nivelin e mesatares së tij afatgjatë.

Rritja e shfrytëzimit të kapaciteteve prodhuese është qartësisht një tregues i gjallërimit të aktivitetit të biznesit dhe sinjal pozitiv për ecurinë e punësimit, por edhe të investimeve të reja në ekonomi. Të dhënat për importin e makinerive dhe pajisjeve tërthorazi dëshmojnë gjithashtu një përmirësim të investimeve private në ekonomi për vitin 2014.